Mësojmë matematikë së bashku – Situata të përditshme

“Matematika është kudo rreth nesh”

Matematika është kudo rreth nesh! Aktivitetet e mëposhtme, paraqesin vetëm disa prej situatave të përditshme ku përfshihet matematika dhe disa mënyra se si ju mund ta ushqeni zhvillimin e fëmijës tuaj në matematikë, derisa i bënë këto aktivitete.

Vitet e shkollës fillore

• Numëroni, numëroni dhe numëroni! Fëmijët e vegjël duan të numërojnë gjithçka dhe çdo gjë. Inkurajoni fëmijën tuaj të numërojë me zë të lartë numrin e blloqeve që ai ka, hapat për tu ngjitur ose krismat në pjatën e tij.

• Praktikojeni klasifikimin duke i ndarë lojërat në bashkësi, sikur veturat, blloqet, ose kukullat. Bëni pyetje lidhur me madhësinë ose sasinë: Cila është më e madhe? Cila është më e madhja? Cila është më e vogël? Cila është më e vogla? A ke më shumë kukulla apo arinj? A ke më pak kukulla apo më pak arinj?

• Gjej format gjeometrike dy dhe tredimensionale, të tilla si rrathë dhe sfera.

• Lejojeni fëmijën tuaj të ju ndihmojë ta shtroni tryezën. Një ditë palosni pecetat në formë drejtkëndëshi, ditën tjetër në formë trekëndëshi. Kërkoni të gjejë numrin e karrigeve të nevojshme në përputhje me pjatat dhe të përcaktojë numrin e thikave, pirunëve dhe lugëve të nevojshme.

• Le t’i klasifikojë fëmija juaj rrobat. Para larjes, le t’i ndaj ato sipas ngjyrave ose anëtarëve të familjes që i përkasin.

• Praktika e numërimit dhe bërjes së shkëmbimeve. Kërkoni nga fëmija juaj që të të ndihmojë të kuptoni sa para keni në kuletë. Lejojeni atë të llogarisë sa duhet të paguhet dhe sa duhet të kthehen si kusur i mbetur kur të bëhet një blerje.

• Përdore ndarjen për ta forcuar konceptin e pjesëtimit dhe thyesave. Sa biskota do të ketë secili fëmijë, nëse tre fëmijë duhet të ndajnë nëntë biskota? Çka nëse një biskotë ka mbetur dhe tre fëmijët duan ta ndajnë atë? Si duhet ta presim tortën e ditëlindjes që t’i ushqejmë me të 12 persona?

• Përfshijë matjet derisa bëni aktivitete të përditshme, si gatim, punë në kopsht, ndonjë punë artizanale ose projekte për përmirësimin e shtëpisë. Praktikoni matjen e gjërave me vizore, shiritin matës, matjen me gota dhe peshore.

• Përdore kuzhinën për t’i përforcuar konceptet dhe shkathtësitë matematikore. Fëmija juaj mund ta praktikojë klasifikimin duke i larguar gjërat ushqimore nga tryeza dhe mund ta praktikojë matjen e përbërësve të një ushqimi duke ju ndihmuar të gatuani. Fëmijët më të mëdhenj mund të përcaktojnë se si t’i përshtatin përbërësit, që të gatuajnë vetëm gjysmën e recetës. Pas gatimit, fëmija juaj do ta praktikojë shkathtësinë e  perceptimit dhe planifikimit të hapësirave tredimensionale, duke përcaktuar enën me madhësinë e duhur për ta përdorur për të lënat.

• Numrat janë kudo rreth nesh! Shiko kudo në ambientin që na rrethon (p.sh. adresat, statistikat e sportit, parashikimi i motit, targat e automobilave, çmimet ) dhe diskutoni rreth asaj se çfarë nënkuptojnë dhe si janë përdorur.

• Bëjë skica dhe grafikë për ta ndihmuar fëmijën tuaj të organizojë informacionet dhe të mbajë shënime e t’i ndjek të dhënat. Fëmija i cili është duke kursyer për të blerë një gjë, mund të krijojë një tabelë ose grafik për ta parë sa mund të ruajë për një kohë të caktuar. Bëni pyetje fëmijës suaj si: Sa para i keni tani? Edhe sa duhet t’i kurseni? Për sa kohë ju duhet që t’i kurseni ato?

• Le t’ua tregojë fëmija juaj çmimet e artikujve derisa i zgjedhni ato në shitoret ushqimore. Fëmijët më të rritur mund të ju ndihmojnë në përzgjedhjen e artikujve më të mirë për t’i blerë dhe përcaktojnë çmimin total të faturës para pagesës.

• Vendosni një produkt në një platformë për shitje. Bëni dallimin, llogarisni fitimin ose humbjen.

