Njerëzit që flasin shumë për veten nuk janë narcisizt siç mund të pritet. Në vend të kësaj, hulumtuesit gjetën se personat që vazhdimisht përdorin ‘unë’ dhe ‘mua’ mund të jenë të prirur për depresion, ankth dhe emocione tjera negative.

Ne të gjithë e njohim dikë që duket se i pëlqen të flasë shumë për vetën ose të tjerët të flasin për të. Megjithatë, përderisa përdorimi i përemrave “unë, unë, unë” dhe “mua, mua, mua” mund të na bindë se po bisedojmë me një narcisizt klasik, shkenca na sugjeron se në këtë rast nuk duhet të jemi aq të shpejtë për të gjykuar.

Studiuesit në Universitetin e Arizonës gjetën në një studim të vitit 2015 se përdorimi i shpeshtë i përemrave të vetës së parë njëjës – unë, mua dhe imi – nuk është, në fakt, një tregues i narcisizmit. Në vend të kësaj, sipas një studimi të ri nga UA në Gazetën e Personalitetit dhe Psikologjisë Sociale, ky i ashtuquajtur “I-talk” mund të sinjalizojë se dikush është i prirur ndaj shqetësimit emocional.

Hulumtimet në institucionet tjera kanë sugjeruar që “I-talk”, edhe pse jo një tregues i narcisizmit, mund të jetë një shënues për depresionin. Përderisa, një studim i ri e konfirmon këtë lidhje, hulumtuesit e UA kanë gjetur një lidhje edhe më të madhe në mes niveleve të larta të “I-talk” dhe një prirjeje psikologjike të emocionalitetit negativ në përgjithësi. Emocionaliteti negativ i referohet një tendence të lehtë të shqetësimit emocional, që do të thotë të përjetosh depresion, ankth, shqetësim, tension, zemërim apo emocione të tjera negative, tha Allison Tackman, shkencëtar hulumtues në Departamentin e Psikologjisë të UA dhe autori kryesor i studimit të ri. Tackman dhe bashkëautorët e saj gjetën se kur njerëzit flasin shumë për veten, mund të jetë shenjë treguese e depresionit, por njëkohësisht edhe prirje e ankthit ose e një numri emocionesh tjera negative. Prandaj, “I-talk” nuk duhet të konsiderohet një shënues vetëm për depresionin.

Pra, si mund të konsiderohet se flasim shumë për veten? Sipas Mehl, personi mesatar flet rreth 16,000 fjalë në ditë, rreth 1,400 prej të cilave janë përemrat e vetës së parë njëjës. Personat që janë të prirur për ankth mund të përdorin “unë, mua dhe imi” deri në 2.000 herë në ditë.

Autor:

Tuena Govori

Referenca:

Tackman, A. M., Sbarra, D. A., Carey, A. L., Donnellan, M. B., Horn, A. B., Holtzman, N. S., … Mehl, M. R. (2018). Depression, Negative Emotionality, and Self-Referential Language: A Multi-Lab, Multi-Measure, and Multi-Language-Task Research Synthesis. Journal of Personality and Social Psychology. DOI: 10.1037/pspp0000187