Mbështetja e fëmijës tuaj gjatë viteve të shkollës!

Vitet e shkollës fillore (deri në klasën e 5-të)

Fëmijët e vegjël janë natyrshëm kureshtarë dhe të etur për ta eksploruar botën. Edhe para se të hynë në shkollë, fëmijët përvetësojnë një sasi të konsiderueshme të njohurive dhe të të kuptuarit të matematikës. Derisa kalojnë nëpër klasat e shkollës fillore, nxënësit mund të humbin interesimin për matematikën, kur fillojnë ta shohin atë si thjesht mësim përmendësh i procedurave. Ju mund ta nxisni interesimin e fëmijës suaj, duke e inkurajuar atë të mendojë për përdorimin e matematikës rreth situatave të përditshme.

Vitet e shkollës së mesme të ulët (klasa 6-9)

Fëmija juaj është duke përjetuar ndryshime fizike, emocionale dhe intelektuale, dhe është duke formuar pikëpamje rreth aftësive dhe interesave të tij dhe qëndrimit ndaj matematikës. Për fat të keq, shumë fëmijë fillojnë ta shijojnë më pak matematikën gjatë këtyre viteve dhe shpesh mendojnë negativisht rreth aftësive të tyre. Matematika e shkollës së mesme të ulët, vendos bazën e cila e përcakton suksesin e fëmijës suaj në të gjitha lëndët e matematikës në shkollën e mesme të lartë. Nxënësit e shkollës së mesme të ulët do të vazhdojnë ta çmojnë dhe shijojnë matematikën, nëse ata do ta gjejnë atë sfiduese, por edhe në të njëjtën kohë, të gjejnë përkrahje edhe në klasë edhe në shtëpi.

Vitet e shkollës së mesme të lartë (klasat 10-12)

Fëmija juaj po vazhdon të zhvillohet në shumë drejtime. Për shkak se interesat dhe aspiratat e fëmijës suaj mund të ndryshojnë përgjatë dhe pas shkollës së mesme, ai duhet ta përfundojë shkollën e mesme, duke qenë i përgatitur për një shumëllojshmëri të karrierave dhe opsioneve të edukimit. Ndihmojeni fëmijën tuaj të kuptojë pse ai duhet ta mësojë matematikën në secilën prej klasave të shkollës së mesme, edhe nëse ai nuk dëshiron të vazhdojë me fusha që lidhën me matematikën ose teknologjinë.

Derisa kalojnë vitet, vazhdimisht bëhet më sfiduese t’i mbash nxënësit të interesuar në detyrat e shkollës, përderisa shokët dhe aktivitetet e jashtme, konkurrojnë për t’ia marrë vëmendjen. Ju mund ta gjeni veten duke bërë përpjekje të mundimshme që ta mbani fëmijën tuaj të përfshirë dhe të vetëdijshëm gjatë shkollës së mesme të ulët dhe të mesme të lartë. Ju mund të keni kohë të vështirë, derisa ju duhet të njihni shumë mësimdhënës, ju mund të mos ndiheni rehat me matematikën që fëmija juaj mëson, ose fëmija juaj nuk dëshiron të jetë aq i përfshirë sa ishte më parë. Megjithëse përfshirja juaj mund të ndryshojë përderisa fëmija juaj rritet, përkrahja juaj duhet të mbetet e njëjtë,  ajo është po aq e rëndësishme sa në klasat e para në shkollën fillore. Më poshtë mund t’i gjeni sugjerimet se si ta përkrahni fëmijën tuaj derisa ai rritet:

• Ndihmojeni fëmijën tuaj të zhvillojë shprehi të mira të të studiuarit dhe menaxhimit të kohës (p.sh. të mos pres për të mësuar deri natën para testit të matematikës).

• Jepni fëmijës tuaj liri që ai vet t’i marrë vendimet rreth detyrave të shkollës, por gjithashtu keni pritje të larta që ai do t’i kryejë detyrat me kualitet të lartë dhe në kohë.

• Ndihmojeni fëmijën tuaj të zgjedhë një kohë të rregullt për të studiuar. Disa adoleshentë punojnë më mirë menjëherë pas shkollës, përderisa disa të tjerë kanë më shumë energji vonë në mbrëmje.

• Bisedoni hapur me fëmijën tuaj për rëndësinë e shkollës dhe çfarëdo problemi apo konflikti që mund të ketë.

• Vazhdo të vendosësh limite në gjëra si koha e shpenzuar në televizion, koha e shpenzuar në punët part-time apo të qëndruarit në shtëpi mbrëmjen para ditës së mësimit.

