Çrregullimi i personalitetit shmangës.

Secili nga ne reflekton një mënyrë të veçantë të të menduarit, ndjenjës dhe sjelljes, e që përbëjnë një konstrukt të veçantë në vete. Ky konstrukt kompleks që na bën unik nga të tjerët quhet Personalitet (American Psychiatric Association (APA), 2018; Friedman & Schustack, 2010; Holzman, 2018). Personaliteti ndikohet dhe formohet nga karakteristikat e trashëguara, përvoja dhe mjedisi (Hopwood, et al. 2011). Çrregullimi i tij paraqet devijimin e dukshëm nga normat dhe pritjet e kulturës, duke qenë relativisht të qëndrueshme përgjatë kohës dhe konsistente gjatë situatave (Widiger, 2012). Pasojat e çrregullimit mund të manifestohen në fushat: kognitive (mënyrat e perceptimit dhe interpretimit të vetes, të tjerëve dhe ngjarjeve); afektive (intensiteti dhe përshtatshmëria e reagimit emocional); funksionimit ndërpersonal dhe kontrollimit të impulseve (APA, 2012; First & Tasman, 2011). Nëse këto devijime shfaqen në të paktën dy nga këto fusha, atëherë shkaktojnë shqetësime gjatë funksionimit dhe vështirësi afatgjata në marrëdhëniet ndërpersonale (APA, 2012; Lenzenweger, Lane, Loranger, & Kessler, 2007).

Një çrregullim i tillë specifik i personalitetit është edhe çrregullimi shmangës i personalitetit (AvPD), i cili hyn në kategorinë e sjelljeve anksioze ose të frikësuara dhe i cili paraqet një model të frenimit social, ndjenjave të papërshtatshmërisë dhe ndjeshmërisë ekstreme ndaj kritikave (Bressert, 2017; Hatton, 2016; Zehra, Khan, & Kumar, 2018). Që një individ të diagnostifikohet me këtë çrregullim duhet të shfaqë simptoma si: dëmtime në vetë-funksionim; vetëbesim i ulët që lidhet me vetë-vlerësimin si shoqërisht i paaftë (Rettew, 2015), gjë e cila rezulton në mungesën e miqve; ndjenja e të qenurit personalisht i parëndësishëm ose inferior; ndjenja të tepruara të turpit apo të jo adekuatësisë, (Widiger, 2012; Oldham, Skodol & Bender, 2014); ngurrim për të ndjekur qëllimet, për të marrë rreziqe personale ose për t’u angazhuar në aktivitete të reja që përfshijnë kontaktin ndërpersonal (Pfohl, Blum & Zimmerman, 1997), përveç nëse ka garanci të fuqishme të pranimit dhe pëlqimit pa kritikë (Croft, 2016; Riso & Hudson, 2000; Sanislow, Bartolini & Zoloth, 2012). Madje edhe ofertat e vendeve të punës mund të refuzohen, nga frika se përgjegjësitë e reja mund të rezultojnë në kritika nga bashkëpunëtorët (APA, 2013). Pra, pavarësisht nga dëshira e tyre për të qenë pjesëmarrës aktivë në jetën shoqërore, ata kanë frikë ta vënë mirëqenien e tyre në duart e të tjerëve. Pastaj janë edhe zvogëlimi i reciprocitetit brenda marrëdhënieve intime për shkak të frikës që do të turpërohen ose poshtërohen (Hosier, 2015), që shoqërohet me përfundimin e shtrembëruar të perceptimit të të tjerëve si negativë; mungesa e inicimit të kontakteve sociale, sepse ato perceptohen si të sikletshme; si dhe deficite në aftësinë për të ndier kënaqësi ose për t’u interesuar për gjërat sociale (Freeman, Pretzer, Fleming, & Simon, 2004). Personat me këtë çrregullim kanë ndjenja me intensitet të lartë nervozizmi, ngurtësie ose paniku, shpesh në reagim ndaj situatave sociale; shqetësim për efektet negative të përvojave të pakëndshme dhe mundësive të ardhshme negative (Eikenaes, Egeland, Hummelen, & Wilberg, 2015). Këto shtrembërime në funksionimin e personalitetit duhet të jenë të qëndrueshme krahas efekteve të drejtpërdrejta fiziologjike të ndonjë substance apo medikamenti, ose gjendjes së përgjithshme mjekësore (p.sh. trauma e rëndë e kokës). Megjithëse, është mjaftë e vështirë të diferencohet, pasi që mostrat klinike të AvPD-së kanë një bashkë-shfaqje të lartë të simptomave të çrregullimeve të tilla si: depresioni, çrregullime ankthi dhe çrregullime të përdorimit të substancave dhe alkoolit (Eikenaes, Egeland, Hummelen, & Wilberg, 2015;).

