Kur flasim për ardhjen e një fëmiu të posalindur në jetë, të gjithë jemi në dijeni për mrekullinë që do t’i shtohet një familjeje të re. Veçanërisht, prindërit janë ata të cilët e gëzojnë më së shumti lindjen e të voglit të tyre. Gjithmonë është përmendur fakti se, nëna është personi me atashimin më të lartë me fëmiun e saj. Në momentin kur foshnja lind, ajo vendoset në gjoksin e nënës duke krijuar hapat e parë të lidhjes me personin më të afërt. Shpeshherë, ne harrojmë se si ndihet nëna gjatë këtij ndryshimi drastik. Procesi i shtatzanisë së nënës është jetë në vete dhe si rrjedhojë, nëna duhet të trajtohet në çdo aspekt si dhe t’i ofrohet kujdesi maksimal në të gjitha gjërat për të cilat ajo është në nevojë.

Duke lënë anash stresin post-traumatik dhe depresionin post-natal, vlen të përmendet një aspekt shumë me rëndësi i cili përmbledh tërë shtatzaninë e nënës dhe lindjen e fëmiut. Të gjitha këto emërtohen me një term i cili është tranzicion. Nënat përjetojnë të ashtëquajturën tranzicionin grua – amësi, duke kaluar nga jeta e një gruaje të sapomartuar në rolin e një nëne të re. Për gruan, besohet që jeta e saj merr një kahje krejtësisht ndryshe apo një ndryshim rrënjësor.

Posaçërisht, raportet ndërpersonale të nënës marrin një drejtim tjetër. Shumë studime kanë vërtetuar se pas lindjes së foshnjes, marrëdhëniet ndërpersonale të nënës ndryshojnë në një masë mjaft të madhe. Këto studime, vënë në pah se fokusi tashmë bie mbi foshnjen e sapolindur dhe kështu ndikon që nëna të minimizojë kontaktet me të tjerët.

Së pari, raportet e nënës me bashkëshortin janë më të prekurat. Pas lindjes së fëmiut, nëna redukton kontaktin me bashkëshortin e saj mbi lidhjen e tyre. Gjithashtu, intimiteti emocional dhe përkushtimi që ata i bëjnë njëri – tjetrit ulet në një shkallë të dukshme. Megjithatë, një gjë e tillë është mjaft e natyrshme dhe besohet se me kalimin e kohës gjatë rritjes së foshnjes, raportet fillojnë të këndellen dhe të rikthehen njësoj si më parë. Në anën tjetër, disa studime kanë vënë në pah se stresi post- traumatik mund të ketë impakt në raportin e nënës me burrin e saj. Mbështetja sociale renditet si një faktor i cili e ndihmon nënën gjatë tranzicionit të amësisë. Një studim i bërë ka vërtetuar se, përkrahja e shoqërisë dhe këshillat e marra nga ata e rrisin sigurinë te nëna dhe e ndihmojnë atë në përballimin e ndryshimeve në jetën e saj.

Ndërsa, rikthimi i nënës në punë besohet të jetë një ndryshim jo edhe aq i mirë për ato. Shumë nëna kanë deklaruar se, rikthimi i tyre në vendin e punës ka qenë i vështirë dhe faza e riadaptimit në profesionin e tyre ka zgjatur shumë. Krejt kjo për faktin se, nënat e kanë fokusin më të madh te kujdesi për foshnjet e tyre dhe e gjejnë më të vështirë të përqendrohen në punën që ato e bëjnë apo të gjejnë kënaqësinë e mëparshme në profesionin e tyre.

Autore:

Tringa Visoka

Referencat:

Priel, B. & Besser, A. (2002). Perceptions of early relationships during the transition to motherhood: The mediating role of social support. Infant Mental Health Journal. Volume 23. Issue 4. 343 – 360.

Wright, D & Wells, N. (2007). Symptoms of post‐traumatic stress disorder in couples after birth: association with the couple’s relationship and parent–baby bond. Journal of Reproductive and Infant Psychology. Volume 25. Issue 1. 45 – 50.