Kur njerëzit janë duke kaluar në një periudhë të vështirë, ata kërkojnë ngushëllim por edhe shpëtim në gjëra të ndryshme. Disa fillojnë të praktikojnë fenë, disa të tjerë mbështeten tek familja dhe shoqëria, disa bëhen hiper-produktiv në mënyrë që të mos thellohen edhe më tepër në problemet të cilat janë duke i përjetuar, dhe disa të tjërë përdorin alkool dhe substanca të ndryshme.
Të gjitha këto kanë bazë në faktorë të jashtëm, dhe ofrojnë zgjidhje të përkohshme. Asnjëra nuk është e gabuar por disa prej tyre janë më destruktive se tjetra. Këto shërbejne si paterica figurative, në të cilat ne mbështetemi dhe gënjejmë veten me shpresen se po i gënjejmë edhe të tjerët.
Iluzioni i forcës është një skele e krijuar nga shkopat e akullores dhe pështyma, skelet mund të duken si një ndërtesë deri kur të vijë presioni, kjo “forcë” nuk vjen nga brenda, por është mbështetje në gjëra të jashtme. Të qenurit i fortë është të jesh në gjendje të ballafaqohesh me realitetin pa shtrembërime, dhe jo të huazosh forcë nga jashtë.
Përgjatë rrugës së errët drejt dritës së vërtetë, shpesh gjej veten duke ndjekur ca drita të zbehta të cilat vijnë në forma të ndryshme. Ndoshta do e gjej dritën tek dikush tjeter?
Jo, nuk jam duke kërkuar “gjysmën time” dua të ndihem i plotë edhe vetëm.
Ndoshta do e gjej dritën në një tjetër qytet? Ndoshta në një tjetër shtet? Ndoshta edhe në një tjetër kontinent.
Jo, asgjë nuk i bën imazhit tënd nëse ti e thyen pasqyrën, ti mbetesh i njejti, largimi nuk sjell ndryshim sado që ti dëshiron që kjo të jetë e vërtetë.
Epo ndoshta do e gjej dritën në fe, në një sistem tjetër besimesh, në një version tjetër të vetes?
Ndoshta edhe do e gjesh, ti po vrapon për ta ndjekur dritën, por a nuk jemi duke e ndjekur dritën të gjithe? Duke e kërkuar atë gjithkund, gjithkund përpos brenda vetes.
Ka kaluar ca kohe nga hera e fundit, po tani a e gjete dritën?
Jo, dritën nuk e gjeta, rruga është e gjatë dhe e lodhshme, mendoj se njëra nga ato dritat e zbehta do të jetë e mjaftueshme për mua. Tani që e mendoj, kjo drita që kam zgjedhur është më e ndritshme se vetë dielli.
Edhe sa herë do ta gjej veten me kokë poshtë duke vjellur dhe duke i bërë vetës premtime të cilat nuk do ti mbaj “Kjo është hera e fundit që e bëj këtë gjë”, duke e ditur fort mirë se do e përsëris më shpejtë sesa dua.
“Edhe një gllënkë” shëndërrohet në “edhe një gotë”, “edhe një gotë” shëndërrohet në “edhe një shishe”, nëse mëlçia ime do mund të fliste ajo do t’më shante sa herë i afrohem pijeve alkoolike në market.
Është vetëm një gjilpërë që më zgjëron venat, është vetëm një thikë në mes të brinjëve që ma gërvisht zemrën, është vetëm një tytë e mbështetur në qiellzën time, është vetëm një litar qe ma mbështjell fytin si shallë.
Kjo është drita jote? Ti mendon se duke shkatërruar veten e ke gjetur dritën?
Jo, por jam lodhur duke kërkuar mbështetje nga jashtë, jam lodhur duke jetuar në vegime, jam lodhur duke gënjyer veten se çdo gjë do të bëhet mirë. Ky shkatërrim i vetes mbi të cilin kam kontroll të plotë, kjo është drita ime, kjo më bën të ndihem i fuqishëm.
Si mund të jesh i fuqishëm nëse je duke dobësuar veten? Ti ishe në kërkim të dritës dhe tani ke rënë poshtë humnerës. Ngado që ti hedh sytë ka vetëm errësirë.
Jam i fuqishëm dhe ndihem i fuqishëm sepse po e bëj me vullnetin tim, sepse ndihem nën kontroll, sepse jam zot i vetvetes.
Ti mendon se të jesh i fortë është të jesh nën kontroll?
Pikërisht, jam mësuar qe të mos jem nën kontroll, jam mësuar me përjetime të pakëndshme, jam mësuar që gjithnjë të kem probleme, jam mësuar që të mos mund të fle si pasojë e mendimeve që gumëzhijne në kokën time si një koshere bletësh, jam mësuar që gjithnjë dikush tjetër të marrë vendime për mua, sot kjo merr fund tani jam nën kontroll të gjithçkaje.
Kontrolli yt i atribuohet diçkaje te jashtme, kjo forca jote vjen nga shishja e pilulat, a je me të vërtetë nën kontroll, apo po të kontrollojnë ato ty? Përpos asaj unë nuk po e kuptoj se si ky shkatërrim i vetës të bën të fortë.
Ndoshta nuk më bën të fortë, por më bën të ndihem si i tillë.
Forca nuk është kontrolli, forca nuk është shkatërrimi të cilin e bën vullnetarisht, forca nuk vjen nga jashtë, forca është të zgjedhësh të përballesh. Të jesh i fortë është të pranosh gabimet dhe mangësitë e tua, të jesh i fortë është të kërkosh ndihmë e të mos e shohësh si dobësi, të jesh i fortë është të pranosh se nuk mund të kontrollosh gjithçka, kjo është forca e vërtetë.
Po drita të cilën e ndiqja?
Ti duhet të ndalosh së vrapuari drejt dritave të zbehta dhe të rrish në errësirë deri sa sytë e tu të mësohen me të. Sepse drita nuk është diçka që ndiqet, ajo është diçka që ndërtohet. Ndoshta sot nuk do e shohësh dritën, e ndoshta as nesër, por sot mundesh që të fërkosh dy shkopinjë që të krijosh ca shkëndija të vogla. Ato shkëndija do të bëhen flakë, e dikur do të bëhet zjarr. I cili ka për ta larguar errësirën.
Autor: Lekë Jakupi

