Hana dhe Tableta e Saj e Tensionit të Lartë

Gjithcka nisi në një kuzhinë të bardhë e metalike, të një restorani te vogël, në një fshat turistik të
Kosovës. Nëna e një shoqes time që mund ta quajmë Hana, po krynte punën e saj të zakonshme
ditore dhe në një moment pushimi, pa klientë dhe punë të pakryera – i kujtohet se kishte harruar
ta marr tabletën e tensionit të lartë të gjakut dhe nuk mban mend se kur e kishte pirë së fundmi,
ndoshta po aq ditë sa ishin bërë që kur kishte filluar punën. Pas një kohe të gjatë –po aq sa kishte
jetuar mbi tokë, për herë të pare, Hana punësohet jashtë shtëpisë- fillon punën si kuzhiniere.
Fatmirësisht tensioni i lartë i gjakut nuk përbën pengesë në aftësitë e saj për të punuar–
normalisht nëse mbahet nën kontroll, por si mund të mbahet nën kontroll ky problem “kronik”
nëse harron ta pish tabletën dhe më e cuditshmja; përse nuk ndodhë asgjë mandej: nuk dhemb
koka, nuk rrahë zemra shpejt dhe parregullt, nuk skuqet fytyra e nuk mirren mendt’?!. Në atë
mbrëmje të asaj dite “iluminuese” shoqja ime e pyet nënën e vet me një dozë shakaje nëse
kuzhina e restaurantit e kishte shëruar përfundimisht nga sëmundja. Në fakt kjo kishte ndodhur
vërtetë; Hana kishe gjetur ilaqin e tensionit të lartë, mes grumbullit të enëve, ushqimeve, zërave
të lartë të kolegeve kuzhiniere e kërkesave urgjente të kamarierëve të tensionuar nga porositë e
shumta të klientëve.
Vite më vonë kisha regjistruar studimet në shkencën e psikologjisë dhe zgjidhja më e veshtirë që
mezi e kisha arritur por në fund me doli e duhura dhe më përmbushësja ishte tema e diplomes
dhe po – ju hamendësoni saktë; hulumtimin do ta nisja nga Hana dhe tableta e saj e gjakut. Nuk i
kisha vëzhguar me kujdes deri atëherë jetërat e grave amvise sado që në përditëshmërinë time i
njihja mirë, jetoja me to, e i takoja me patjeter. Psikologjia më bëri të hipotetizoj se gratë amvise
në viset rurale, në masë të konsiderueshme përjetojnë ankth të gjeneralizuar në rast se nuk u
plotësohet nevoja për socializim. Ankthi i gjeneralizuar (Generalized Anxiety Disorder) shfaqet
me intensiteti të lartë dhe simptomat përjetohen cdo ditë; shqetësim konstant për të ardhmen,
ndjenja se gjëra të këqija do të ndodhin, përsëritje e mendimeve e emocioneve negative e lodhje
psikike e fizike. Njeriut i vie nga brenda, vetvetiu – nevoja për të shkëmbyer me njeriun tjetër,
vëmendje, mendime, emocione e ndjenja. Për të bashkëvepruar rrjedhimisht për të shtyrë përpara
qëllimet individuale e kolektive dhe këto qëllime para së gjithash janë qëllime arkaike-mbijetese,
të brendësuara thellë në ne. Në kohën tonë moderne, asgjë nuk ka ndryshuar dhe shumë mirë që
ende na nevojiten njerëzit e tjerë.
Rezultatet e intervistimit të një mostre mirë-përfaqësuese të grave amvise të zonave rurale, na
vërtetuan po këtë. Shumica dërrmuese e grave qe raportuan ankth të gjeneralizuar në nivele te
larta, poashtu raportuan edhe izolim social – mungesë së një angazhimi të përditshëm jashtë
shtëpisë, profesion – punë profesionale dhe kohë të përbashkët me njerëz të tjerë jashtëfamiljar;
sa me i lartë niveli i izolimit social po aq i lartë përjetimi i ankthit të gjeneralizuar. Kur je ne
proces të hulumtimit të një teme shkencore, në rastin tim – dimension psikologjik, medeomos
ndihesh i lumtur kur hipoteza të vërtetohet bindshëm por unë në fakt për herë të parë u ndjeva në
ankth nga rezultatet e punës time. Sipas të dhënave të Entit te Statistikave të Kosovës 44,1% e
grave joaktive në Kosovë janë të regjistruara në kategorinë statistikore si amvise dhe shumica e
kësaj përqindje jeton në zonat rurale. Nese ky hulumtim do të bëhej me një mostër shumëfish me
të madhe sesa te dhënat e mia modeste – duke marre të dhëna nga gjithë vendi, rezultati besoj se
do të dalë anksioz për faktin se një grup i madh i popullsisë rrezikohet nga një crregullim i rëndë
