Nisur nga fakti se të qenurit në burg paraqet një periudhë kohore të vështirë, vetëlëndimi ndodhë kur individi lëndon veten për qëllime të caktuara dhe konsiderohet si proces i zakonshëm në burgje. Të burgosurit shpeshherë e dëmtojnë veten sepse e kanë të vështirë të përballojnë gjendjen e tyre emocionale ose nuk mund të ndajnë me të tjerët se si ndihen. Vetëvrasjet, vetëlëndimet apo tentim vetëvrasjet janë shenjë që diçka është duke shkuar keq apo gabimisht dhe nuk janë gjithmonë predikues të ndonjë çrregullimi mendor. Ka shumë mënyra që të burgosurit shfrytëzojnë të vetëdëmtohen ku ndër to janë: prerja, djegia, përvëlimi me ujë të nxehtë, banging ose kruarja e shumtë e trupit, thyerja e eshtrave, shkulja e qimeve, shpimi apo prerja me objekte të mprehta në trup, konsumimi i gjërave helmuese, provokimi i burgosurve tjerë që ta sulmojnë dhe mos lejimi që plagët të shërohen. Vetëlëndimi mund të përfshijë gjithashtu marrjen e drogës, hapave ose pijen e tepruar të alkoolit për të dëmtuar veten. Kjo është ndryshe nga pirja apo marrja e drogës për kënaqësi ngase mbidozimi i drogës, barnave ose alkoolit mund të ketë një efekt serioz në shëndetin e tyre (NJSHB Dubravë, 2018).

Në anën tjetër vetëvrasja dhe mendimet vetëvrasëse janë më të ndryshme. Njerëzit që mendojnë të vetëvriten duan të marrin jetën e tyre ndërsa ata që vetëlëndohen jo gjithmonë kanë për qëllim vdekjen apo përfundimin e jetës edhe pse shpeshherë vetëlëndimet konsiderohen si tentim vetëvrasje. Në një raport të bërë gjatë vitit 2014 u zbulua se 7.3 për qind e njerëzve të anketuar ishin vetëdëmtuar pa qëllim vetëvrasje gjatë jetës së tyre (Rethink Mental Illness, 2014).

Sipas nenit 9 të procedurave të funksionimit të shërbimit shëndetësor në burgje paraprinë që Departamenti Shëndetësor i Burgjeve (DSHB) përmes njësive shëndetësore të burgjeve në po këtë institucion kryen punë të cilat lidhen në raport me tipin dhe me mënyrën e funksionimit të institucioneve korrektuese dhe regjimit e statusit juridik të të burgosurit.

Bazuar në UA 05/2014 protokollin për procedura të funksionimit të shërbimit shëndetësor në burgje shërbimet shëndetësore bazuar në procedurat e burgut janë: vizita e parë mjekësore dhe hapja e dosjes, vizitat e rregullta, vizitat sistematike, vizitat specialistike, vizitat e kërkuara, vizita në izolim (vetmi), vizita e të burgosurve që refuzojnë ushqimin, vizitat e të burgosurve që refuzojnë trajtimin shëndetësor, vizita mjekësore suplementare dhe vizita e fundit mjekësore e të burgosurve në burg.

Indikatorët specifikë që përcillen në burgje janë: vetëlëndimet, lëndimet trupore, abuzimet seksuale, protokoli i grevës së urisë, menaxhimi i rasteve me rrezik për vetëvrasje dhe vdekjet në burg. Të gjitha këto shërbime duhen të rregullohen me protokoll të veçantë dhe shërbimet mjekësore për të burgosur sigurohen gjatë gjithë kohës së qëndrimit në burg. Drejtoria e burgjeve, pra Ministria e Drejtësisë siguron kushtet dhe hapësirën për mbrojtje shëndetësore sipas standardeve të vendit, ndërsa personelin, pajisjet dhe barërat me produkte medicinale për mbrojtjen e shëndetit të të burgosurve i siguron Departamenti Shëndetësor i Burgjeve, Ministria e Shëndetsisë (Health Care Service of Prison EU, 2014).

Hulumtimet në psikologji që kanë të bëjnë me teorinë e vetëlëndimit shpesh bëjnë ndërlidhje mes faktorëve të tillë si: zhvillimi intelektual, vështirësitë, disfunksionet emocionale dhe keqadaptimi fizik dhe sjellor (Thomas et al., 2006 :193). Në të kundërt, sociologët tentojnë të lidhin vetëlëndimin në një sërë kontekstesh socio-kulturore (Adler &Adler, 2011; Adler & Adler, 2007). Në llogarinë shoqërore, vetëlëndimi shpjegohet si një mekanizëm përballues për t’u marrë me një mjedis të dëmshëm ose stresues (Kilty 2006; Liebling 1995). Shpjegime të tilla kanë tendencë të luhaten midis konceptualizimit të vetëlëndimit dhe një llogarie e rrethanave mbështetëse që lidhen me të. Arlie Hochschild ka konceptuar vetëlëndimin si ‘punë emocionale’ (1983 [2003]). Sipas Hochschild (1983), menaxhimi i ndjenjave shfaqet dhe vërehet në trup, i kryer në një ‘kontekst privat’ dhe ka vlerë përdorimi si një formë e përballimit. Hochschild etiketon kryqëzimin midis trupit dhe mendjes, natyrës dhe kulturës si një formë e ‘punës emocionale’. Ajo argumenton se emocionet janë thelbësore për mbijetesë dhe mbrojtje nga rreziku. Gjithashtu aktiviteti emocional shpesh drejtohet në trup kështu që emocionet në këtë pikëpamje, mund të konceptohen si ndjesi të mishëruara që janë kolektivisht të përjetuara, komunikuara dhe ndërtuara nën presion, gjithmonë në negociata me të jetuarit në mjedis (Hochschild, 2003).

Modeli tjetër teorik është ai i deprivimit i cili bazohet në punën klasike të Clemmer (1940), Sykes (1958), dhe Goffman (1961) konsideron se adaptimi i keq në burg (p.sh., dhuna, agresioni, ankthi, depresioni, vuajtja dhe vetëvrasja) është një produkt kufitar i mjedisit të burgjeve. Kjo ndodhë duke i privuar ata nga kushtet e burgut prandaj shfaqin sjellje agresive ose vetëshkatërruese. Sykes (1958) shpiku fraza dhimbje burgimi për të përshkruar këto kushte. Ai identifikoi pesë privime specifike dhe sugjeroi që të burgosurit të përshtaten me solidaritet dhe dhimbje ndaj të burgosurve nëpërmjet një sistem roli social. Clemmer (1940) e përshkroi këtë proces të burgut si adaptim (Goffman, 1961) i referohej burgut si institucion total dhe i detajuar se si të burgosurit përshtaten me jetën në institucionin total pas një procesi të deindividualizimi ose ndryshimit të vetes.

Autore: Kimete Arifaj

Referencat:

Prisoners Self-Harm. (2014). Rethink Mental Illness.

Departamenti Shëndetësor i Burgjeve & EU; Standard Operating & Procedures on the Prison & Health Care Service. (2017).

Njësia e Departamenteve Shëndetësore të Burgut, QK Dubravë, (Arkiva, 2018).

Chamberlen. A. (2016). Embodying Prison Pain: Women’s experiences of self-injury in prison and the emotions of punishment.