Sa i përket çrregullimeve të ankthit duket se ekziston një ndërlidhje e madhe midis AvPD dhe çrregullimit të ankthit social (Hoerman, 2009; Lampe, & Malhi, 2018). Sipas studimit të bërë nga Sanderson, Wetzler, Beck dhe Betz (1994) mbi “prevalencën e PD tek pacientët me çrregullime ankthi” rezulton se diku rreth 27% e personave me çrregullime të ankthit kanë diagnozë me AvPD. Shmangia është një simptomë e cila karakterizon si AvPD, çrregullimet e ankthit dhe agorafobinë, prandaj shpesh ato bashkëshfaqen. Pastaj edhe me çrregullimin e Përgjithshëm të Ankthit Social (GSAD), këtë e tregon studimi “AvPD në individët me çrregullime të Përgjithshme të Ankthit Social: çfarë shton ai?” i bërë nga Marques, Porter, Keshaviah Pollack, Ameringen, Stein dhe Simon në vitin 2012. Rezultatet e këtij studimi sugjerojnë se AvPD ka ngjashmëri të madhe me GSAD, por shtimi i tij tek personat me GSAD ishte i lidhur dukshëm me cilësi më të dobët të jetës dhe paaftësi më të madhe, si dhe izolim më të madh emocional e cila mund të shoqërohet me dëmtime më të mëdha. Përkundër ngjashmërisë së madhe, këto tipare specifike të AvPD-së tregojnë se ka diçka unike në simptomatologjinë e AvPD-së që aktualisht nuk kapet nga diagnoza e GSAD.

Pastaj, AvPD shoqërohet shpesh edhe me çrregullime të personalitetit, siç është rasti me çrregullimin e personalitetit të varur (DPD) me të cilin kanë shumë simptoma të përbashkëta dhe si rrjedhojë njëri mund të shoqërojë tjetrin. Të dy këto çrregullime karakterizohen nga ndjenjat e papërshtatshmërisë, mbindjeshmërisë ndaj kritikave dhe nevojës për siguri (Lampe, & Malhi, 2018). Si dhe individët me AvPD shpesh bëhen shumë të lidhur ose edhe të varur nga ata pak njerëz të tjerë me të cilët ata janë miq (Bressert, 2017), krakteristikë kjo tipike e DPD. Por ajo çka i dallon këto dy çrregullime është fokusi primar i shqetësimit, ku në AvPD është shmangia e poshtërimit dhe refuzimit, ndërsa në DPD është në kujdesin nga të tjerët. Çrregullime të tjera të personalitetit komorbide me AvPD janë çrregullimi i personalitetit skizoid dhe ai skizotipal, të cilat po ashtu karakterizohen nga izolimi social (Ashton, 2013). Sidoqoftë, individët me AvPD duan të kenë marrëdhënie me të tjerët dhe ata të ndiejnë vetminë e tyre, ndërsa ata me çrregullim skizoid apo skizotipal mund të jenë të kënaqur dhe madje preferojnë izolimin e tyre shoqëror (APA, 2013).
Sa i përket personave me çrregullimin e personalitetit kufitar (BPD), ata kanë vështirësi në shumë fusha duke përfshirë marrëdhëniet shoqërore, humorin, impulsivitetin dhe imazhin e tyre, karakteristika këto të ngjashme me AvPD (Zehra et al., 2018). Por ato çka i dallojnë këto çrregullime janë përpjekjet e furishme të personave me BPD për të shmangur braktisjen, qoftë përmes sjelljeve vetë-lënduese ose vetëvrasëse, si dhe një model i marrëdhënieve të paqëndrueshme dhe intensive (APA, 2013). Përderisa, personat me AvPD nuk karakterizohen me sjellje vetë-lënduese dhe marrëdhëniet e tyre ndërpersonale, ndonëse janë të rralla ato zakonisht janë të qëndrueshme (Long, 2017). Pastaj edhe çrregullimi i personalitetit paranojak, i cili sikur AvPD karakterizohet nga një ngurrim për të besuar tek të tjerët, por ndryshe prej tij, tek AvPD ky ngurrim lidhet më shumë me frikën për t’u zënë ngushtë ose për t’u parë si joadekuatë, sesa me frikën nga qëllimi i keq i të tjerëve (APA, 2013). Përveç këtyre, AvPD ka ndërveprim signifikant edhe me çrregullimin e stresit post-traumatik (PTSD), këtë e tregojnë të gjeturat e studimit të bërë nga Gratz dhe Tull (2012) mbi marrëdhënien midis PTSD dhe sjelljeve vetë-lënduese.

