Njerëzit që kanë praktikuar një lëvizje të thjeshtë të përcjellur me muzikë, kanë treguar një rritje të lidhjes strukturore në mes regjioneve të trurit që procesojnë zërimin dhe kontrollimin e lëvizjeve. Të gjeturat fokusohen në shtigjet e materies së bardhë në tru, lidhja që e mundëson komunikimin në mes neuroneve. Ky studim mund të ketë implikime pozitive për hulumtime të ardhshme në rehabilitimin e pacientëve që e kanë të dëmtuar në shkallë të caktuar kontrollimin e lëvizjeve. Rezultatet e këtij hulumtimi janë publikuar në revistën Brain & Cognition.

Tridhjetë vullnetarë që punojnë me dorën e djathtë janë ndarë në dy grupe dhe janë detyruar të mësojnë një detyrë të re që përfshin sekuenca të lëvizjes së gishtit të vogël të dorës jo dominuese, atë të majtës. Njëri grup ka mësuar me sinjale muzikore, ndërsa grupi tjetër pa muzikë. Pas katër javësh ushtrime, të dy grupet kanë performuar detyrën njësoj mirë. Duke përdorur skanime të trurit MRI, është gjetur që grupi muzikor ka treguar një rritje signifikante në lidhjen strukturore në traktin e materies së bardhë që lidh regjionet e dëgjimit dhe lëvizjeve në anën e djathtë të trurit. Grupi jo muzikor nuk ka treguar ndonjë ndryshim.

Hulumtuesit shpresojnë që studimet e ardhshme me një numër më të madh të pjesëmarrësve do të vlerësojnë nëse muzika mund të ndihmojë me programe speciale rehabilituese të lëvizjeve, si për shembull pas ndonjë sulmi. Dr. Katie Overy, që e ka udhëhequr këtë studim ka thënë: “Ky studim sygjeron që muzika mund të jetë kyçe për ndryshim. Është e ditur që muzika i bënë njerëzit të lëvizin. Ky studim është i pari që ofron evidencë eksperimentale që shtimi i sinjaleve muzikore në të mësuarit e lëvizjeve të reja mund të çojë në ndryshime strukturën e materies së bardhë në tru.

 

Autore:

Arta Hiseni

 

Referencat:

Moore, E., Schaefer, R., Bastin, M., Roberts, N. & Overy, K. (2017). Diffusion tensor MRI tractography reveals increased fractional anisotropy (FA) in arcuate fasciculus following music-cued motor training. Brain and Cognition.

University of Edinburgh. (2017). Learning with music can change brain structure: Using musical cues to learn a physical task significantly develops an important part of the brain, according to a new study. ScienceDaily.