Nga Simptomat Fizike tek Psikoterapia: Roli i Mjekut Familjar në Çrregullimet e Ankthit

A ju ka ndodhur ndonjëherë të gjendeni para një situate stresuese dhe duart tuaja të fillojnë të dridhen, rrahjet e zemrës të shpejtohen, muskujt të tendosen, mendimet të bëhen paksa të zhurmshme, duke krijuar ndjenja shqetësimi?  Ndoshta keni filluar të parashikoni çdo situatë që mund të përfundonte keq.

Në ato momente, ka shumë gjasa që keni qenë duke përjetuar ankth. Po çfarë ndodh në mendjen dhe trupin tonë nëse simptomat e lartëpërmendura manifestohen për një periudhë më të gjatë kohore?

Kur shqetësimi bëhet i vazhdueshëm dhe përfshin frikë sociale apo të performancës, sulme paniku të papritura dhe/ose të nxitura nga situata të caktuara, ankth anticipues dhe sjellje shmangëse, atëherë mund të bëhet fjalë për një çrregullim ankthi (Szuhany & Simon, 2022). Studimet e fundit tregojnë se çrregullimet e ankthit më të shpeshta që hasen në kujdesin parësor shëndetësor janë: çrregullimi i ankthit të përgjithësuar (prevalencë gjatë jetës 6.2%), çrregullimi i ankthit social (prevalencë gjatë jetës 13%) dhe çrregullimi i panikut (prevalencë gjatë jetës 5.2%), me ose pa agorafobi (frikë intensive dhe të vazhdueshme nga vendet ose situatat ku ndihma mund të mos jetë e disponueshme ose nga të cilat mund të jetë e vështirë të largohet).

Mosinformimi apo keqinformimi lidhur me ankthin vendos individin në një situatë ku përjeton disa simptoma fizike që burojnë nga çrregullimi i ankthit dhe të cilave nuk u përgjigjen medikamentet.

Për këtë arsye, vizita tek mjeku familjar shpesh është refleksi i parë i personave që po përjetojnë për herë të parë atake ankthi dhe nuk janë të vetëdijshëm se çfarë po kalojnë, sepse simptomat e ankthit shpesh janë fizike, si: ndjenja se zemra rreh më shpejt se zakonisht, dhimbje ose tension muskulor, vështirësi në frymëmarrje, nauze stomaku, lodhje, dhimbje koke, ndjenja ngulfatjeje, dridhje të trupit, irritueshmëri, frikë e papritur, sindromi i zorrës së irrituar, diarre dhe probleme me gjumin.

“Meqenëse shumica e individëve fillimisht kërkojnë trajtim për çrregullimet e ankthit në kujdesin parësor, është e rëndësishme që në këto mjedise të kryhet, vlerësimi, diagnostikimi dhe, kur është e nevojshme, fillimi i trajtimit” (Brahmbhatt et al., 2022, para.1). Konsulta me mjekun familjar duhet të zgjasë mesatarisht njëzetë minuta, derisa trajtohen problemet dhe diskutohen çështjet që pacienti sjell.

Roli i mjekut familjar fillon me identifikimin e problemit. Kjo nuk është gjithmonë e lehtë, pasi pacientët shpesh raportojnë vetëm shqetësime fizike dhe mund të mos jenë të vetëdijshëm për natyrën ankthore të simptomave të tyre. Pa një vlerësim të kujdesshëm, ekziston rreziku i keqdiagnostikimit. Ekzistojnë instrumente mjaft efektive në identifikimin e çrregullimit të ankthit në kujdesin parësor, të tilla si: GAD-7, Mini-SPIN, vlerësimi klinik bazik. Instrumentet e lartëpërmendura janë pyetësorë që ndihmojnë kujdesin parësor në identifikimin e çrregullimit të ankthit.

Pas identifikimit dhe vlerësimit fillestar, mjeku familjar ka rol kyç në psikoedukim: informimin e pacientit për natyrën e ankthit, mekanizmat e tij dhe opsionet e trajtimit. Vendimmarrja duhet të jetë e përbashkët, duke marrë parasysh ashpërsinë e simptomave, preferencat e pacientit dhe ndikimin në funksionim. Në rastet më të lehta, mund të rekomandohen ndërhyrje psikoterapeutike si terapia njohëse-sjellore. Në rastet më të rënda, sipas Combs dhe Markman (2014), menaxhimi është më efektiv kur realizohet përmes bashkëpunimit ndërprofesional me psikologë dhe psikiatër.

Udhëzimi i pacientit drejt psikoterapisë nuk është vetëm një referim formal, por një proces që kërkon sqarim, normalizim të përvojës dhe reduktim të stigmës. Mjeku familjar luan rol thelbësor në këtë hallkë, duke qenë ura ndërmjet simptomës fizike dhe trajtimit psikologjik të specializuar.

Autor: Merisa Islami

Referencat

Brahmbhatt, K., et al. (2022). Identifying and managing anxiety disorders in primary care. Nursing & Primary Care. https://doi.org/10.1016/j.nurpra.2020.10.01

Combs, H., & Markman, J. (2014). Anxiety disorders in primary care. Medical Clinics of North America, 98(5), 1007–1023. https://doi.org/10.1016/j.mcna.2014.06.003

Szuhany, K. L., & Simon, N. M. (2022). Anxiety disorders: A review. JAMA, 328(24), 2431–2445. https://doi.org/10.1001/jama.2022.2274

Komente:

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Artikuj të ngjashëm