Ndonëse i identifikuar kaherë si çrregullim, duke u bazuar në të dhënat nga Studimi Kombëtar Epidemiologjik 2001-2002, AvPD ka një përhapje të ulët prej rreth 2.4% (APA, 2013), gjë e cila ka kontribuar në mos-definimin e qartë të shkaktarëve të paraqitjes së këtij çrregullimi në popullatë. AvPD ka shpërndarje të barabartë në popullsinë e femrave dhe meshkujve dhe zakonisht shfaqet në moshën e hershme të rritur (Rettew, 2015; Rettew et al., 2003). Megjithatë, tiparet e tij nganjëherë vihen re që në fëmijërinë e hershme, ku shfaqen shenja droje, frike e tepruar, si dhe hipervigjilencë ndaj refuzimit dhe kritikave kur fëmiu përballet me njerëz dhe situata të reja (Encyclopedia of Mental Disorders (EMD), 2018; Scott, 2006). Influencues i tipareve të tilla konsiderohet të jetë kombinimi i faktorëve gjenetik, socialë dhe biologjikë (Martin, 2018). Njerëzit që kanë profile të caktuara gjenetike, temperamente inhibuese apo çrregullime të caktuara, mund t’i përcjellin ato tek pasardhësit e tyre nëpërmjet kromozomeve dhe në këtë mënyrë pasardhësit do të kenë predispozitë për të zhvilluar AvPD. Por, sigurisht këtu luan rol edhe mënyra se si një person në fazën e tij të hershme të zhvillimit ka mësuar të ndërveprojë me miqtë dhe familjen (Bressert, 2017).

Në një studim retrospektiv të bërë në vitin 2003 mbi AvPD, nga Rettew et al., të rriturit me AvPD raportuan për fëmijëri dhe adoleshencë të varfër me performancë atletike dhe me pak përfshirje në hobi. Ndërsa studimi tjetër i bërë nga Eikenaes, Egeland, Hummelen, dhe Wilberg (2015) mbi AvPD dhe fobinë sociale, raporton se shumë persona të diagnostikuar me AvPD kanë pasur përvoja të hershme të neglizhencës, të kritikave, ngacmimit e refuzimit të prindërve dhe bashkmoshatarëve, pastaj edhe trauma, abuzim fizik, seksual dhe emocional. Si rrjedhojë ata fillojnë të zhvillojnë një guaskë mbrojtëse psikologjike me strategji përballuese, që të “mbrohen” nga talljet, kritikat dhe refuzimet e mëtejshme. Dhe pikërisht kjo guaskë mbrojtëse e këtyre personave është ajo që e bën të vështirë ndërtimin e një aleance terapeutike me terapistin, gjë që e bën pothuajse të pamundshëm edhe trajtimin me sukses të këtij çrregullimi. Prandaj, terapeutët duhet të kenë kujdes të jashtëzakonshëm për të shmangur sjelljen që mund të interpretohet si gjykues, duke shfaqur empati dhe respekt të pakushtëzuar (Benjamin, 1996).

E kur jemi tek trajtimi, ai përfshinë trajnimin e aftësive sociale, përmirësimin e vetëbesimit dhe vetëvlerësimit, si dhe krijimin e strategjive funksionale përballuese (Sanislow et al., 2012). Për fat të keq, ka pak kërkime që vlerësojnë efektivitetin e trajtimeve specifike për AvPD (Alden, Laposa, Taylor, & Ryder, 2002). Sidoqoftë, llojet e terapive që zakonisht përdoren për këtë çrregullim përfshijnë: Terapinë Kognitive-Biheviorale (CBT) e cila fokusohet në modelet e deformuara kognitive dhe në ristrukturimin e tyre (EMD, 2018; Hosier, 2014). Gjatë procesit terapeutik përdoren luajtja e roleve racionalo-emocionale, ku në mënyrë bashkëpunuese shqyrtohen dhe testohen mendimet dhe besimet e klientit për të parë nëse ato kanë një bazë reale, si dhe zhvillohen mendime alternative më të shëndetshme për të (Croft, 2016; Legg, 2017). Po ashtu, për të ulur nivelin e ankthit dhe për të trajnuar shkathtësitë sociale përdoret ekspozimi gradual dhe desensitizmi sistematik, ku klienti në mënyrë graduale ekspozohet ndaj rrethanave dhe kushteve shoqërore (Scheller, 2011). Pastaj edhe terapia Psikodinamike, e cila ndihmon në të kuptuarit se si përvojat e kaluara ndikojnë në sjelljen aktuale dhe lejon të shqyrtohen dhe zgjidhen dhimbjet dhe konfliktet emocionale të së kaluares (Leichsenring & Leibing, 2003; Scheller, 2011; Legg, 2017).

