Çrregullimi narcistik (ÇNP) është pjesë e grupit B të çrregullimeve të personalitetit, ku po ashtu bëjnë pjesë edhe çrregullimi antisocial, borderline si dhe histrionik i personalitetit. Personat me një çrregullim të tillë karakterizohen nga tri elemente kryesore që janë: këndvështrimi i ekzagjeruar për veten, mungesa e ngrohtësisë ose empatisë ndaj të tjerëve dhe përdorimi i strategjive të ndryshme për të ruajtur imazhin që është krijuar për veten (Baumeister & Campbell, 2006). Duke ju referuar DSM-V (American Psychiatric Association, 2013), tiparet kryesore të pesonave me këtë çrregullim kanë të bëjnë me një model të ekzagjeruar të madhështisë (në fantazi ose sjellje) si dhe nevojë të vazhdueshme për t’u ndjerë i dëshiruar dhe admiruar nga të tjerët, mungesë të empatisë duke filluar nga mosha e hershme e rritur e cila është e pranishme në kontekste të ndryshme. Se a ka një person ÇNP apo jo, indikohet nga prania e pesë (ose më shumë) aspekteve të përmendura më poshtë. Te personat me këtë çrregullim hasim një ndjenjë të fryrë të vet-rëndësisë, janë të preokupuar me fantazinë për suksesin e pakufi, fuqinë, shkëlqimin, bukurinë apo dashurinë ideale, besojnë se janë të veçantë dhe unik si dhe mund të krijojnë marrëdhënie vetëm me njerëz të tillë që i takojnë statusit të tyre (jo real), janë vazhdimisht në kërkim të admirimit, mendojnë se kanë gjithmonë të drejtë, në marrëdhëniet ndërpersonale janë shfrytëzues të të tjerëve, shpesh janë ziliqarë për të tjerët ose besojnë se të tjerët janë ziliqarë ndaj tyre, tregojnë sjellje arrogante ose qëndrime të tilla.

Personat e dignostifikuar me ÇNP quditërisht ndodh të jenë profesionalisht të sukseshëm, të kenë vazhdimisht funksionim normal në rutinën jetësore dhe lidhje të shëndosha me shoqërinë, kjo pasi jo gjithmonë simptomat janë të shprehura në mënyre tipike, ato madje manifestohen ndryshe tek persona të ndryshëm (Ronningstam & Weinberg, 2013). Kjo gjë e komplikon diagnostifikimin me këtë çrregullim. Disa persona që janë të diagnostifikuar me këtë çrregullim kanë mungesë të plotë të simptomave, madje disa kanë tendencë t’i fshehin ato. Përderisa tek disa, çrregullimi manifestohet me tipare tipike antisociale dhe psikotike, disa të tjerë përkundrazi shfaqin sjellje me parime të larta etike dhe morale. Disa kanë vetëbesim të lartë, janë arrogantë përderisa të tjerë janë shumë modest. Disa tregojnë sjellje agresive, dominuese, janë manipulatorë, të tjerë përkundrazi mund të jenë të dashur dhe të shoqërueshëm. Kjo mori e paraqitjes së simptomave e bënë më të vështirë diagnostifikimin. Fakti që DSM-V përshkruan vetëm një lloj relativisht homogjen të kësaj sindrome e komplikon procesin e diagnostifikimit dhe lë hapësirë për të hulumtuar më thellë sa i përket kësaj fushe (Levy, 2012). Duhet pasur parasysh se në anën tjetër ka një literaturë të pasur që mbështetë idenë se ekzistojnë nënlloje të ndryshme të këtij çrregullimi, kjo për shkak të dinamikës dhe llojeve të ndryshme të manifestimit të simptomave të çrregullimit në fjalë.

