Perfeksionizmi si Barrë e Padukshme

Çka është vërtet perfeksionizmi?
Perfeksionizmi shpesh perceptohet si një cilësi pozitive, por studimet bashkëkohore e identifikojnë si një faktor rreziku për shëndetin mendor kur merr forma maladaptive (Hewitt & Flett, 1991). Ky fenomen manifestohet përmes një tendence të tepruar për të arritur standarde të parëndësishme të larta, duke çuar në ankth dhe ulje të produktivitetit. Perfeksionizmi ynë i përditshëm është si një shok i padukshëm në shpinë – na ndihmon të bëjmë mirë, por shpesh na ndalon të jetojmë plotësisht.

Perfeksionizmin e karakterizon një spektër nga ai adaptiv, që lidhet me performancë të lartë, te ai maladaptiv, i shoqëruar me shqetësime psikologjike. Hewitt dhe Flett (1991) e konceptualizojnë përmes tre dimensioneve: perfeksionizëm i vetvetes (standardet personale të larta), perfeksionizëm social (pritshmëritë e të tjerëve), dhe perfeksionizëm i orientuar te të tjerët.

Në formën e tij maladaptive, perfeksionizmi lidhet me ankth, vetëkritikë të vazhdueshme dhe një ndjenjë të vazhdueshme se asgjë nuk është mjaftueshëm mirë. Një meta-analizë në Journal of Personality nga Stoeber (2020) analizoi 40 studime dhe gjeti se perfeksionizmi maladaptiv rrit rrezikun e problemeve mendore me 51%.

Si manifestohet?
Në jetën e përditshme, perfeksionizmi shpesh fshihet pas “pak më mirë”: pak më shumë rregullim në shtëpi, pak më shumë studim para provimit, pak më shumë orë në zyrë.

Por çfarë fshihet pas saj?
Shpesh fillon herët: prindërit që thonë “Bëje mirë ose mos e bëj fare”, ose shkolla ku notat e larta janë gjithçka. Psikologia Brené Brown, në librin e saj The Gifts of Imperfection (2010), e quan “hustling for worthiness” – përpjekje të vazhdueshme për të merituar dashurinë. Në trurin tonë, aktivizohet amigdala (qendra e frikës), duke krijuar një cikël që fillon tek frika nga dështimi, puna e tepërt, lodhja, e deri te vetëkritika.

Në kontekstin tonë ballkanik, shto presione sociale: “Çfarë do të thotë bota nëse nuk je i pari?” Studimet e Gallup (2023) tregojnë se perfeksionizmi është më i lartë në vendet në zhvillim, ku suksesi shihet si mbijetesë. Kjo kulturë ku familja, komuniteti dhe reputacioni duhen mbrojtur me çdo kusht e bën perfeksionizmin jo thjesht një tipar personal, por një mburojë sociale. Presioni kolektiv transformon “mjaftueshëm” në dështim të pranueshëm dhe “perfekt” në detyrim të pashmangshëm, duke e thelluar ciklin e vetëkritikës dhe ankthit.

Kjo duket konkretisht kështu në jetën tonë: një student që kalon tre net duke rishikuar një paragraf për një presje të vogël, një nënë që rregullon tortën e ditëlindjes 15 herë dhe harron festën, ose një punëtor që refuzon promovim sepse “nuk është ende gati”. Psikologët e quajnë “paralizë perfeksioniste” – kur “mjaftueshëm mirë” kthehet në “kurrë” (Stoeber, 2020). Rezultati i kësaj nuk është vetëm lodhja, por pengesa për të arritur rezultate reale.

Por si ta thyejmë këtë cikël?
Fatkeqësisht, zgjidhja është më e thjeshtë se sa duket. Rregulli 80/20 thotë: nëse je 80% i kënaqur me një punë, lëshoje, sepse 80% e rezultateve vijnë nga 20% e përpjekjeve (Koch, 2011). Vendos limite kohore: 30 minuta për një email, jo tre orë rishikim. Shëno çdo mbrëmje tre gjëra të vogla që bëre mirë – kjo rrit dopaminën dhe ul vetëkritikën (Ben-Shahar, 2007). Nuk bëhet fjalë për lëvizshmëri, por për zgjuarsi: “përfunduar është më mirë se perfekte” (Clear, 2018).

Rezultati prekës?
Më shumë kohë për jetë reale, si kafe me miq, shëtitje në park, gjumë pa presion. Njerëzit që praktikojnë “mjaftueshëm mirë ” janë 42% më produktivë (Lombardo, 2019). I njëjti student që kaloi tre net për një paragraf, me rregullin 80/20 dorëzoi tezën një muaj më herët dhe fitoi bursë. Një nënë që rregulloi tortën 15 herë? Tani feston me familjen sepse vendosi një limit 30-minutësh për përgatitje. Punëtori që refuzoi promovimin? Pas “time-boxing” aplikoi dhe tani drejton ekipin. Perfeksionizmi premton gjithçka, dhe jep pak. “mjaftueshëm mirë ” jep rezultate të vazhdueshme. Dhe ashtu siç sugjeron libri Atomic Habits i James Clear: “Mos syno perfeksion, syno konsistencë“.

Përfundime
Perfeksionizmi është si një mik i vjetër që na do të mirën, por na mban të lidhur me të kaluarën – duke na penguar të shohim bukurinë e të “mjaftueshmes”. Duket si aleat i suksesit, por shpesh kthehet në pengesën më të madhe – një shok i padukshëm që rëndon jetën e përditshme. Nga standardet e larta personale tek presioni social, ai krijon një cikël vicioz. Ne nuk jemi makina; jemi njerëz, dhe imperfeksioni ynë është pikërisht ajo që na bën unikë. Ti nuk je i detyruar të jesh perfekt, je i detyruar të jesh i mjaftueshëm për të jetuar plotësisht.

Autor: Klea Vezaj

Referenca
Ben-Shahar, T. (2007). Happier: Learn the secrets to daily joy. McGraw-Hill.
Brown, B. (2010). The gifts of imperfection: Let go of who you think you’re supposed to be. Hazelden.
Clear, J. (2018). Atomic habits: An easy & proven way to build good habits. Avery.
Gallup. (2023). State of the global workplace report 2023. Gallup Press.
Hewitt, P. L., & Flett, G. L. (1991). Perfectionism in the self and social contexts: Conceptualization, assessment, and association with psychopathology. Journal of Personality and Social Psychology, 60(3), 456–470. https://doi.org/10.1037/0022 3514.60.3.456
Koch, R. (2011). The 80/20 principle: The secret to achieving more with less (3rd ed.). Nicholas Brealey Publishing.
Lombardo, E. (2019). Better than perfect: 7 strategies to crush your inner critic. New Harbinger Publications.
Stoeber, J. (2020). The psychology of perfectionism: Critical issues, developments, and future directions. Journal of Personality, 88(4), 765–780. https://doi.org/10.1111/jopy.1252

Komente:

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Artikuj të ngjashëm

Iluzioni i Forcës

Kur njerëzit janë duke kaluar në një periudhë të vështirë, ata kërkojnë ngushëllim por edhe shpëtim në gjëra të ndryshme. Disa fillojnë të praktikojnë fenë,

Lexo më shumë »