Pse mendojmë se autizmi nuk ka ekzistuar më parë?

Në diskutimet mbi shëndetin mendor, veçanërisht kur flitet për çrregullimin e spektrit të autizmit nga jo profesionistë, shpesh haset ideja se ky çrregullim është diçka “e re”. Sipas disa perceptimeve, autizmi shihet si një fenomen i kohëve të fundit. Në këtë kontekst, shpesh përmenden faktorë si vaksinat, ushqimi apo mënyra e rritjes së fëmijëve, edhe pse në realitet bëhet fjalë për një çrregullim zhvillimor që nuk lidhet me faj individual.

Në shumë familje, megjithatë, përmenden raste të të afërmve në brezat e mëparshëm që kanë pasur sjellje të ngjashme: një stërgjysh që nuk ka folur rrjedhshëm dhe ka ndjekur gjithmonë të njëjtën rutinë, një hallë që nuk është socializuar me të tjerët, apo një dajë që fliste për një temë të vetme për periudha shumë të gjata. Në kohën e tyre, këta individë nuk janë parë si persona me tipare të çrregullimit të spektrit të autizmit, por si njerëz me “karakter të veçantë” ose interesa të ndryshme. Kur sot përpiqemi t’i shpjegojmë këto si tipare të autizmit, shpesh hasim mosbesim. Kjo tregon se mungesa e diagnostikimit në të kaluarën nuk nënkupton mungesë të ekzistencës së çrregullimit, por mungesë të njohurive dhe kritereve diagnostike që kemi sot.

Sipas Golt dhe Kanner (2022), termi “autizëm” u përdor për herë të parë në vitin 1908 nga psikiatri zviceran Eugen Bleuler për të përshkruar tërheqjen sociale si simptomë të skizofrenisë. Kuptimi modern i çrregullimit të spektrit të autizmit si një gjendje e veçantë zhvillimore u formësua më vonë, në vitin 1943, kur psikiatri Leo Kanner përshkroi një grup fëmijësh me vështirësi në komunikimin social dhe sjellje përsëritëse.

Përshkrime të ngjashme janë vërejtur edhe më herët. Sipas Vicedo (2024), klinicistë si Grunya Sukhareva në vitet 1920 dhe më pas Leo Kanner identifikuan tipare si tërheqja sociale, vështirësitë në komunikim, interesat e kufizuara dhe sjelljet përsëritëse. Këto tipare përputhen në mënyrë të konsiderueshme me mënyrën se si kuptohet autizmi sot.

Sipas Hirota dhe King (2023), simptomat aktuale të çrregullimit të spektrit të autizmit përqendrohen në dy fusha kryesore. E para lidhet me vështirësitë në komunikim dhe ndërveprim social, si mungesa e përgjigjes kur thirret emri, përdorimi i kufizuar i gjesteve, vështirësitë në përdorimin e gjuhës dhe mungesa e lojës imagjinative. E dyta përfshin modele të kufizuara dhe përsëritëse të sjelljes ose interesave, si përsëritja e veprimeve apo përqendrimi intensiv në tema të caktuara. Këto simptoma përbëjnë bazën për diagnostikimin e autizmit sot.

Ideja se çrregullimi i spektrit të autizmit është një fenomen i ri bie në kundërshtim me të dhënat historike dhe shkencore. Edhe pse mënyra e përshkrimit ka ndryshuar me kalimin e kohës, tiparet kryesore kanë qenë të pranishme edhe më herët. Autizmi nuk është një pasojë e një faktori të vetëm dhe as një “problem i ri”, por një çrregullim zhvillimor që ka ekzistuar gjithmonë. Fakti që një person sillet ndryshe nga ajo që konsiderohet “tipike” nuk duhet të pengojë pranimin, kuptimin dhe përfshirjen e tij në shoqëri.

Autor: Ujeza Berisha

Referencat

Golt, J., & Kana, R. K. (2022). History of autism. In Elsevier eBooks (pp. 1-14). https://doi.org/10.1016/b978-0-12-816393-1.00002-6

Hirota, T., & King, B. H. (2023). Autism spectrum Disorder. JAMA, 329(2), 157. https://doi.org/10.1001/jama.2022.23661

Vicedo, M. (2024). Moving beyond the search for the first discoverer of autism. Frontiers in Psychiatry, 15, 1266486. https://doi.org/10.3389/fpsyt.2024.126648

Komente:

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Artikuj të ngjashëm