Trajtimi i personave me çrregullim narcistik të personalitetit është fushë ende e paeksploruar në detaje. Personat me ÇNP marrin një gamë të gjerë ndërhyrjesh përkundrejt faktit që nuk ka qasje specifike për këtë çrregullim. Psikoterapitë që përdoren zakonisht për trajtimin e ÇNP janë terapia psikoanalitike, terapia kognitiv-bihejviorale, terapia dialektike e sjelljes, terapia kognitive analitike, terapia me fokus në skema etj (Stoffers, et al., 2012). Një frymë adekuate dhe e mirëfilltë në procesin terapeutik me personat me këtë çrregullim paraqet sfidë në vete. ÇNP ka natyrë të veçantë të manifestimit në kuadër të psikoterapisë. Gjatë procesit terapeutik mund të paraqiten shumë problematika; klienti bëhet tejet llafazan, ka tendencë të flas shumë për veten, të mburret, pritje për ndonjë trajtim të veçantë, mungesë të respektimit të shëndetit dhe marrëdhënie problematike me ofruesit e trajtimit si dhe tolerancë të ulët ndaj ankthit (Ennis, Kacel, & Pereira, 2017). Të gjitha kto problematika që vinë nga personi me këtë çrregullim ndikojnë negativisht në procesin e trajtimit. Vërehen kufijtë e dobët sa i përket raportit me terapistin, ambivalenca rreth ndryshimit që shoqërohet me vetëbesim të ulët dhe shtrembërimet kognitive. Pengesë tjetër në progresin e trajtimit e që mund të haset tek pacientët është hipersensitiviteti dhe paranoja si në terapi ashtu edhe në jetën e përditshme

Kur flitet për çrregullime, është me rëndësi që të shikohet sa është “i zakonshëm” çrregullimi dhe çfarë shpërndarje ka në popullsi, për këtë bëhet vlerësimi i prevalencës. Rishqyrtimet e literaturës kanë dëshmuar se çrregullimet e personalitetit janë çrregullimet më të përhapura psikiatrike dhe paraqesin një prej preokupimeve më të rëndësishme sa i përket shëndetit publik (Brunero & Lamont, 2009). Specfikisht, prevalenca e ÇNP vazhdon të jetë e varfër në aspektin e definimit dhe kjo gjë është pasqyrë e mungesës së qartësisë sa i përket diagnozave. Zakonisht prevalenca e cituar për çrregullimin narcistik ka një vlerë prej 0% deri në 5.3% në popullësinë e përgjithshme, ndërsa në mostrat klinike është raportuar të jetë prej 1% deri në 17%. Faktorët  rrezikues për këtë çrregullim përfshijnë seksin mashkullor, moshën më të re dhe statusin e vetëm martesor ( Caligor et al., 2015).

Tek hulumtimi i prevalencës është e nevojshme që në kuadër të analizës së të dhënave të vihet theks mbi karakteristikat specifike të mostrës reprezentuse, siç mund të jenë karakteristikat sociodemografike. Për të pasur një pasqyrë më të qartë të kësaj vlen të përmendet një studim i përmasave të mëdha i realizuar në SHBA, ku 34,653 të rritur ishin pjesë e Studimit Kombëtar Epidemiologjik të Vala 2 mbi Alkolin dhe Kushtet e Ndërlidhura ( Chou et al, 2008). Sipas të dhënave të nxjerrura nga ky studim prevalenca e ÇNP ishte 6.2%, me përqindje më të madhe për meshkujt (7.7%) sesa tek femrat (4.8%). ÇNP ishte dukshëm më e përhapur në mesin e burrave dhe grave të zeza dhe grave hispanike, të rriturve më të rinjë dhe të rriturve të ndarë, të divorcuar, të ve, si dhe atyre kurrë të martuar. Nga analiza e të dhënave rezulton që ÇNP shoqërohet me aftësi të kufizuara mendore tek meshkujt. Bie në pah shkalla e lartë e komorbiditetit të këtij çrregullimi me atë përdorimit të substancave, humorit, ankthit dhe çrregullimeve të tjera të personalitetit.