• Stimulojeni fëmijën tuaj që të mos ketë frikë të kërkojë ndihmë nga mësuesi ose ndonjë nxënës tjetër. Kujtojani fëmijës tuaj që mësimi i matematikës ka të bëjë më shumë me vetëbesimin, këmbënguljen dhe të angazhuarit fort sesa me aftësitë natyrale.

Pyetje rreth programit të matematikës në shkollë

Çfarë klasë të matematikës janë në dispozicion?

A i futni të gjithë nxënësit në të njëjtën klasë të matematikës? Nëse jo, si i ndani në klasë të ndryshme?

Cila do të jetë klasa e radhës e matematikës, që fëmija im do të marrë?

A do ta përgatisë ajo klasë fëmijën tim, që të marrë klasën e matematikës së avancuar çdo vit?

Kur bëhen oraret për çdo vit?

Si janë të përfshira familjet në vendimin për përzgjedhjes e klasave?

Çfarë teknologjish janë në dispozicion në klasat e matematikës?

Kur dhe si do ta di unë, nëse fëmija im është duke pasur telashe? Çfarë duhet të bëjë unë atëherë?

A është ndonjë mbikëqyrës/tutor në dispozicion para, gjatë ose pas shkollës?

A ofroni ndihmë një-për-një apo në një ambient grupi? Kur?

A mund të na rekomandoni ndonjë tutor jashtë shkolle?

Ku mund të gjejmë më shumë probleme matematikore për t’i ushtruar?

A ka shkolla ndonjë program të veçantë, për ata që mund të mbesin më mbrapa ose edhe për të talentuarit?

A merr pjesë shkolla në ndonjë garë të matematikës?

A ofrojnë kolegjet ose universitetet afër, ndonjë program për të talentuarit?

Pyetje për mësimdhënësit e matematikës së fëmijës suaj

Çfarë matematike do të mësohet në klasë?

Cilin libër dhe cilin material shtesë do ta përdorni këtë vit?

A do t’i duhen fëmijës tim makina llogaritëse, vizorja, kompasi apo vegla tjera?

Sa shumë detyra të shtëpisë pritet t’i jepni dhe sa kohë do t’i marrin atë fëmijës çdo natë?

A mundet fëmija im të bashkëpunojë me nxënësit tjerë në detyrat e shtëpisë?

Si duhet fëmija im ta zë hapin pas një mungese?

Si i përcaktoni notat?

Sa shpesh dhe kur do të na dërgoni një raport formal të performancës së fëmijës tim?

Si mund ta aranzhojë një konsultim prind-mësues?

Nëse ka ndonjë test të standardizuar të matematikës, a do të merr pjesë fëmija im në të këtë vit?

Çfarë mund të bëjë për t’ju ndihmuar?

Pyetje për t’ia bërë fëmijës

Cilat ide të reja i mësove sot?

Cila ishte ideja ose fakti më interesant që e mësove sot?

Cila ishte gjëja më sfiduese që bëre sot?

Çfarë më së shumti ju bëri të ndiheni i suksesshëm?

Cila ishte gjëja më argëtuese që ndodhi sot?

Pyetje dhe komente për ta përkrahur fëmijën në detyrat e shtëpisë në matematikë

Cili është problemi me të cilin je duke u marrë?

Çfarë po thonë udhëzimet?

Cilat fjalë ose udhëzime nuk po i kupton?

Prej ku mendon se duhet t’ia fillosh?

Çfarë tashmë dinë që mund të të ndihmojë gjatë problemit?

Çfarë ke përfunduar deri tash?

Ku mund të gjejmë ndihmë në libër ose shënime?

A ke ndonjë problem të ngjashëm ta shikojmë?

A mund ta vizatosh një skemë apo bësh një diagram rreth problemit?

A mund të ma përshkruash çfarë të ka kërkuar mësuesi të bësh?

Çfarë probleme sikur ky, keni pasur më parë?

A mund të më tregosh ku ke ngecur?

Kë mund ta pyesësh për ndihmë?

A mund ta zgjidhësh këtë me makinë llogaritëse?

A mund të kalosh në një tjetër problem dhe t’i kthehesh këtij më vonë?

Cili është numri për ndihmë për detyrat e shtëpisë?

Ku mund të shikojmë për ndihmë në internet?

Çfarë lloj pune të pjesshme pranon mësimdhënësi?

A mund të shkosh para ose pas mësimit, të kërkosh ndihmë nga mësuesi?

Përktheu dhe përshtati:

Alban Murturi

Referenca:

A family’s guide: Fostering your child’s success in school mathematics  (Udhëzuesi i familjes : Nxitja e suksesit të fëmijës në matematikë).The National Council of Teachers of MAthematics (Inc) [US]