Shpeshherë, ndihemi të lodhur dhe tejet të pa motivuar për të vazhduar më tutje. Sfidat e njëpasnjëshme me të cilat ndeshemi çdo ditë, na dobësojnë jashtë mase njësoj sikur jo ushqyerja e mirë e lodh organizmin tonë. Për këtë arsye, shumë nga ne dorëzohemi dhe fillojmë të mendojmë për një zgjidhje sa më të shpejtë për shëndetin tonë mental. Ajo çfarë na bie ndërmend si opsion i parë, është vizita te doktori dhe vula e tij në një letër ku të shënuara janë antidepresantët apo barnat qetësuese. Një përqindje mjaft e madhe e zgjedhin këtë rrugë, pasi që ndihen të lodhur shpirtërisht dhe mendojnë se marrja e barnave tri herë në ditë dhe rënia në gjumë, do të bëjë që ata t’i ikin realitetit sadopak dhe të shërohen. Megjithatë, studime të shumta kanë ardhur në konkludim se marrja e antidepresantëve jo gjithherë ka efekt pozitiv në tejkalimin e një problemi. Nëse marrim dhe lexojmë libra me përmbajtje farmaceutike, mund të gjejmë një listë të gjatë të anëve negative që shkaktohen nga antidepresantët. Disa nga efektet negative janë: marramendja, lodhja, vizioni i paqartë, efektet anësore seksuale, shtimi në peshë, pagjumësia dhe ankthi. Efektet e lartpërmendura janë vetëm disa nga anët e errëta të antidepresantëve. Në vijim janë të paraqitura efektet më dëmprurëse dhe serioze që mund të vijnë si rrjedhojë e përdorimit të barnave të këtilla.

Sindromi “Seretoninë”

Ky efekt anësor lidhet me përdorimin e ilaçeve kundër depresionit të quajtur frenuesit selektivë të serotoninës (SSRIs) dhe frenuesit serotonin-norepinefrin (SNRIs). Simptomat e sindromës serotoninë përfshijnë: konfuzion, agjitacion, lëkundje të muskujve, djersitje, dridhje dhe diarre. Përveç kësaj, raste të rënda mund të përfshijnë simptoma të tilla si: ethe shumë të larta, rrahje të parregullta të zemrës dhe pavetëdije.

Hipoantremia

Ky efekt anësor mund të ndodhë me SSRIs, sepse këto barna mund të ndikojnë në efektet e një hormoni të përfshirë në rregullimin e niveleve të natriumit dhe lëngjeve brenda trupit. Njerëzit e moshuar mund të jenë veçanërisht të prirur ndaj hiponatremisë. Rastet e lehta të hiponatremisë mund të shkaktojnë simptoma të tilla si: dhimbje koke, dhimbje të muskujve, humbje të oreksit dhe konfuzion. Në raste më të rënda, njerëzit mund të përjetojnë simptoma të tilla si, ç’orientim, shqetësim dhe psikozë. Përveç kësaj, hiponatriemia ka potencial që të çojë në gjendje kome ose vdekje.

Mendimet vetëvrasëse

Duhet të jeni të vetëdijshëm se kur jeni duke përdorur një antidepresant, mund të përjetoni një përkeqësim të përkohshëm të depresionit tuaj dhe potencialisht rritjen e mendimeve të vetëvrasjes. Studimet tregojnë se kjo mund të jetë veçanërisht e vërtetë për njerëzit më të rinj se mosha 25 vjeç.
Për këtë arsye, rekomandohet që jo gjithmonë antidepresantët t’i konsiderojmë si rrugëzgjidhje për problemin tonë. Fuqia e tejkalimit të çdo lloj sfide qëndron në potencialin që e kemi brenda vetes. Në raste të përjetimit të një ankthi të lartë apo depresioni madhor është mirë të flasim fillimisht me veten tonë, dhe ta bindim që çdo gjë mund të tejkalohet.

Autore:
Tringa Visoka

Referencat:
Kubera, M. (2001). Anti inflammatory effects of antidepressants. Journal of Clinical Psychopharmacology.
Volpi-Abadie, J & Kaye, A & David Kaye, A. (2013). Seretonin Syndrome. The Ochsner Journal.