Përvojat e të Moshuarve në Shtëpitë Rezidenciale në Kosovë

Njeriu, si qenie sociale, ka nevojë për lidhje dhe marrëdhënie me të tjerët. Kjo nevojë bëhet veçanërisht e rëndësishme në moshën e shtyrë, pasi lidhjet sociale lidhen ngushtë me shëndetin mendor dhe fizik të individit (Chapman et al., 2024). Me kalimin e viteve, shumë njerëz përjetojnë ngushtim të rrjeteve sociale, dhe mungesa e tyre në pleqëri mund të ndikojë negativisht në mirëqenien psikologjike, kënaqësinë me jetën dhe cilësinë e jetesës së të moshuarve (Casey et al., 2016).

Studime të shumta tregojnë se mirëqenia e të moshuarve në shtëpitë e kujdesit lidhet ngushtë me marrëdhëniet shoqërore dhe ndjenjën e përkatësisë brenda komunitetit ku jetojnë (Kang et al., 2019). Po ashtu, Chang, Wray dhe Lin (2014) theksojnë se të moshuarit me më pak mbështetje sociale përjetojnë më shumë vetmi, e cila ndikon negativisht në mirëqenien e tyre psikologjike.

Në Kosovë, studimet mbi përvojat sociale të të moshuarve në institucionet e kujdesit janë të kufizuara, veçanërisht në lidhje me marrëdhëniet mes bashkëjetuesve në këto ambiente. Ky studim synon të eksplorojë përvojat e të moshuarve që jetojnë në shtëpitë rezidenciale në Kosovë, me fokus në marrëdhëniet dhe ndërveprimet e tyre me banorët e tjerë. Duke analizuar këto përvoja, studimi synon të ofrojë një kuptim më të mirë të jetës sociale të të moshuarve në institucionet e kujdesit dhe të kontribuojë në zhvillimin e praktikave dhe politikave që përmirësojnë cilësinë e jetesës së tyre.

Hulumtimi udhëhiqet nga pyetja kërkimore: Cilat janë përvojat e të moshuarve me bashkëjetuesit në shtëpitë e kujdesit për të moshuar?

Metodologjia

Ky studim përdori një qasje kualitative fenomenologjike për të kuptuar përvojat e të moshuarve me bashkëjetuesit në shtëpitë e kujdesit në Kosovë. Pjesëmarrësit ishin 10 të moshuar mbi 65 vjeç nga Peja dhe Prishtina, të përzgjedhur qëllimisht për shkak të përvojës së tyre të drejtpërdrejtë të jetesës në institucion.

Të dhënat u mblodhën përmes intervistave gjysmë të strukturuara. Të gjitha intervistat u regjistruan me lejen e pjesëmarrësve dhe u transkriptuan fjalë për fjalë. Analiza u realizua përmes analizës tematike, duke identifikuar temat dhe nëntemat që pasqyrojnë përvojat dhe ndjenjat e pjesëmarrësve. Studimi iu përmbajt standardeve etike, duke garantuar anonimitetin dhe trajtimin konfidencial të të dhënave.

Të gjeturat

1. Jeta e përditshme dhe rutina
Të moshuarit raportuan se rutina e përditshme në shtëpitë e kujdesit është relativisht e qëndrueshme dhe përfshin aktivitete bazë si higjiena, ushqimi dhe aktivitete të ndryshme rekreative. Kjo rutinë kontribuon në ndjenjën e sigurisë dhe kënaqësisë. Banorët vlerësojnë përkujdesjen, ushqimin dhe komoditetin që ofrohet.

2. Marrëdhëniet sociale
Mes banorëve: Marrëdhëniet janë kryesisht funksionale dhe pa konflikte të theksuara. Të moshuarit vlerësojnë marrëdhënie të qeta dhe selektive, duke shmangur tensionet.

Me stafin: Marrëdhëniet me stafin përshkruhen si shumë të ngrohta dhe mbështetëse, duke ndikuar pozitivisht në mirëqenien emocionale dhe psikologjike të banorëve. Stafi shpesh shihet jo vetëm si kujdestar, por edhe si një burim mbështetjeje emocionale dhe familjare.

3. Shmangia e konflikteve dhe vendosja e kufijve
Banorët përdorin strategji për të ruajtur qetësinë dhe marrëdhënie të mira, duke vendosur kufij personalë dhe duke shmangur situatat konfliktuale. Kjo ndihmon në ruajtjen e stabilitetit emocional dhe mirëqenies së tyre.

4. Aktivitetet në shtëpi
Aktivitetet e përditshme, individuale ose në grup, si muzika, kopshtaria, ecjet dhe koha e kaluar me të tjerët  edhe pse shpesh të përsëritura, luajnë rol të rëndësishëm në socializim dhe në ndjenjën e përkatësisë.

5. Gjendja emocionale dhe mbështetja
Banorët raportojnë herë pas here ndjenja vetmie ose mërzie, veçanërisht për shkak të mungesës së familjes. Megjithatë, mbështetja e stafit dhe shoqëria e bashkëjetuesve ndihmojnë në përballimin e këtyre emocioneve dhe në ruajtjen e mirëqenies psikologjike.

Përfundimi

Ky studim ofron një pasqyrë mbi jetën sociale të të moshuarve që jetojnë në shtëpitë e kujdesit në Kosovë dhe thekson rëndësinë e marrëdhënieve, mbështetjes sociale dhe aktiviteteve të përditshme për mirëqenien e tyre psikologjike. Gjetjet sugjerojnë se institucionet mund të luajnë një rol të rëndësishëm në krijimin e më shumë mundësive për ndërveprim dhe aktivitete kuptimplota, të cilat mund të ndihmojnë në reduktimin e monotonisë dhe ndjenjave të vetmisë. Megjithatë, rezultatet duhet të interpretohen me kujdes për shkak të disa kufizimeve të studimit, si madhësia e vogël e mostrës, mungesa e balancës gjinore dhe ndryshimet në kohëzgjatjen e qëndrimit në institucion. Hulumtime të ardhshme mund të eksplorojnë përvojat e të moshuarve në kontekste të ndryshme dhe të ndjekin në mënyrë më të gjatë procesin e adaptimit dhe zhvillimit të marrëdhënieve në këto ambiente.

Autor: Anisa Selmani

Referencat 

Casey, A.-N. S., Low, L.-F., Jeon, Y.-H., Brodaty, H. (2016). Residents’ perceptions of friendship and positive social netëorks within a nursing home. The Gerontologist, 56(5), 855–867. https://doi.org/10.1093/geront/gnv146

Chang, P. J., Wray, L., & Lin, Y. (2014). Social relationships, leisure activity, and health in older adults. Health Psychology, 33(6), 516.

 Chapman, H., Bethell, J., Dewan, N., Elliott, J., Stewart, S., & McGilton, K. S. (2024). Social connection in long-term care homes: A qualitative study of barriers and facilitators. BMC Geriatrics, 24, 857. https://doi.org/10.1186/s12877-024-05454-8

Kang, B., Scales, K., McConnell, E. S., Song, Y., Lepore, M., & Corazzini, K. (2019). Nursing home residents’ perspectives on their social relationships. Journal of Clinical Nursing. https://doi.org/10.1111/jocn.15174

Komente:

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Artikuj të ngjashëm