Në ndihmën që duhet dhënë fëmijëve me aftësi të kufizuara, përfshihet edhe një aspekt tjetër shumë i rëndësishëm: përkrahja e prindërve të tyre. Motivi, vullneti dhe ndihma e ofruar ndaj fëmijëve me aftësi të kufizuara është e pamohueshme. Në anën tjetër, prindërit janë po aq në nevojë për të marrë mbështetje emocionale dhe psikike në rrugëtimin e tyre. Shpeshherë, ne harrojmë atë se çfarë një prind është duke përjetuar. Ndonjëherë, janë ata të cilët kanë më së shumti nevojë për këshilla apo thjesht një fjalë dashamirësie apo një përqafim të ngrohtë.

Ekzistojnë forma nga më të ndryshmet për të bërë suport të prindërve me fëmijë me aftësi të kufizuara. Ne si shoqëri mund të japim shumë dhe secili nga ne mund të luaj një rol të caktuar. Familjarët, mësuesit dhe shoqëria mund të bëjnë që barra e një prindi të lehtësohet nga ndihma që i’u ofrohet atyre.

 

  1. Ji pranë tyre sa herë që ata kanë nevojë: Të qëndrosh afër prindërve në raste kur ata kanë nevojë, ndikon që ata të ndihen të përkrahur dhe jo të vetëm. Një bisedë relaksuese me ta bën që ata të jenë më të qetësuar dhe të motivuar për të vazhduar më tutje.
  2. Ofroni ndihmë në raste kur fëmijët e tyre ndihen keq: Të shohësh një prind i cili përballet çdo ditë me vështirësi në zhvillimin e fëmiut të tyre nuk është e lehtë. Detyra jonë është që, të ofrojmë ndihmë nëse shohim se një fëmijë është duke përjetuar kriza epileptike apo manifestim të shenjave të hiperaktivitetit.
  3. Sugjeroni prindërit që të konsultohen me një terapist në rast nevoje: Në rast se një prind është i disinkurajuar apo ndihet i depresionuar për gjendjen e tij, drejtojeni atë te një terapist apo këshillues. Kjo mund të ndihmojë që prindërit të ndajnë pak kohë për veten dhe të ndihen më mirë pas mbajtjes së një terapie.
  4. Përkrahni fëmijët e tyre në ndërveprime sociale: Një gjë shumë pozitive që mund t’i ndihmojë prindërit e fëmijëve me aftësi të kufizuara është përkrahja e fëmijëve të tyre. Secili prind do të ndihej mirë nëse, një person do të ndante kohë për fëmiun e tij apo, do ta merrte për një shëtitje ditore. Poashtu, një formë tjetër e ndihmës do të ishte përfshirja e fëmijëve në bashkëveprim social me fëmijët e tjerë. Prindërit do të ndiheshin mjaft të gëzuar nëse, fëmijët e tyre do të trajtoheshin si pjesë e barabartë e shoqërisë.

Këto janë vetëm disa nga hapat që ne mund t’i ndërmarrim. Nëse ne si shoqëri, u kushtojmë vëmendje dhe kujdes fëmijëve dhe prindërve, do të ndikojmë që jeta e tyre të jetë më e lumtur.

 

Autore:

Tringa Visoka

 

Referencat:

Meyers, S. (2013). Empathy of parents in special needs. American Journal of Psycholog, 234-340.

Peters, D. (2016). Children with special needs need special parents. Journal of Educational Psychology.