Përveç tyre, edhe terapia Grupore mund t’i ofrojë klientëve me AvPD përvojat shoqërore që i ekspozojnë ndaj reagimeve nga të tjerët në një ambient të sigurt dhe të kontrolluar. Sipas Croft (2016), terapia në grup mund të mos jetë efikase për klientët me AvPD të cilët janë në fillet e hershme të terapisë, pasi që ata mund të hezitojnë për shkak të frikës së tyre për refuzim shoqëror, por një mjedis empatik në ambientin e grupit mund të ndihmojë secilin anëtar të kapërcejë ankthet e tij shoqërore. Trajnimi i aftësive sociale dhe ekspozimi gradual gjithashtu mund të inkorporohen gradualisht në terapi grupore për të rritur vetëdijen dhe kontaktet sociale (Lampe & Malhi, 2018). Gjithashtu, farmakoterapia mund të ndihmojë në disa raste kur AvPD shoqërohet me ankth, dhimbje psikike të shtuara dhe trauma (Ripoll, Triebwasser & Sierver, 2011; Ribeiro, 2011). Terapi të tjera alternative janë edhe ajo e relaksimit, jogas dhe meditimit, të cilat përdoren shpesh për të qetësuar personat që vuajnë nga AvPD dhe për t’i ndihmuar ata të stabilizohen (Bressert, 2017; Kerkar, 2018). Sidoqoftë, përderisa mbetet i patrajtuar, AvPD paraqet realitetin këtyre individëve. Prandaj familja, shokët dhe komuniteti në përgjithësi, nëse asgjë nuk bëjnë për t’iu ndihmuar atyre, atëherë të paktën në mënyrë të vetëdijshme të mos bëjnë gjëra që e përkeqësojnë gjendjen e tyre edhe më tepër.

 

Autore:

Ferkije Pervetica

Rubrika:

P.anormalitetit

Referencat:

Alden, L. E., Laposa, J. M., Taylor, C. T., & Ryder, A. G. (2002). Avoidant personality disorder: Current status and future directions. Journal of Personality Disorders, 16, 1-29.

American Psychiatric Association .(2012). DSM-IV and DSM-5 Criteria for the Personality Disorders.  Psychiatry.

American Psychiatric Association. (2013). Diagnostic and Statistical Manual of Mental Disorders- DSM-5 (5th ed.). Washington, DC: London, England

American Psychiatric Association. (2018). What are Personality Disorders? Psychiatry.

Ashton, M.C. (2013). Personality Disorders. Science Direct.

Benjamin, L.S. (1996). Interpersonal Diagnosis and Treatment of Personality Disorders,

(2nd ed. New York: Guilford.

Bressert, S. (2017). Avoidant Personality Disorder, Psychcentral.

Croft, H. (2016). What is Avoidant personality disorder.  Healthy Pleace for Your Mental Healh.

Eikenaes, I., Egeland, J., Hummelen, B., &Wilberg, T. (2015). Correction: Avoidant Personality Disorder versus Social Phobia: The Significance of Childhood Neglect. Plos one 10(5)

Encyclopedia of Mental Disorders. (2018). Avoidant personality disorder: Causes and symptoms. Mind Disorders.

First, M.B., & Tasman, A. (2011). Personality  Disorder. Clinical Guide to the Diagnosis and Treatment of Mental Disorders (2nd ed.). Hoboken : John Wiley & Sons.

Freeman, A., Pretzer, J., Fleming, B., & Simon, K.M. (2004), Avoidant, Dependent, and Obsessive-Compulsive Personality Disorders. In: Clinical Applications of Cognitive Therapy. Springer, Boston, MA.

Friedman, H.S. & Schustack, M.W. (2010).  What Is Personality? Classic Theories and Modern Research (5th ed.). Pearson College Division.

Gratz, K. L., & Tull, M. T. (2012). Exploring the relationship between posttraumatic stress disorder and deliberate self-harm: the moderating roles of borderline and avoidant personality disorders. Psychiatry Research, 199(1), 19–23.

Hatton, E. (2016). Avoidant Personality Disorder (AVPD) Symptoms and Treatment. Fortestrong, Marrë nga: https://fortestrong.com/dont-let-avpd-keep-you-from-having-a-bright-new-year/

Hoerman, S. (2009). Avoidant Personality Disorder and Social Phobia. Mental Help.

