Depresioni postpartum tek nënat: roli i traumës së lindjes

Procesi i lindjes është një periudhë e rëndësishme në jetën e një gruaje, por për disa gra ai mund të përjetohet si përvojë e vështirë ose traumatike. Studime tregojnë se rreth 18% e grave raportojnë lindje traumatike, të shoqëruara me trauma fizike ose psikologjike, ndjenjë të humbjes së kontrollit dhe trajtim jo të duhur nga stafi mjekësor (Ayers et al., 2019). Trauma e ndërlidhur me procesin e lindjes ndodh kur nëna e përjeton lindjen si një përvojë tronditëse ose kërcënuese për mirëqenien e saj fizike ose emocionale (Greenfield et al., 2016). Përvoja të tilla mund të vazhdojnë edhe pas lindjes dhe të ndikojnë në mirëqenien psikologjike të nënës.

Një nga pasojat më të rëndësishme të traumës së lindjes është rritja e rrezikut për depresion postpartum. Depresioni postpartum është një çrregullim i rëndësishëm i shëndetit mendor që mund të shfaqet pas lindjes dhe karakterizohet nga simptoma si ankthi, lodhja, ndjenja e mërzisë së vazhdueshme dhe vështirësia për t’u përshtatur me rolin e ri prindëror (Khamidullina et al., 2025). Përvojat negative gjatë lindjes mund të kontribuojnë në zhvillimin e këtyre simptomave duke rritur ndjenjat e frikës, pasigurisë dhe humbjes së kontrollit gjatë periudhës pas lindjes.

Strategjitë e rregullimit emocional luajnë rol të rëndësishëm në mënyrën se si gratë përballen me këto përvoja. Shmangia dhe përqendrimi i vazhdueshëm në mendime negative mund ta rrisin rrezikun për zhvillimin e depresionit postpartum, ndërsa mbështetja sociale, pranimi dhe zgjidhja aktive e problemeve veprojnë si faktorë mbrojtës që e ulin këtë rrezik (Verhelst et al., 2024). Nëse simptomat nuk identifikohen dhe trajtohen në fazat e hershme, depresioni postpartum mund të krijojë një mjedis të pafavorshëm si për nënën ashtu edhe për foshnjen (Slomain et al., 2019).

Traumat e lindjes dhe depresioni postpartum mund të ndikojnë gjithashtu në lidhjen e hershme mes nënës dhe foshnjes. Lidhja nënë-foshnje është një proces thelbësor që fillon në periudhën e hershme pas lindjes dhe ka rëndësi të madhe për zhvillimin emocional dhe social të fëmijës (Spinner, 1978). Studime të mëparshme kanë treguar se përvojat negative gjatë lindjes dhe problemet e shëndetit mendor pas lindjes lidhen me vështirësi në këtë proces të lidhjes (Eitenmüller et al., 2022). Në disa kontekste kulturore, si në Lindjen e Mesme, faktorë si historia e mëparshme e depresionit dhe niveli i mbështetjes sociale mund të kenë ndikim edhe më të madh në këtë lidhje sesa vetë depresioni postpartum (Badr, 2018).

Një faktor tjetër i rëndësishëm mbrojtës është mbështetja e partnerit. Studimet tregojnë se mbështetja emocionale dhe praktike nga partneri intim është veçanërisht e rëndësishme për mirëqenien psikologjike të grave gjatë periudhës pas lindjes (Reid & Taylor, 2015). Përfshirja e partnerit në kujdesin pas lindjes, për shembull përmes klasave edukative për prindër të rinj ose vizitave shtëpiake pas lindjes, mund të ndihmojë në reduktimin e ashpërsisë së traumës së lindjes dhe simptomave depresive (Li et al., 2025). Në të kundërt, mungesa e mbështetjes nga partneri lidhet me nivele më të larta të simptomave depresive dhe me humbjen e kënaqësisë në aktivitetet e përditshme (Nasrin et al., 2024; Yamada et al., 2020).

Në përfundim, literatura shkencore tregon se procesi i lindjes mund të përfaqësojë një përvojë potencialisht traumatike për disa gra dhe se këto përvoja lidhen ngushtë me zhvillimin e depresionit postpartum. Ky fenomen duhet të kuptohet si një proces kompleks biopsikosocial që ndikohet nga përvojat gjatë lindjes, strategjitë e përballimit dhe mbështetja sociale. Në këtë kontekst, mbështetja emocionale dhe praktike, veçanërisht ajo e partnerit luan rol të rëndësishëm në reduktimin e ndikimit të traumës dhe në përmirësimin e mirëqenies së nënës dhe fëmijës.

Autor: Ema Hoti

Lista e Referencave

Ayers, S., Crawley, R., Webb, R., Button, S., & Thorton, A. (2019). What are women stressed about after birth? Wiley Online Library.

Badr, L. (2018). Is the effect of postpartum depression on mother-infant bonding universal. Elsevier.

Eitenmüller, P., Köhler, S., Hirsch, O., & Christiansen, H. (2022). The Impact of Prepartum Depression and Birth Experience on Postpartum Mother-Infant Bonding: A Longitudinal Path Analysis. Frontiers Psychiatry .

Greenfield, M., Jomeen, J., Glover, L. (2016). What is a traumatic birth? A concept analysis and literature review. British Journal of Midwifery.

Khamidullina, Z., Marat, A., Muratbekova, S., Mustapayeva, N., Chingayeva, G., Sheptov, A., . . . Aimagambetova, G. (2025). Postpartum depression epidemiology, risk factors, diagnosis, and management: An appraisal of the current knowledge and future perspectives. Journal of Clinical Medicine.

Li, L., Xiao, L., Yuan, X., Wu, J., Li, J., Chen, X., . . . Wang, B. (2025). Partner involvement and emotional and informational support gaps as predictors of postpartum birth trauma symptoms: a multi-centre cross-sectional study of 230 women at 42 days postpartum. BMC Psychology.

Nasrin, T., Tauqeer, F., Bjorndal, L., Schneider, S., & Lupattelli, A. (2024). Partner support for women’s antidepressant treatment and it’s association with depressive symptoms in pregnant women, mothers, and women planning pregnancy. Archives of Women’s Mental Health.

Reid, K., & Taylor, M. (2015). Social support, stress, and maternal postpartum depression:. Elsevier.

Slomain, J., Honvo, G., Emonts, P., Reginster, J., & Bruyere, O. (2019). Consequences of maternal postpartum depression: A systematic review of maternal and infant outcomes. PubMed Central.

Spinner, M. (1978). Maternal-Infant Bonding. Canadian Family Physician .

Verhelst, P., Sels, L., Lemmens, G., & Verhofstadt, L. (2024). The role of emotion regulation in perinatal depression and anxiety: a systematic review. BMC Journals.

Yamada, A., Isumi, A., & Fujiwara, T. (2020). Association between lack of social support from partner or others and postpartum depression amongst Japanese mothers: A population-based cross-sectional study. International Journal of Environmental Research and Public Health.

Komente:

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Artikuj të ngjashëm