Shpesh e gjejmë veten të pakënaqur në punë, të frustruar nga mungesa e kuptimit në atë që bëjmë. Kjo pakënaqësi mund të jetë rrjedhojë e një mospërputhjeje më të thellë midis qëllimeve tona personale dhe punës në të cilën angazhohemi çdo ditë. Kur nuk mundemi të identifikohemi me atë që punojmë, puna fillon të krijojë një shkëputje nga ajo që jemi. Ajo reduktohet në “thjesht diçka që duhet bërë” për mbijetesë, ndërsa dita kalon pothuajse mekanikisht, duke pritur momentin kur mund të kthehemi në shtëpi dhe të ndihemi më në fund rehat.
Ajo që shpesh nënvlerësojmë është se sa shumë pjesë e jetës sonë kalohet në punë; të rrethuar nga njerëz, vlera, pritje dhe sisteme që ndonjëherë ndryshojnë nga tonat. Meqenëse puna zë një pjesë kaq të madhe të kohës sonë, ajo në mënyrë të pashmangshme ndikon dhe e formëson identitetin tonë më shumë sesa shpesh e perceptojmë.
Kjo dinamikë mund të kuptohet përmes teorisë së konceptit për veten dhe kongruencës të zhvilluar nga psikologu amerikan Carl Rogers. Sipas tij, identiteti përbëhet nga tre elemente të ndërlidhura. I pari është koncepti për veten, që i referohet mënyrës se si e shohim dhe e vlerësojmë veten. Deklarata si “Unë jam kreativ” ose “Unë jam ambicioz” pasqyrojnë karakteristikat dhe vlerat që aktualisht i lidhim me identitetin tonë.
Elementi i dytë është vetja ideale, pra personi që dëshirojmë të bëhemi. Ajo përfaqëson aspiratat, qëllimet dhe standardet tona personale. Për shembull, dikush që e sheh veten si kreativ mund të aspirojë të bëhet artist i njohur ose të ketë ndikim domethënës në komunitet përmes punës së tij.
Elementi i tretë lidhet me përvojat tona reale të jetës, pra me atë që bëjmë çdo ditë. Kur përvojat tona, përfshirë punën janë në përputhje me mënyrën si e shohim veten dhe me atë që duam të bëhemi, krijohet ajo që Rogers e quajti kongruencë. Në këtë gjendje, puna mund të ndihet si një shprehje e identitetit tonë, jo vetëm si një detyrë për t’u kryer.
Në të kundërt, mospërputhja ndodh kur përvojat tona të përditshme bien ndesh me identitetin dhe aspiratat tona. Për shembull, nëse dikush e sheh veten si person që gjen kuptim në shkrimin krijues dhe poezinë, por kalon ditët duke programuar algoritme, me kalimin e kohës mund të krijohet një shkëputje psikologjike. Kjo mospërputhje mund të shfaqet si mpirje emocionale, frustrim, acarim dhe ulje e vetëvlerësimit.
Në këto raste, puna nuk e përforcon identitetin tonë, por fillon ta sfidojë atë. Meqenëse puna zë një pjesë të madhe të jetës sonë, ajo mund të ndikojë drejtpërdrejt në mënyrën se si e përjetojmë vetveten. Kur lind ky konflikt midis punës dhe identitetit, një hap i parë i rëndësishëm është reflektimi personal. Një pyetje e thjeshtë mund të jetë:
Kush jam unë në punë dhe kush dua të jem jashtë saj?
Një mënyrë e arritshme për të reduktuar këtë mospërputhje është të krijojmë hapësirë për aktivitete që na lidhin përsëri me interesat dhe vlerat tona personale. Këto momente mund të ndihmojnë në krijimin e një tranzicioni më të butë midis vetes sonë në punë dhe vetes sonë jashtë saj, duke na rikujtuar aspektet e identitetit që shpesh mbeten në hije gjatë ditës së punës. Vetëm pas këtij reflektimi mund të fillojmë të mendojmë më qartë për ndryshime më të mëdha, si riorientimi profesional drejt diçkaje që përputhet më mirë me atë që jemi dhe me atë që duam të bëhemi.
Autor: Poema Bishtazhini

