
Në vitet e fundit, ka pasur një rritje të dukshme të numrit të fëmijëve të diagnostifikuar me autizëm, ku secili person ka takuar të paktën njëherë një femijë me këtë diagnozë. Prevalenca e Çrregullimit të Spektrit të Autizmit (ASD) tek fëmijët ka treguar një rritje të shqetësuese gjatë dy dekadave të fundit. Në vitin 2000, afërsisht 1 në 150 fëmijë (0.66%) u diagnostifikuan me ASD. Deri në vitin 2020, ky numër ishte rritur në 1 në 36 fëmijë (2.77%). Fenomen ky që ka shkaktuar shumë diskutime: nëse po rritet numri i rasteve të autizmit, apo kjo thjeshtë është një pasqyrim i diagnostifikimit tëpërmirësuar? Për ta kuptuar këtë, është e nevojshme të shqyrtojmë disa faktorë që mund të ndikojnë në këtë ndryshim.
Çfarë është Autizmi?
Autizmi, i njohur gjithashtu si çrregullimi i spektrit i autizmit (ASD), ndikon negativisht në zhvillimin e aftësive sociale, komunikimin dhe sjelljen. Fëmijët që janë të diagnostikuar me autizëm shpesh kanë vështirësi në ndërtimin e lidhjeve sociale, kanë interesa të kufizuara, janë rezistent ndaj ndryshimeve dhe demostrojnë sjellje specifike të përsëritura.
Rritja e numrit të diagnozave: A është rritje reale?
Një nga pyetjet kryesore është nëse rritja e dukshme e diagnozave të autizmit është e vërtetë apo është thjeshtë një pasqyrim i diagnostifikimit të përmirësuar. Shifrat sugjerojnë se numri i fëmijëve të diagnostikuar me autizëm është rritur në mënyrë dramatike në dekadat e fundit. Megjithatë, ekspertët ndajnë disa shpjegime potenciale për këtë fenomen.
- Përmirësimi i Diagnostikimit: Një faktor kryesor është përmirësimi i metodave të diagnostikimit. Mjekët, psikologët dhe logopedët janë tani më të aftë të identifikojnë simptoma të autizmit që mund të mos ishin të dukshme më parë. Gjithashtu, është ulur dhe mosha e diagnostifikimit ne 2 vjeç. Tutje, një tjetër faktor është zgjerimi i kritereve diagnostikuese për autizmin. Më parë, vetëm fëmijët me forma të dukshme të autizmit mund të diagnostikoheshin. Sot, kritere të reja përfshijnë fëmijë me simptoma më të buta, duke e bërë diagnozën më të përhapur, ngase tani autizmi shihet si një spektër.
- Rritja e Ndërgjegjësimit: Me kalimin e kohës, ndërgjegjësimi për autizmin është rritur shumë. Familjet dhe shkollat janë më të vetëdijshme për simptomat e mundshme dhe shpesh referojnë për vlerësim dhe kërkojnë diagnostikim më herët. Kjo ka ndikuar në rritjen e rasteve të diagnostikuara.
- Faktorët Gjenetikë dhe Ambientalë: Disa studiues sugjerojnë se faktorët gjenetikë dhe mjedisorë mund të kenë një ndikim në rritjen e numrit të rasteve. Ndikimi i ndotjes, ushqyerjes dhe ekspozimi ndaj substancave kimike gjatë periudhës së shtatzënisë mund të luajnë një rol të rëndësishëm. Gjithashtu dhe rritja e përdorimit të telefonit nga mosha e vogla, duke kompromentuar zhvillimin e fëmijëve.
A është rritja një krijim i shoqërisë moderne?
Disa ekspertë kanë sugjeruar se ndoshta rritja e numrit të diagnozave është më shumë një reflektim i një shoqërie që është më e vetëdijshme dhe më e aftë për të identifikuar autizmin, sesa një “epidemi” e vërtetë. Në fakt, shumë familje dhe profesionistë tani janë më të përgatitur për të njohur simptomat e autizmit, dhe ky mund të jetë një faktor kyç në këtë ndryshim të dukshëm. Ata identifikojnë symptomat, referojnë për vlerësim dhe marrin diagnoza.
Përfundimi: rritja e diagnozave – realitet apo efekt i ndërgjegjësimit?
Rritja e numrit të fëmijëve të diagnostifikuar me autizëm është një fenomen i shumëanshëm që ka shumë faktorë që ndikojnë në të. Megjithatë, nuk ka dyshim se ka një rritje të dukshme të ndërgjegjësimit dhe përmirësimit të diagnostikimit që ka bërë të mundur identifikimin e rasteve që më parë mund të ishin lënë pas dore. Kjo është një fushë që vazhdon të zhvillohet, dhe është e rëndësishme që të ofrohet mbështetje e duhur për fëmijët dhe familjet që përballen me autizmin.
Autor: Erestinë Uka
Burime:
Hansen, S. N., Schendel, D. E., & Parner, E. T. (2015). Explaining the increase in the prevalence of autism spectrum disorders: The proportion attributable to changes in reporting practices. JAMA Pediatrics, 169(1), 56–62. https://doi.org/10.1001/jamapediatrics.2014.1893
Ostrowski, J., Religioni, U., Gellert, B., Sytnik-Czetwertyński, J., & Pinkas, J. (2024). Autism Spectrum Disorders: Etiology, Epidemiology, and Challenges for Public Health. Medical science monitor : international medical journal of experimental and clinical research, 30, e944161. https://doi.org/10.12659/MSM.944161