“Qentë lënë gjurmët e putrave në zemrat tona” – Autor i panjohur

Jo gjithmonë humbja më e madhe që mund të përjetojmë, janë njerëzit. Të gjesh rehati e mbështetje afër një shoku, siç mund të jetë qeni ynë, është dhurata më e çmuar që njeriu mund të fitojë në jetë. Ka diçka në sytë e qenve, që na bën t’i duam pa kushte, ndoshta se pse e tillë është edhe dashuria që ata të ofrojnë, e pakushtëzuar. Janë ata që mund edhe të rrënojnë shtëpinë tuaj, por që kurrë nuk do t’ ju thyejnë zemrën.

Shpenzimi i kohës dhe të jetuarit me një kafshë shtëpiake të siguron një ndjenjë të rehatisë, dashurisë së pakushtëzuar, si dhe një ndjenjë sigurie (Melson & Fine, 2006; Schmall & Pratt, 1986; Wrobel & Dye, 2003). Marrëdhënia midis qenieve njerëzore dhe kafshëve të tyre perceptohet dhe kuptohet në kontekstin e zhvillimit personal. Për shumë arsye komplekse, lidhjet emocionale që shumë njerëz krijojnë me kafshët e tyre, jo vetëm që janë të barabarta, por në të vërtetë shpesh e tejkalojnë lidhjen emocionale që krijojnë me njerëzit (Cowles, 1985, f. 135). Sa i përket lidhjes që njerëzit kanë me kafshë, studime të shumta raportojnë se shumë pronarë amerikanë i shohin kafshët e tyre si një lloj shoku, familjar apo edhe si zëvendësues të fëmijëve (Wrobel & Dye, 2003; Cohen, 2002; Planchon, Templer, Stokes & Keller, 2002).

Por çfarë ndodh kur humbasim kafshën shtëpiake? Si e përballojmë një humbje të tillë?

Zija është një përgjigje e shëndetshme dhe normale që vjen si rezultat i humbjes së dikujt që e duam. Ndërsa shoqëria pranon se mbajtja e zisë për vdekjen e një të dashuri nuk është vetëm normale, por e shëndetshme dhe e domosdoshme, mbajtja e zisë për humbjen e një kafshe shtëpiake shpesh shihet ndryshe. Shprehja e ndjenjave shpesh bëhet e pavlefshme, kur në të vërtetë, humbja e kafshëve është një formë unike e pikëllimit që mund të jetë mjaft intensive dhe mund të ketë efekte negative në mirëqenien psikologjike, duke rritur ndjeshmërinë e individit ndaj stresit dhe duke i lënë ata të ndihen të izoluar dhe të keqkuptuar (Ross & Baron-Sorensen, 2007).

Sharkin dhe Bahrick (1990) deklarojnë se “Pikëllimi për humbjen e një kafshe shtëpiake mund të jetë aq intensiv sa edhe humbja e një personi të rëndësishëm, mirëpo humbja e një kafshe ka më shumë gjasa për të mos u njohur apo pranuar nga të tjerët” (f. 306). Sipas Cowles (1985) ndërsa procesi i zisë përmes të cilit pronarët e kafshëve kalojnë është i ngjashëm me atë që përjetohet me vdekjen njerëzore, ka edhe disa aspekte të tjera unike “(fq. 146). Disa autorë mendojnë se procesi i zisë zakonisht fillon me mosbesim dhe mohim, pasuar nga ndjenjat e zemërimit. Pas ndjenjave të zemërimit, zakonisht fillojnë të përjetohen ndjenjat e fajit, depresionit dhe brengosjes. Në këtë pikë, individi mund të preokupohet me kujtimet e kafshëve të tyre. Faza përfundimtare e procesit të hidhërimit përfshin zgjidhjen dhe pranimin e humbjes (Sharkin & Bahrick, 1990, f. 307). Sipas disa studimeve të tjera, vdekja e një kafshe shtëpiake shkakton që shumë pronarë t’i nënshtrohen fazave specifike të zisë, të cilat mund të përmblidhen si: “shok dhe mohim”, “dhimbje dhe vuajtje emocionale” dhe “pranim dhe zgjidhje” (Ross & Baron-Sorensen, 2007, fq.18).

Për shkak se shoqëria tenton të nënvlerësojë rëndësinë e lidhjeve dhe ndikimin e humbjes së një kafshe shtëpiake, shumë njerëz vuajnë në heshtje, duke ndjerë se të tjerët nuk e kuptojnë ose as nuk e pakësojnë pikëllimin e tyre. Komentet e pandjeshme, të tilla si “është vetëm një kafshë”, nënkuptojnë që mbajtja e zisë dhe pikëllimi i individit për humbjen e tij është i papërshtatshëm ose se lidhja ishte “jonormale”. Në këto raste, por jo vetëm, klinicistët mund të inkurajojnë familjet për të krijuar ritualet shëruese për të mbajtur zi për humbjen dhe për të nderuar kafshën e tyre (Imber-Black, Roberts & Whiting, 2003). Me sëmundjet e kafshëve dhe vendimet e marra për t’i dhënë fund jetës së tyre, terapistët e familjes mund të luajnë një rol të rëndësishëm në lehtësimin e proceseve pasuese (Hafen, Rush, Reisbig, McDaniel & White, 2007). Duke folur për humbjen tuaj, do t’ju sjellë në një pikë ku mund të reflektoni për kohën e mirë që keni kaluar me kafshën tuaj, por të vazhdoni të ecni përpara me jetën. Disa autorë thonë se pikëllimi vjen si pasojë e humbjes së një dashurie të madhe (Clark, 2017); nëse ju ose një i dashur i juaj ka humbur një kafshë, përpiquni të mbani mend atë duke e ruajtur kujtimin për te. Ndoshta jeta jonë do të ishte më ndryshe, sikur të gjithë ne të provonim ta shihnim botën nga sytë e tyre!

Autore: Kestrina Ahmeti

Referencat:

Clark, A. (2017). Four Steps to Take After Experiencing Pet Loss. Psychology Today.

Cohen, S. P. (2002). Can pets function as family members? Western Journal of Nursing Research. Special Issue: Human–Animal Interaction 24(6): 621–638.

Cowles, K. V. (1985). The death of a pet: Human responses to the breaking of the bond. Marriage & Family Review, 8 (3-4), 135-146.

Hafen, M., Rush, B., Reisbig, A., McDaniel, K., & White, M. (2007). The role of family therapists in veterinary medicine: Opportunities for clinical services, education, and research. Journal of Marital and Family Therapy, 33(2), 165–176.

Imber-Black, E., Roberts, J., & Whiting, R. (Eds.). (2003). Rituals in families and family therapy. (2nd ed.). New York: Norton.

Melson, G.F. (2003). Child development and the human-companion animal bond. Animal Behavioral Scientist, 47(1), 31–39.

Planchon, L. A., Templer, D. I., Stokes, S., & Keller, J. (2002). Death of a companion cat or dog and human bereavement: Psychosocial variables. Society & Animals 10(1): 93–105.

Ross, C. B., & Sorensen, J. B. (2007). Pet loss and human emotion. London, England: Routledge, pg. 18.

Schmall, V. L., & Pratt, C. (1986). Special friends: Elders and pets. Generations: 10, 44–45.

Sharkin, B. S., & Bahrick, A. S. (1990). Pet loss: Implications for counselors. Journal of Counseling & Development, 6, 306-308.