Ekzaminimi empirik i bashkëndodhjes, përkatësisht komorbiditetit të çrregullimeve të pesonalitetit i lejon hulumtuesve të kuptojnë dhe të determinojnë nëse ekzistojnë çrregullime teorikisht diskrete. Një problem që shfaqet tek ÇNP është që ka një mbivendosje të shprehur me çrregullimet e tjera të personalitetit, sidomos atë histrionik, borderline, antisocial si dhe çrregullimin pasiv-agresiv të personalitetit ku zakonisht kjo ndodh me një frekuencë prej 50% (Chauhan, 2009)  Komorbiditeti mund gjendet brenda mostrave të pacientëve të diagnostikuar me ÇNP ose duke ekzaminuar shkallën e ÇNP tek individët me çrregullime të tjera. Zakonisht ndodh që personat me ÇNP nuk kërkojnë të konsultohen me profesionistët e fushës për shkak të paraqitjes së simptomave të çrregullimit përkatës (Fydrich et al, 2009). Realisht në shumicën e rasteve ata bëhen të vetëdijshëm për problemet e tyre për shkak të simptomave më gjenerale që ndodhin si rezultat i bashkëshfaqjes së dy a më shumë çrregullimeve – komorbiditetit, andaj është kaq i rëndësishëm hulumtimi i këtij aspekti sa i përket çregullimeve.

Në një studim që është bërë me qëllim të hulumtimit të komorbiditetit të çrregullimit narcistik dhe çrregullimit borderline të personaliteti (ÇBP), mostra reprezentive ka pasur 62 pjesëmarrës prej të diagnostifikuar me ÇNP, 62 me ÇBP dhe 59 të tjerë me të dy diagnozat (ÇNP/ÇBP) (Fydrich et al, 2009). Çrregullimet emocionale dhe çrregullimet e përdorimit të substancave ishin çrregullimet më të shpeshta tek personat me ÇNP. Çrregullimet e përdorimit të substancave dhe çrregullimi i stresit posttraumatik ishin të përhapura tek pacientët me ÇBP. Pacientët me ÇNP krahasuar me dy grupet tjera  treguan shkallë më të ulët të çrregullimeve komorbide të tjera si dhe pikë më të ulëta në stresin dhe depresionin e përgjithshëm. Komorbiditeti i ÇNP mund të varet nga gjendja aktuale e individit me këtë çrregullim. Për shembull, nëse individi ka përjetuar një sërë dështimesh përgjatë gjendjes së tij me çrregullim, atëherë ka shumë gjasë që çrregullimi të shoqërohet me depresion madhor. Nëse individi ëshë duke kaluar një periudhë të mirë të jetës së tij, atëherë ka mundësi që çrregullimi të shoqërohet me hipomani (Ronningstam,2011). 

Siç edhe u përmend, jo rrallë herë ndodh të ketë komorbiditet të ÇNP me çrregullime të tjera të personalitetit. Një gjë e tillë haset shpesh me çrregullimin borderline të personalitetit, gjë që konsiderohet si një faktor që komplikon diagnostifikimin dhe përdorimin e psikoterapisë adekuate (Garno et al, 2005). Këto gjetje sugjerojnë se ndërsa ka një mbivendosje në mes të dy çrregullimeve të reflektuar në shkallë të lartë të komorbiditetit, ato nuk janë aspak “sinonim”. Studime të tilla kërkojnë më shumë kërkime mbi shkallën në të cilën ÇNP mund të jetë një çrregullim i veçuar, diskret i personalitetit që mund të ndikojë në mënyrën e shfaqjes, të prezantimit dhe trajtimit të patologjisë së personalitetit. Në një studim të kryer me një mostër prej 188 personave të diagnostifikuar me çrregullim, 25 prej tyre kanë përmbushur kriteret për tu diagnostifikuar edhe me ÇNP (Clarkin et al, 2017). Personat që kanë treguar komorbiditet ndërmjet këtyre dy çrregullimeve plotësuan më shumë kritere për komorbiditet me çrregullimin skizotipal, histrionik dhe atë paranoik.

Gjetje të shumta pohojnë se qasja që DSM-V ka sa i përket ÇNP është shumë e varfër dhe ka një perspektivë të ngushtë për mënyrën se si ky çrregullim ekzaminohet. Ka ende hapsirë dhe nevojë për ta pasuruar dhe diferencuar pikëpamjen për këtë çrregullim e madje edhe çrregullimet tjera të personalitetit (Bradlz et al, 2008). Ka mjaftushëm faktorë që na bëjnë të kuptojmë se sa dinamike është bota e çrregullimeve, specfikisht e ÇNP. Nga çka u tha mund të vërejmë se ka një mori arsyesh pse ky çrregullim duhet të merret më në konsideratë, si një lloj i veçantë i çrregullimit. Faktorë që zgjojnë kureshtjen për këtë çrregullim mund të jenë shkalla e prevalencës, raportet e gjera klinike dhe empirike dhe faktet psikiatrike (Ronningstam & Weinberg, 2013).

