Hulumtim me mostër në Kosovë

Vullnetarizmi ose puna vullnetare, konsiderohet si një aktivitet altruist kur një individ apo grup ofron shërbime jo për përfitime financiare apo sociale “për një tjetër person, grup ose organizatë” (Wilson, 2000). Në Kosovë hulumtimet edhe analizat në fushën e vullnetarizmit, priren të jenë të drejtuara në aspektin e promovimit të demokracisë, qytetarisë aktive dhe përgjegjësisë qytetare. Ky është vetëm një aspekt i të gjykuarit vullnetarizmin si një faktor pozitiv që kontribuon në shoqëri, pasi që vullnetarizmi ndihmon edhe më shumë se kaq. Të dhënat e nxjerra në hulumtimin (Musick & Wilson, 2003) treguan që përvoja e punës vullnetare përmirëson qasjen në burimet sociale dhe psikologjike, të cilat njihen se luftojnë gjendjet negative si depresioni dhe ankthi. Pra, puna vullnetare kontribuon edhe në mirëqenien psikologjike.

Për këtë arsye autorët e këtij hulumtimi synuan që të adresojnë mungesën e ndjeshme të të dhënave në këtë drejtim në shtetin tonë, dhe të identifikojnë ndjenjat, arsyet dhe vetëvlerësimin që adoleshentët përjetojnë gjatë punës vullnetare, identifikojnë ndjenjat, arsyet dhe vetëvlerësimin e atyre të cilët nuk kanë qenë të angazhuar në punë vullnetare kundrejt vullnetarizmit dhe të pasqyrojnë qëndrimet e adoleshentëve në raport me vullnetarizmin.

Pjesë e këtij hulumtimi ishte një mostër e qëllimshme prej 257 adoleshentëve nxënës të shkollave fillore dhe të mesme, nga klasa e shtatë (7) deri në klasën e dymbëdhjetë (12) të Republikës së Kosovës, të cilët janë arritur duke shpërndarë pyetësorin online, përkatësisht në rrjete sociale. Mosha mesatare e pjesëmarrësve të këtij hulumtimi ishte 15.2. Prej këtyre 64.6% vajza. Pjesa më e madhe e pjesëmarësve (77%) konsiderojnë se jetojnë në kushte mesatare ekonomike. Instrumenti i përdorur për mbledhjen e të dhënave është pyetësori që është krijuar nga ekspertë të angazhuar në Qendrën për Hulumtime Psiko-Sociale dhe Mjekësore. Ky instrument mat qëndrimet, ndjenjat dhe vetëvlerësimin e adoleshentëve  kundrejt vullnetarizmit.

Rezultatet e këtij hulumtimi tregojnë që 59.9% e adoleshentëve nuk kanë qenë të angazhuar asnjëherë në aktivitete vullnetare. Ndërkaq, 40.1% deklarojnë se kanë qenë të angazhuar, të paktën një herë në jetën e tyre në një aktivitet vullnetarë.

Një aspekt tjetër i rëndësishëm i hulumtimit ka përfshirë identifikimin e numrit të adoleshentëve që janë aktivë në fushën e vullnetarizmit. Nga rezultatet mund të kuptohet që vetëm 18.9% e adoleshentëve të anketuar vazhdojnë të jenë të kyçur në aktivitete vullnetare. Megjithatë, për pjesën më të madhe të pjesëmarrësve, puna vullnetare ka qenë një aktivitet i përkohshëm dhe ka ndodhur vetëm një herë jetën e tyre.

Në mesin e atyre që janë angazhuar në punë vullnetare, dominon opinioni pozitiv për përvojën që kanë përjetuar. Janë 86% që pajtohen me pohimin “Unë mendoj që puna vullnetare është diçka për të cilën i’a vlen të shpenzohet kohë’’. Vetëm një përqindje e vogël prej 4.4% nuk pajtohen që puna vullnetare është një aktivitet që i’a vlen.

Arsyeja kryesore që i shtyn adoleshentët të angazhohen në punë vullnetare, është ndjenja e mirë që sjell një aktivitet i tillë (46.6%). Socializimi është një nga arsyet tjera pse adoleshentët pëlqejnë të angazhohen në punë vullnetare. Ndërkaq, për 5.3% të adoleshentëve arsyeja kryesore është certifikata që mund të marrin në këmbim. Megjithatë, siç e tregojnë edhe rezultatet e këtij hulumtimi, për çdo të katërtin adoleshent, ndjenja e mirë, socializimi dhe certifikatat, janë arsye që i shtyjnë ata të përfshihen në punë vullnetare. Edhe për gjysmën e adoleshentëve të cilët nuk ishin përfshirë asnjëherë në punë vullnetare, arsyje kryesore se pse do të kyçeshin në punë vullnetare, do të ishte ndjenja e mirë që të falë një aktivitet i tillë. 

Me gjithë numrin e vogël të atyre që janë të angazhuar në punë vullnetare, numri i atyre që do të dëshironin të angazhoheshin në këtë drejtim është shumë i madh. Mbi 80% e adoleshentëve, pranojnë që do të ishin të lumtur që të bashkangjiteshin për çfarëdo aktiviteti për punë vullnetare në komunitet dhe vetëm një përqindje e vogël prej 6.6% nuk do ta bënin një gjë të tillë.

Nga rezultatet e mësipërme, autorët e studimit nxjerrin disa rekomandime relevante:

  • Përkrahjen e iniciativave ekzistuese dhe dizajnimin e intervenimeve të reja që promovojnë punën vullnetare, 
  • Promovimin e debatit formal dhe jo-formal mbi vullnetarizmin, duke përfshirë ligjëratat e mësimdhënësve dhe takimet jo-formale.
  • Promovimin e aktiviteteve të ndryshme ekstra-kurrikulare, që kanë në vete edhe elementin e punës vullnetare, duke potencuar ndikimin pozitiv në rritjen e vetëvlerësimit dhe lumturisë;  
  • Koordinimin më të mirë të organizatave jo-qeveritare që promovojnë punën vullnetare.

Autorë të hulumtimit:

Dardana Fetahu, Genc Hasanaj, Granit Haliti, Jerina Deda, Diadora Cërmjani & Fitim Uka 

Përgatiti: Vesa Hoxha

Referencat:

Musick, M. A., & Wilson, J. (2003). Volunteering and depression: the role of psychological and social resources in different age groups. Social Science & Medicine, 56(2), 259–269.

Wilson, J. (2000). Volunteering. Annual Review of Sociology, 26, 215-240.