Psika: Ju njiheni si një ndër iniciatoret e para të punës së bërë me kategorinë e strehimit familjar. Nga ka lindur ideja që të zhvilloni karrierën tuaj profesionale në këtë drejtim?

Krasniqi: Ardhja jonë pas luftës dhe rikthimi në shtëpitë tona na orientoi në anën humanitare dhe kontaktin e parë për të kontribuar në dhënien e shërbimeve sociale, e kam filluar me organizatën ndërkombëtare Amici de Bambini e cila ka pasur mbështetje direkte për të gjithë fëmijët në tri zona. Mbështetja është ndërlidhur me largimin e traumës gjatë periudhës ku ata kanë kaluar pas luftës. Në këtë formë, puna me organizatën Amici de Bambini dhe hapat e parë, më orientuan që të kontriboj në mbështetjen e fëmijëve të cilët kanë nevojë dhe me kalimin e viteve 1999-2002-03, ne vetëm se e kishim projektin e parë sa i përket strehimit familjar. Në këtë mënyrë, ne kemi filluar bashkëpunimin me Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, me fokus fëmijët pa kujdes prindëror të cilët janë të vendosur në strehim familjar. 

Psika: Sa ka qenë e vështirë të punohet në këtë drejtim dhe të shpërndahet ideja se në Kosovë, ekziston strehimi familjar, si mundësi për fëmijët e braktisur dhe ata të keqtrajtuar?

Krasniqi: Fillimisht, pas luftës, fëmijët kanë qenë të grumbulluar në klinikën e Pediatrisë së fëmijëve. Nevoja e shtetit për të hartuar politika të caktuara në mënyrë që fëmijët të rriten në ambiente familjare, ka bërë që organizatat të fillojnë me implementimin e ligjit të mbrojtjes së fëmijëve, i cili njihet edhe si ligj bazë i shërbimeve sociale. Politika është rregulluar në atë mënyrë që një formë e tillë e mbrojtjes të jetë e nevojshme, e cila njihet si një ndër katër format e mbrojtjes esenciale. Nevoja që ne të mbështesim këtë formë të mbrojtjes ishte jashtëzakonisht e madhe, me kërkesa të nivelit qëndror dhe atij komunal. 

Psika: Sa janë njerëzit në vendin tonë të gatshëm, për të ofruar një strehim për fëmijët në nevojë?

Krasniqi: Fillimi ka qenë i vështirë mirëpo, totali i numrit të familjeve strehuese në vendin tonë, varion nga komuna në komunë. Ka ende nevojë për të punuar shumë dhe për të bërë promovim/ sensibilizim të popullatës sa i përket kësaj forme të mbrojtjes, sepse ndodh që të ketë edhe mosnjohuri në këtë aspekt. Kur kemi fushata vetëdijësuese, shpeshherë lajmërohen familje dhe mendojnë se strehimi është formë e adaptimit. Mirëpo, në të vërtetë strehimi familjar është një formë e përkohshme e mbrojtjes së fëmijëve, derisa të zgjidhet statusi i tyre. Fëmijët mund të rikthehen në familjen e tyre biologjike ose të vendosen në adaptim nga një familje e përhershme. 

Psika: Cila mendon se është shtysa kryesore që i nxit familjarët në Kosovë, të bëhen pjesë e një akti të tillë siç është strehimi familjar?

Krasniqi: Në bazë të përvojës shumëvjecare, unë mendoj se ana humanitare, shpirtërore, emocionale për të ndihmuar një fëmijë pa kujdes prindëror, i shtyn familjet që të lajmërohen si familje të cilat kanë dëshirë të kontribojnë në mbrojtjen e një fëmije pa përkujdes prindëror, për një periudhë të përkohshme. 

Psika: A ka rritje të numrit të familjeve strehuese nga paslufta deri në vitin e tanishëm?

Krasniqi: Fillimisht, numri i familjeve strehuese ka qenë i vogël duke variuar nga 25 deri në 30. Me kalimin e viteve dhe me organizimin e fushatave të ndryshme sensibilizuese, ka rritje të familjeve strehuese. Tani për momentin, numri i tyre ka arritur në 46. Disa prej tyre zgjedhin të largohen. Këto familje zgjedhen, rekrutohen, përgatiten dhe trajnohen e më pastaj marrin fëmijë, mirëpo pas një periudhe ato largohen. Kështu që, ka rritje të tyre mirëpo nuk është një numër i kënaqshëm për të qenë familjet e gatshme dhe të përgatitura për të strehuar fëmijët në nevojë. 

Psika:  Si qëndron raporti ndërmjet familjeve strehuese dhe fëmijëve të cilët merren në strehim?

Krasniqi: Organizata për fëmijët pa kujdes prindëror ofron mbështetje psiko – sociale dhe stafi profesional i cili është afër familjeve strehuese dhe fëmijëve në strehim e përcjell raportin ndërmjet tyre. Familjet që kujdesen për këta fëmijë i konsiderojnë si fëmijët e tyre. Ata i ushqejnë, i veshëmbathin dhe u ofrojnë ngrohtësi familjare sikurse të jenë pjestarë të familjes. Në anën tjetër, prindërit janë të përgatitur për faktin se fëmijët qëndrojnë në mesin e tyre vetëm për një periudhë të caktuar kohore. 

