Përjetimi i përvojave jashtë-trupore është i mundur!

 

Shkencëtarët tashmë kanë trajtuar edhe fenomenin e përjetimit të përvojave “jashtë-trupore”. Teknika e përdorur në këtë eksperiment rezulton në krijimin virtual të “realitetit” të shfaqur nga syze me monitor të vogël për secilin sy, të montuara në kokë. Përvojat jashtë-trupore përkufizohen si ato kur një person që është zgjuar e sheh trupin e tij nga një pozitë tjetër prej asaj ku ndodhet. Përvoja të tilla janë raportuar në rastet ku funksioni i trurit është dëmtuar përmes një goditje, epilepsisë ose gjatë abuzimit me drogë. Rastet më të zakonshme ndodhin në situata traumatike si aksidentet me makina.

“Eksperiencat e jashtme kanë magjepsur njerëzimin për mijëra vite, ekzistenca e tyre ka ngritur pyetje thelbësore rreth marrëdhënies mes vetëdijes njerëzore dhe trupit dhe është diskutuar shumë në teologji, filozofi dhe psikologji”, tha Dr. Ehrsson (2014), i cili e realizoi këtë eksperiment në Universitetin e Londrës, i mbështetur nga Instituti “Karolinska” në Stokholm.

Edhe pse përvojat jashtë-trupore janë raportuar në një numër të kushteve klinike, baza neuro-shkencore e këtij fenomeni mbetet e paqartë. Një ide është se këto përvoja mund të shpjegohen me gabime se si truri i asimilon informacionet vizuale, të prekshme dhe ndijore që vijnë nga trupi duke krijuar iluzionin se personi është diku tjetër përveç se në trupin e tij.

Normalisht truri përdor informacionin për të ndërtuar një ide të pozicionit të trupit në hapësirë. Duke përzier inputet ndijore, Dr. Ehrsson donte të shihte nëse truri mund të mashtrohej dhe të besonte se trupi i tij ishte diku tjetër. Në eksperimentin e tij pjesëmarrësit mbanin syze që përmbajnë një ekran për secilin sy. Kjo pajisje u mundësoi personave qe i mbanin ato gjatë eksperimentit të shihnin një imazh 3D të shpinës së tyre. Dr. Ehrsson më pas e lëvizi një shufër plastike drejt një vendndodhjeje tjetër që shfaqej në ekranin e syzeve, ndërsa gjoksi i vërtetë i pjesëmarrësit u prek në të njëjtën kohë me shufrën plastike në pozicionin përkatës. Pjesëmarrësit treguan se ata mendonin se ishin të vendosur aty ku ishin vendosur kamerat, duke parë një trup që i përkiste dikujt tjetër.

Olaf Blanke (2005) nga “Ecole Polytechique Fédérale de Lausanne” realizoi një eksperiment të ngjashëm, por shtoi një ushtrim tjetër pas “realitetit virtual” të krijuar, i zhvendosi pjesëmarrësit disa hapa prapa dhe pastaj largoi syzet e tyre. Kur vullnetarët u kërkuan të ktheheshin në pozitën e tyre paraprake, ai vërejti që ata shkonin gjithnjë nga pozicioni aktual i tyre në drejtim të vendndodhjes së trupit të tyre virtual. “Vetja nuk është brenda kufijve trupor”. “Ky është një aspekt i një eksperience jashtë trupit që ne kemi prodhuar në mënyrë mekanike” potencoi Blanke (2004). Vullnetarët nuk e kishin gabuar pozitën e tyre fizike nëse ata panë vetëm një ekran të zi ose një kuti të thjeshtë në syzet e tyre. Të dy grupet kërkimore, përfunduan se konfuzioni i inputeve midis shqisave ishte një mekanizëm kyç në shpjegimin e përvojave jashtë trupit.

“Kjo, në thelb, është një mjet për të projektuar veten, një formë të teleportimit” theksoi Ehrsson (2007). “Nëse ne mund t’i projektojmë njerëzit në një karakter virtual, kështu që ata ndihen dhe reagojnë sikur të ishin me të vërtetë në një version virtual të vetvetes, vetëm imagjinoni implikimet!”, shtoi ai.

 

Autore:

Zana Imeri

 

Referencat:

Blanke, O. (2005). Linking Out-of-Body Experience and Self Processing to Mental Own-Body Imagery at the Temporoparietal Junction. Journal of Neuroscience.

Blanke, O., Landis, T., Spinelli, L., & Seeck, M. (2004). Out-of-body experience and autoscopy of neurological origin. Brain.

Ehrsson, H. H. (2007). The experimental induction of out-of-body experiences. Science.

Ehrsson, H. H., Bergouignan, L & Nyberg, L. (2014). Out-of-body-induced hippocampal amnesia. Proceedings of the National Academy of Sciences.