Autore:

Elsa Hoxha

Referencat:

American Psychiatric Association. (2013). Diagnostic and  statistical manual of mental disorders (5th ed.). Washington, DC:

Baumeister, R. F., & Campbell, W. K.,  (2006). Narcissistic Personality Disorder. Practitioner’s Guide to Evidence-Based Psychotherapy, 423-431.

Bradley, R., Russ, E., Shedler, J., & Westen, D. (2008). Refining the Construct of Narcissistic Personality Disorder: Diagnostic Criteria and Subtypes. American Journal of Psychiatry, 165(11), 1473-1481.

Brunero, S., &  Lamont, S. (2009). Personality Disorder Prevalence and Treatment Outcomes: A Literature Review. Issues in Mental Health Nursing, 30(10), 631-637.

Caligor, E., Levy, K. N., & Yeomans, F. E. (2015). Narcissistic Personality Disorder: Diagnostic and Clinical Challenges. American Journal of Psychiatry, 172(5), 415-422.

Chauhan, P., Clarkin, J., Levy, K., Reynoso, J., & Wasserman, R. (2009). Narcissistic Pathology: Empirical Approaches. Psychiatric Annals, 39(4), pp. 203-213.

Chou, S. P., Dawson, D. A., Huang, B.,  Goldstein, R. B.,  Smith, S. M., Stinson, F. S.,  … Grant, B. F. (2008). Prevalence, Correlates, Disability, and Comorbidity of DSM-IV Narcissistic Personality Disorder: Results from the Wave 2 National Epidemiologic Survey on Alcohol and Related Conditions. The Journal of Clinical Psychiatry69(7), 1033–104

Clarkin, J. F., Diamond, D., Doering, S., Fischer-Kern, M.,  Hörz-Sagstetter, S.,   Levy, K. N.,. . . Rentrop, M (2017). Clinical Characteristics of Comorbid Narcissistic Personality Disorder in Patients With Borderline Personality Disorder. Journal of Personality Disorders, 1-14.

Duggan, C., Ferriter, M., , Gibbon, S., Jones, H., Lieb, K., Stoffers, J. M.  . . . Völlm, B. A.,  (2012). Psychological interventions for people with narcissistic personality disorder. Cochrane Database of Systematic Reviews.

Fydrich, T., Heuser, I.,  Lammers, C., Merkl, A., Ritter, K., & Roepke, S. (2009). Komorbiditäten bei Patienten mit einer Narzisstischen Persönlichkeitsstörung im Vergleich zu Patienten mit einer Borderline-Persönlichkeitsstörung. PPmP – Psychotherapie · Psychosomatik · Medizinische Psychologie, 60(01), 14-24.

Garno, J. L., Goldberg, J. F., Ramirez, P. M., & Ritzler, B. A. (2005). Bipolar Disorder With Comorbid Cluster B Personality Disorder Features: Impact on Suicidality. The Journal of Clinical Psychiatry, 66(3), 339-345.

Kacel, E. L., Ennis, N., & Pereira, D. B. (2017). Narcissistic Personality Disorder in Clinical Health Psychology Practice: Case Studies of Comorbid Psychological Distress and Life-Limiting Illness. Behavioral Medicine (Washington, D.C.)43(3), 156–164.

Levy, K. (2012). Subtypes, Dimensions, Levels, and Mental States in Narcissism and Narcissistic Personality Disorder. Journal of Clinical Psychology, 68(8), pp. 886-897.

Ronningstam, E. (2011). Narcissistic personality disorder in DSM-V: In support of retaining. a significant diagnosis. Journal of Personality Disorders, 25, 248–259.

Ronningstam, E., & Weinberg, I. (2013). Narcissistic Personality Disorder: Progress in Recognition and Treatment. Focus, 11(2), 167-177.

Ronningstam, E., & Weinberg, I. (2013). Narcissistic personality disorder: Progress in recognition and treatment. Focus, 11, 1–12.