Ide për ta ndihmuar fëmijën tuaj që të ketë sukses dhe ta shijojë matematikën!

Bëhu pozitiv!

Nëse ju keni qëndrim negativ ndaj matematikës, shanset janë që edhe fëmija juaj do të ketë gjithashtu. Ndihmojeni fëmijën tuaj ta përvetësojë qëndrimin “mund ta bëjë”, duke i lavdëruar përpjekjet e tij, sikurse i lavdëron arritjet e tij. Pranoje faktin se matematika mund të jetë nganjëherë sfiduese dhe se këmbëngulja dhe të angazhuarit janë çelësi i suksesit. Lidheni mësimin e matematikës me gjëra të tjera që kërkojnë punë e këmbëngulësi, sikurse që kërkojnë përgatitjet në një sport. Përpjekjet e mundimshme për një kohë të gjatë në matematikë janë normale dhe në të vërtetë të çmuara e të domosdoshme, për ta kuptuar matematikën.

Lidhe matematikën me jetën e përditshme

Çdo ditë, njerëzit përballen me situata ku përfshihet matematika, sikurse përcaktimi nëse dikush ka mjaftueshëm para për të blerë një listë gjërash në dyqan, leximin e një harte për ta kuptuar se ku gjendet dikush, përzgjedhjes së rrugës më të shkurtë për në destinacion, ndërtimin e një orari, ose përcaktimin e çmimit të një artikulli në shitje. Ndihmoni fëmiun tuaj, të kuptojë se matematika është pjesë e rëndësishme e jetës së përditshme. Sugjerime se si mund ta diskutoni përfshirjen e matematikes në aktivitetet e përditshme  me fëmijën tuaj në shkollë fillore apo të mesme, do t’i gjeni në fund të këtij seksioni.

Bëje matematikën argëtuese

Luani lojëra në tabelë, zgjidhni enigma, luani lojëra që ua ngacmojnë trurin fëmijës tuaj. Fëmija juaj do t’i pëlqejë dhe shijojë këto aktivitete, derisa ja shtojnë të menduarit matematik. Shkoqiti dhe vëri në pah çështjet matematikore, që përfshihen në këto lojëra dhe diskuto me fëmijën tënd për strategjitë që ai i përdorë.

Mëso për profesionet që lidhen me matematikën

Matematika është bazë e një morie karrierash interesante. Hulumto profesione të ndryshme me fëmijën tënd dhe gjeni çfarë ai duhet të bëjë tani, që të përgatitet për këto opsione. Ndihmojeni fëmijën tuaj të kuptojë, se lëndët në shkollë që ai mëson dhe notat që merr, do të ndikojnë në të ardhmen. Një burim i informacionit rreth shumë karrierave të mundshme që përfshijnë matematikën është “Ide për karrierë për fëmijët që ju pëlqen matematika”(Carrer Ideas for Kids Who Like Math) nga Diane Lindsey Reeves. 

Keni pritshmëri të mëdha

Tradicionalisht në Amerikën Veriore ka mbizotëruar mendimi se matematikën mund ta mësojnë vetëm disa nxënës. Për shembull, praktika e ndarjes së nxënësve në klasa sipas moshës, vazhdimisht ka dëmtuar grupe nxënësish nëpër klasa, ku e gjithë vëmendja, koha dhe energjia, janë shpenzuar në improvizim dhe nuk janë trajtuar çështjet bazike e thelbësore matematikore. Shumë studentë, veçanërisht të varfërit, ata me nevoja të veçanta, vajzat, fëmijët nga minoritetet raciale, kanë qenë viktima të pritjeve të ulëta. Sot, ne jemi të udhëhequr nga vizioni i matematikës për të gjithë. Ju nuk prisni që fëmija juaj të mos dijë të lexojë; njësoj, ju nuk duhet të prisni që fëmija juaj të mos dijë matematikë. Qëndrimet dhe pritjet e juaja, kanë ndikim vendimtar në mundësitë që do t’i ofrojë e ardhmja, fëmiut tuaj. Kumtojani pritjet e mëdha fëmijës suaj dhe mësuesve, arsimtarëve, profesorëve, kujdestarëve dhe administratorëve të tij. Sigurohuni që fëmija juaj të ketë mundësi të njëjta në matematikë, si të gjithë të tjerët dhe po merr matematikën në nivelet më të larta në secilin vit, përgjatë gjithë shkollës së mesme.

Përkrahe në detyrat e shtëpisë, mos ja kryeni ato!

Detyrat e shtëpisë mund të shkaktojnë telashe në secilën familje. Merreni shtruar dhe kujtojeni detyrat e kujt janë. Nëse ju merrni përsipër për t’i bërë detyrat e shtëpisë për fëmijën tuaj, ju do ta shtyni atë të dorëzohet lehtë ose kërkojë ndihmë në problemet sfiduese. Nëse ju bëni panik kur nuk dini si t’i zgjidhni detyrat e tij në matematikë, ju mund të sinjalizoni mendime negative për matematikën te fëmija juaj. Fëmija juaj nuk ka gjasa të jetë i shkathët, këmbëngulës, ose i sigurt nëse reagoni në njërën nga këto mënyra.

Mendojeni veten më shumë si një udhërrëfyes, sesa si një mësues i fëmijës tuaj. Roli juaj nuk është vetëm ta përkrahni atë, por edhe ta ndihmoni që të marrë përgjegjësi për veten. Ju mund t’ia lehtësoni fëmijës tuaj detyrat e shtëpisë, duke i bërë pyetje dhe duke i’a dëgjuar përgjigjet. Veprimi i thjeshtë i të kërkuarit fëmijës ta shpjegojë diçka me zë, shpesh mund ta ndihmojë atë që ta kuptojë problemin. Gjithashtu inkurajojeni fëmijën tuaj që t’i paraqesë të gjitha kalkulimet, ose ta përshkruajë procesin e tij të të menduarit në letër, për ta ndihmuar zgjidhjen e një problemi. Kjo mbajtje e shënimeve, i jep nxënësit mundësi për ta rishikuar ose rishqyrtuar ose edhe për të gjetur dhe rregulluar një gabim. Kjo gjithashtu mund t’i jap mësuesit informacione të dobishme rreth procesit të të kuptuarit dhe arsyetuarit të studentit. 

“Çdo ditë, njerëzit përballen me situata në të cilat përfshihet matematika”

Përktheu dhe përshtati:

Alban Murturi

Shënime të përkthyesit

[1] Sugjerimet do t’i gjeni në artikullin e radhës “Mësojmë matematikë së bashku – Situata të përditshme”.

[2] I njëjti qëndrim mbizotëron edhe te ne.

[3] E njëjta ndarje është edhe te ne, në të gjitha shkollat publike, por në disa shkolla private ndarja e nxënësve në klasë bëhet sipas nivelit të tij në secilën lëndë.

[4] Në Kosovë, në shkollat publike, të gjithë nxënësit e një klase i kanë lëndët në të njëjtin nivel, nuk ka ndarje p.sh. dikush në klasën e “Matematikës së avancuar” e dikush në atë të “Matematikës mesatare”. Mirëpo, ndarje të tilla bëhen nganjëherë në disa shkolla private.

Referenca:

A family’s guide: Fostering your child’s success in school mathematics  (Udhëzuesi i familjes : Nxitja e suksesit të fëmijës në matematikë). The National Council of Teachers of MAthematics (Inc) [US].