• Praktikoni përafrimin. Të rriturit përdorin përafrimin, në vend se të gjejnë përgjigje të sakta 80% të rasteve. Bisedoni me fëmijën tuaj rreth situatave që ju e përdorni përafrimin. Kërkoni nga fëmija juaj që të trajtojë një shembull të përafrimit dhe diskutoni për strategjinë. Ndani edhe ju me të një shembull të tillë dhe shpaloseni edhe strategjinë. Krahasojeni përafrimin tënd me rezultatin e saktë për ta parë nëse strategjia dhe përafrimi që ju bëtë ishin të arsyeshme.

Vitet e shkollës së mesme të ultë dhe të lartë

“Mësimi i matematikës së avancuar nuk është shkathtësi në klasë, por shkathtësi në jetë”

• Lexoni oraret, sikur ato të programeve të televizioneve apo oraret e autobusëve, për tu informuar.

• Diskutoni skicat, tabelat dhe grafikët nga gazetat dhe revistat. Kërkoni nga fëmija juaj që t’iu shpjegojë se çfarë tregojnë datat. Në një grafik i cili tregon se çfarë pëlqejnë fëmijët të bëjnë para se të flenë (të shikojnë televizion, të luajnë lojëra në kompjuter, të lexojnë etj), ju mund t’i bëni pyetje si: “Çfarë pëlqejnë të bëjnë para gjumit më shumë se gjysma e fëmijëve?”

• Shikoni një hartë me fëmiun tuaj dhe gjeni sa do të ju marrë kohë një udhëtim dhe në çfarë kohe duhet të niseni për të arritur në kohë. Llogaritni benzinën për atë pjesë të rrugës dhe vlerësojeni çmimin total të benzinës që nevojitet për udhëtimin tuaj.

• Jepni fëmijës tuaj të holla dhe përgjegjësinë për të blerë rroba dhe gjëra tjera. Inkurajojeni fëmijën tuaj t’i krahasojë çmimet dhe të gjejë sa do të kursejë nga artikujt me lirim. Për shembull, sa do të kursejë nga një palë këpucë që kanë një lirim prej 30%.

• Hapni një llogari kursimi. Bashkë me fëmijën tënd mbani shënime rreth depozitave, tërheqjeve dhe interesit dhe krahasoni këto të dhëna me raportet mujore të bankës. Hulumtoni me fëmijën tuaj mundësi tjera të investimeve,  si interesi i depozitit ose fondi i tregut financiar.

• Inkurajojeni fëmijën  i cili është entuziast i sporteve, të mbajë shënime rreth rezultateve dhe statistikave. Ai mund t’i mbledh të dhënat nga gazetat, nga interneti dhe t’i përdorë këto të dhëna për të bërë parashikime për performancën në të ardhmen. Ai mund të bëjë paraqitjen grafike të ndryshimeve, për shembull, pikët mesatare të shënuara për lojë, për një lojtar të preferuar të basketbollit. Gjithashtu, fëmija juaj mund të mbajë shënime për performancat personale nëse ai është i përfshirë në një sport.

• Vendoseni vëmendjen në familjen tuaj në mësimet e tërthorta rreth parave dhe rëndësinë e të shpenzuarit mençur. Për shembull, nëse jeni në prag të një ristrukturimi të menaxhimit të ekonomisë familjare ose marrjes së një borxhi, bisedoni me fëmijën tuaj rreth procesit dhe rezultateve. Nëse doni të merrni një borxh për të blerë një automobil të ri, bisedoni me fëmijën tuaj rreth gjërave pro dhe kundër, për opsionin financiar 3 vjeçar dhe atë 5 vjeçar. Vizitojeni faqen www.themint.org, për ide për ta ndihmuar fëmijën tuaj në shkollë të mesme të ulët ose të lartë, t’i kuptojë më mirë paratë dhe financat.

• Bëni me fëmijën tuaj që vijon mësimet në kolegj, një grafik për të krahasuar shpenzimet e shkollimit, banimit dhe ushqimit me kolegjet tjera, së bashku me mundësitë për bursë dhe format tjera të përkrahjes financiare. Llogaritni vlerën totale përfshirë edhe interesin e kredisë.

Përfshirja e familjes është një element thelbësor për suksesin e një nxënësi në matematikë. Ti je një nga mbështetësit më të vlefshëm për fëmijën tënd. NCTM (National Council of Teachers of Mathematics) e vlerëson përpjekjen tuaj të vazhdueshme për të qëndruar i informuar rreth mënyrave për ta përkrahur zhvillimin e fëmijës suaj në matematikë. Së bashku, me familjet dhe edukatorët, mund të sigurohemi që nxënësit t’i arrijnë kualitetet më të larta në matematikë.

“Përfshirja është një element thelbësor”

Përktheu:

Alban Murturi

Referenca:

A family’s guide: Fostering your child’s success in school mathematics  (Udhëzuesi i familjes : Nxitja e suksesit të fëmijës në matematikë).The National Council of Teachers of MAthematics (Inc) [US]