Është e rëndësishme të kujdesesh për veten dhe të përfitosh më shumë nga jeta. Më poshtë janë 10 mënyra praktike për t’u kujdesur për shëndetin tuaj mendor. Bërja e ndryshimeve të thjeshta në mënyrën se si jetoni, nuk duhet të kushtojë shumë apo të marrë shumë kohë. Çdokush mund t’i ndjekë këto këshilla. Pse të mos filloni sot?

  • Flisni për ndjenjat tuaja. Biseda për ndjenjat tuaja mund t’ju ndihmojë të mbani një shëndet të mirë mendor, ajo mund të jetë një mënyrë për të përballuar një problem që ju mbani në kokë për kohë të gjatë. Vetëm duke qenë i dëgjuar nga të tjerët, mund t’ju ndihmojë të ndiheni të mbështetur dhe më pak të vetëm. Nëse hapeni, kjo mund t’i inkurajojë të tjerët që të bëjnë të njëjtën gjë.
  • Qëndroni aktiv. Ekspertët besojnë se stërvitja liron kimikate në tru që të bëjnë të ndihesh mirë. Ushtrimet e rregullta mund të rrisin vetëbesimin tuaj dhe t’ju ndihmojnë të përqendroheni, të flini, të dukeni dhe të ndiheni më mirë. Ushtrimi nuk do të thotë vetëm të bësh sport apo të shkosh në palestër. Shëtitjet në park, marrja me kopshtari apo punët e shtëpisë, mund t’ju mbajnë gjithashtu aktiv. Rekomandohen rreth 30 minuta stërvitje së paku pesë ditë në javë.
  • Hani shëndetshëm. Ushqimi mund të ketë gjithashtu një efekt afatgjatë në shëndetin tuaj mendor. Truri juaj ka nevojë për një larmi të lëndëve ushqyese për të qëndruar i shëndetshëm dhe për të funksionuar mirë, ashtu si organet e tjera në trupin tuaj.Një dietë që është e mirë për shëndetin tuaj fizik është gjithashtu e mirë për shëndetin tuaj mendor.

Një dietë e ekuilibruar e shëndetshme përfshin:

– Shumë lloje të ndryshme të frutave dhe perimeve

– Drithëra të bollshme ose bukë

– Arra dhe fara

– Produktet e qumështit

– Peshk

– Shumë ujë

Hani të paktën tre vakte çdo ditë dhe pini shumë ujë. Mundohuni të kufizoni sa më shumë kafeinën apo pijet me sheqer, dhe të shmangni alkoolin.

  • Pini arsyeshëm. Ne shpesh pijmë alkool për të ndryshuar disponimin tonë. Disa njerëz pinë si mënyrë e ballafaqimit me frikën ose vetminë, por efekti është i përkohshëm. Pirja nuk është një mënyrë e mirë për të menaxhuar ndjenjat e vështira. Ka mënyra më të shëndetshme të përballimit me kohë të vështira.
  • Mbani kontaktet. Lidhjet e forta familjare dhe miqtë mbështetës mund t’ju ndihmojnë të përballoni streset e jetës. Miqtë dhe familja mund t’ju bëjnë të ndiheni të përfshirë dhe të kujdesshëm. Ata mund të ofrojnë pikëpamje të ndryshme nga çka po ndodh brenda kokës suaj. Ja vlen të investosh në marrëdhënie që të bëjnë të ndihesh i dashur apo i çmuar. Por nëse mendoni se jeni rreth dikujt që dëmton shëndetin tuaj mendor, mund të jetë më mirë të largoheni prej tyre.
  • Kërkoni ndihmë. Asnjëri prej nesh nuk është mbinjerëzor. Ne të gjithë ndonjëherë lodhemi apo mbingarkohemi nga mënyra se si ndihemi kur gjërat shkojnë keq. Nëse mendoni se nuk mund të përballoni ndonjë situatë, kërkoni ndihmë. Familja ose miqtë tuaj mund të jenë në gjendje të ofrojnë ndihmë praktike ose një vesh dëgjimi. Shërbimet lokale janë aty për t’ju ndihmuar, gjithashtu.
  • Bëni pushim. Ndryshimi i skemës ose ndryshimi i ritmit është i mirë për shëndetin tuaj mendor. Mund të jetë një pauzë prej pesë minutash nga pastrimi i kuzhinës suaj, një pushim gjysmë ore në drekë ose një fundjavë duke eksploruar. Merrni frymë thellë … dhe relaksohuni. Provoni joga ose meditim.
  • Bëni diçka në të cilën jeni të mirë. Kryerja e një aktiviteti që e shijoni do të thotë se je i mirë në të dhe arritja e diçkaje rrit vetëvlerësimin tënd.Përqendrimi në një hobi si kopshtari ose fjalëkryqe mund t’ju ndihmojë të harroni shqetësimet tuaja për një kohë dhe të ndryshoni gjendjen tuaj.
  • Pranojeni veten. Të gjithë jemi ndryshe. Është shumë më e shëndetshme të pranosh se je unik, se të duash që të ishit më shumë si dikush tjetër.Të ndihesh mirë për veten, nxit besimin tënd për të mësuar aftësi të reja, për të vizituar vende të reja dhe për të bërë miq të rinj.Vetëbesimi i mirë ju ndihmon të përballeni me situatat kur jeta merr një kthesë të vështirë.
  • Kujdesi për të tjerët. Kujdesi për të tjerët shpesh është një pjesë e rëndësishme e mbajtjes së marrëdhënieve me njerëz të afërt me ju. Pse të mos ndani aftësitë tuaja më gjerësisht duke qenë vullnetar për një bamirësi lokale? Ndihma mund të na bëjë të ndihemi të nevojshëm dhe të çmuar, gjë që rrit vetëbesimin tonë.

Përgatiti:

Nitë Ymeri


Referenca:

Blishen, S., & Brown, M. (2019). How to look after your mental health. Mental Health Foundation.