Holzman, P.S. (2018). Personality. Encyclopedia Britannica:  Marrë nga: https://www.britannica.com/topic/personality

Hopwood, C. J., Donnellan, M. B., Blonigen, D. M., Krueger, R. F., McGue, M., Iacono, W. G., & Burt, S. A. (2011). Genetic and environmental influences on personality trait stability and growth during the transition to adulthood: A three wave longitudinal study. Journal of Personality and Social Psychology, 100(3), 545–556.

Hosier, D. (2014). How Childhood Trauma Can Physically Damage The Developing Brain: And How These Effects Can Be Reversed (kindle ed.). Childhoodtraumarecovery.com publications.

Hosier, D. (2015). Childhood Emotional Neglect and Avoidant Personality Disorder (AvPD). Childhood Trauma Recovery.

Kerkar, P. (2018). What Causes Avoidant Personality Disorder and How is it Treated? Epanaisst.

Lampe, L., & Malhi, G.S. (2018). Avoidant personality disorder: current insights. US National Library of Medicine National Institutes of Health. 11, 55–66.

Legg, T.J. (2017). Avoidant Personality Disorder. Healthline.

Leichsenring, F., & Leibing, E. (2003). The Effectiveness of Psychodynamic Therapy and Cognitive Behavior Therapy in the Treatment of Personality Disorders: A Meta-Analysis. The American Journal of Psychiatry. 160 (7), 1223-1232.

Lenzenweger, M.F., Lane, M.C., Loranger, A.W., & Kessler, R.C. (2007). DSM-IV personality disorders in the National Comorbidity Survey Replication. Biological Psychiatry, 62(6), 553-564.

Long, P. W. (2017). Anxious (avoidant) personality disorder.  Mental Health.

Marques, L., Porter, E., Keshaviah, A., Pollack, M. H., Ameringen, M.V., Stein, M. B., & Simon, N. M. (2012). Avoidant Personality Disorder in Individuals with Generalized Social Anxiety Disorder: What Does It Add? Journal of Anxiety Disorders, 26(6), 665–672.

Martin, P.F. (2018). Avoidant Personality – Causes and symptoms, Diagnosis, Treatment. Psychology.

Oldham, J.M., Skodol, A.E.,  & Bender, D.S. (2014). Specific Personality Disorder. The American Psychiatric Publishing textbook of personality disorders (2nd ed.). Washington, DC : American Psychiatric Publishing, a division of American Psychiatric Association.

Pfohl, B., Blum, N.S., & Zimmerman, M. (1997). Structured interview for DSM-IV personality: SIDP-IV.  Washington, DC : American Psychiatric Press.

Rettew, D.C. (2015). Avoidant personality disorder. Medscape.

Rettew, D.C., Zanarin, M.C., Yen, S., Grilo, C.M., Skodol, A.E., Shea, M.T., McGlashan, T.H.,  Morey, L.C., Culhane,M.A., & Gunderson, J.G. (2003). Childhood antecedents of avoidant personality disorder: A retrospective study. Marrë nga:  http://www.jaacap.com/article/S0890-8567%2809%2961010-8/abstract

Ribeiro, J.P. (2011). Avoidant Personality Disorder Treatment Recommendations. Health.

Ripoll, L.H., Triebwasser, J., & Sierver, L.J. (2011). International Journal of Neuropsychopharmacology, 14(9), 1257–1288

Sanderson, W.C., Wetzler, S., Beck, A.T., & Betz, F. (1994). Prevalence of personality disorders among patients with anxiety disorders. Psychiatry Research.  51(2), 167–174

Sanislow, Ch. A., Bartolini, E.E., & Zoloth, E.C. (2012). Avoidant Personality Disorder. In V. S. Ramachandran, Encyclopedia of Human Behavior (2nd ed.). Academic Press: San Diego.

Scott, S. (2006). The medicalisation of shyness: from social misfits to social fitness.  Sociology of Health and Illnes. 28(2), 133-153.

Scheller, S. (2011). Avoidant Personality Disorder Treatment Recommendations. Marrë nga: http://www.health.am/psy/more/apd_treatment_recommendations/

Widiger, Th. A. (2012). Diagnostic Criteria for Avoidant Personality Disorder Proposed  for DSM-5, (APA, 2011). The Oxford handbook of personality disorders. Oxford ; New York : Oxford University Press.

Zehra, M. , Khan, F.A., & Kumar.A. (2018). Simplifying Avoidant Personality Disorder based on reports of Rattew, Pataki, and Bressert. Medium.