psikologjik, me pasoja të shumëfishta nga një shkaktar si izolimi social që fatkeqësisht thuajse
pranohet në heshtje si realitet i nënkuptueshëm social. Nga dinamikat tona sociale, ekonomike e
kulturore e pranojmë faktin se edhe ndikues të tjerë mund të prekin këtë lidhje shkak –pasojë
mes izolimit social e ankthit te gjeneralizuar, prandaj kemi matur edhe perceptueshmërinë
ekonomike si faktor i mundshëm në rastin konkret. Ne hipotetizuam se një mirëqenie ekonomike
mund të zbusë efektet e izolimit social në ankthin e gjeneralizuar pra nëse një grua amvise qe
banon ne zonat rurale te Kosovës, e cila gëzon të ardhura të mjaftueshme ekonomike – nuk do të
ndihet në ankth pse nuk ka një punë jashtë-shtëpiake e as interaktivitet social. Kjo hipotezë ra
poshtë dhe prapë më solli ankth sepse implikimi është ende më i thellë. Mirëqenia ekonomike
nuk e zbuste ndikimin e izolimit social në shfaqjen e ankthit te gjeneralizuar. Pra sado që gratë
amvise të zonave rurale munden të jenë të sigurta ekonomikisht, kjo nuk i bënë të mbrojtura
kundrejt c’rregullimit të ankthit të gjeneralizuar – si pasojë e izolimit social.
Ky hulumtim mund të shërbejë si dëshmi, për individë, organizata ose institucione që merren me
studimin ose trajtimin e gjendjes psiko-sociale të amviseve- nëse ka të tillë në Kosovë.
Fatkeqësisht, nuk ka të dhëna të përafërta ose të sakta të statusit psiko-social të amviseve të
zonave rurale dhe kjo kategori është jetike për nga roli në shoqërinë tonë. Rezultati na tregoi se
kjo lidhje e fuqishme izolim social – ankth i gjeneralizuar, në fakt është faktor rreziku afatgjatë
që kategoria e amvisve që jetojnë në zona rurale janë pre dhe mund të bien pre.
Një analizë dhe krahasim i nevojshëm është edhe hulumtimi grave amvise në zonat urbane.
Kontekstet sociale, pavarësisht se mund të ngjasojnë, në një shoqëri të vogël demografikisht dhe
gjeografikisht si kjo e jona, prapë dallimet qytet – fshat janë evidente. Dendësia e rrjeteve
sociale, afërsia me to, banimi në hapësira kolektive, mund të ndryshojnë perceptimin e izolimit
social rrjedhimisht nivelet e ankthit të gjeneralizuar tek amviset e zonave urbane dhe
perceptueshmëria ekonomike mund të derivojë ndryshe në rezultate, edhe pse të gjeturat tona na
treguan se më e rëndësishme se perceptimi ekonomik, lidhja sociale ishte më e
rëndësishme/ndikuese në përjetimin e ankthit të gjeneralizuar.
Nivelet e ankthit të gjeneralizuar janë shqetësuese nëse izolimi social ka këtë rol si ndikues dhe
parashikues, prandaj duhet gjetur mënyra se si të krijohen mundësi që gratë amvise të rrjetëzohen
në shoqëri. Duhet gjetur mënyra se si të ndihmohen amviset të përballojnë pasojat e izolimit
social, nëse veq nuk krijohen mundësitë për socializim- duke marrë parasysh rrethanat e
shoqërisë tonë. Ky hulumtim duhet të shërbejë si alarm, në vazhdën e përballjes me probleme
kruciale – për psikologët, profesionistët e fushës dhe njerëzit e institucioneve.
Hana kishte harruar se tensioni i lartë i gjakut i shkaktonte telashe cdo ditë nëse nuk do e
trajtonte me barna dhe në fakt nuk e kishte traejtuar me ditë të tëra dhe tensioni thuajse ishte
heshtur fare. Hana kishte parë veten se brenda mureve të shtëpisë po i ikte jeta ngadalë, pa e
përjetuar ndjenjën e afërsisë me njerëzit e shumtë të botës, pa u ndjerë e aftë dhe e pavarur.
Prandaj kishte lënë “1001” problemet pas dhe ishte punësuar. Ndihet e lumtur dhe e përmbushur
dhe tensioni i lartë i gjakut e mundon pak por jo si në kohën kur e tërë jeta saj sillej në ata pak
metra katror të oborrit dhe shtëpisë së saj. Le të flasim pak edhe për shumë Hana të tjera!

Autor: Majlind Sama

Komente:

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Artikuj të ngjashëm

Iluzioni i Forcës

Kur njerëzit janë duke kaluar në një periudhë të vështirë, ata kërkojnë ngushëllim por edhe shpëtim në gjëra të ndryshme. Disa fillojnë të praktikojnë fenë,

Lexo më shumë »