Psika: Sa është e vështirë të krijohet një marrëdhënie e besueshme ndërmjet familjes strehuese dhe fëmijës që merret në strehim?

Krasniqi: Për çdo familje strehuese, fillimi është i vështirë. Mirëpo, trajnimet që i ofrojmë ne si organizatë në bashkëpunim me komunat dhe Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies sociale e krijon atë besueshmërinë që nevojitet. Një fakt i tillë e largon vështirësinë për çdo familje në të cilën këta fëmijë janë nën përkujdesje 24/7. 

Psika: Aspekti psikologjik është faktor shumë me rëndësi, në mirëqenien e fëmijëve të braktisur dhe të keqtrajtuar. Sa punohet në këtë fushë, për t’i ndihmuar fëmijët që të stabilizohen me gjendjen e tyre?

Krasniqi: Është e vërtetë që aspekti psikologjik është jashtëzakonisht i nevojshëm dhe duhet të shikohet kjo anë profesionale për fëmijët në maksimum. Mirëpo, fatkeqësisht Qendrat për Punë Sociale nuk kanë psikologë që ofrojnë këtë mbështetje. Falë bashkëpunimit të Organizatës “Ofap”, e cila ka marrëveshje me nivelin qëndror, ne mundohemi që ta plotësojmë këtë hapësirë e cila është jashtëzakonisht e madhe. Secili fëmijë meriton që të ketë mbështetje në aspektin profesional siç është në këtë rast ana psikologjike. 

Psika: Organizata të cilën ju e udhëheqni, e emërtuar si, Organizata për fëmijët pa kujdes prindëror, punon me kategorinë e strehimit familjar. Sa ka ajo përkrahje nga institucionet në vendin tonë si dhe organizatat e tjera joqeveritare? 

Krasniqi: Vetë emri,  Organizata për Fëmijët pa Kujdes Prindëror, neve na orienton drejt dhënies së shërbimit ndaj këtyre fëmijëve. Mirëpo, si vizion edhe mision të organizatës e kemi mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve për të gjithë fëmijët në nevojë. Bashkëpunimin me nivelin komunal e kemi të mirë sepse ofrojmë mbështetje profesionale për të gjitha komunat me Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, të cilin e kemi si partner kryesor. Gjithashtu. organizata gëzon marrëveshje me të gjitha organizatat e tjera qoftë vendore apo ndërkombëtare. Për të bërë një plotësim, ne jemi edhe pjesë e Koalicionit të Organizatave për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF). Përmes këtij koalicioni, japim mesazhe avokuese dhe lobuese sa i përket mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve. 

Psika: Cili është hapi i radhës që mendoni ta merrni në lidhje me ngritjen e strehimit familjar në Kosovë? 

Krasniqi: Kemi nevojë shumë që të bëhet edhe licensimi apo profilizimi i familjeve strehuese për kategori të ndryshme të fëmijëve. Kjo pasi që, në strehim familjar vendosen fëmijë pa përkujdes prindëror, të braktisur, të keqtrajtuar dhe të lënë pas dore prej moshës 0 deri ne 18 vjeç. Ne kemi nevojë që të bëhet profilizimi dhe kategorizimi i këtyre familjeve, që të kuptohet se me çfarë kategorie të fëmijëve të lidhen. Gjithashtu, të punohet në amandamentim të ligjeve dhe udhëzimit administrativ si dhe formave të mbrojtjes që i ka Organi i Kujdestarisë dhe çdo organizatë që ofron mbështetje në këtë aspekt. Krejt në fund, të rritet roli i psikologëve dhe trajtimeve që ata bëjnë në organizata të tilla. 

Biografi e shkurtër

Ibadete Krasniqi është drejtoreshë ekzekutive e OJQ: “Organizata për Fëmijët pa Kujdes Prindëror”. Ajo ka lindur më datën 11 Korrik 1974 në komunën e Prishtinës. Ibadetja ka vijuar studimet në nivel Bachelor në Universitetin: Hasan Prishtina, duke vazhduar me studimet Master të Politikave Sociale dhe Mirëqenies së Fëmijëve dhe ka diplomuar në vitin 1998. Znj. Krasniqi është anëtare e Komisionit të Licencimit për Shërbimet Sociale pranë Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale. Ajo është autore e shumë raporteve në fushën e mbrojtjes së fëmijëve brenda organizatës ndërkombëtare Amici de Bambini. Znj. Krasniqi ka dhënë kontributin e saj në hartimin e standarteve minimale për kujdestarinë, adoptimin, strehimin familjar dhe strehimin te të afërmit. 

Pyetjet për:

Ibadete Krasniqin   

Nga:

Tringa Visoka (Revista Psika)