Drejt një diagnoze të hershme përmes aftësive të dëgjimit
Pothuajse 10% e popullsisë në të gjithë botën vuajnë nga disleksia. Vërtetimi i një diagnoze sa më të hershme do të lejonte zhvillimin e programeve të ndryshme trajnuese për ta lehtësuar këtë çrregullim. Falë një studimi të kryer nga “Basque Centre” me temën: “Kognicioni, Truri dhe Gjuha (BCBL)”, tani mund të jemi më afër arritjes së këtij qëllimi, duke i shoqëruar përpunimin e dëgjimit te fëmijët në aftësitë e tyre të leximit. Rezultatet ofrojnë një qasje të re për zbulimin e rrezikut para se fëmijët të mësojnë të lexojnë. Vështirësia në njohjen e fjalëve, dekodimi dhe problemi në të shkruar, kufizimi i kuptimit të leximit, janë disa nga pasojat kryesore të disleksisë, një çrregullim njohës me prejardhje neurologjike, në të cilën një diagnozë e vonuar është hendikepi kryesor. Ky studim, ka vërtetuar një marrëdhënie në mes të kapacitetit të fëmijëve për të mësuar se si të lexojnë dhe aftësinë e tyre të dëgjimit. Ky studim i publikur në Frontiers in Psycology, hedh dritë mbi zbulimin e çrregullimit dhe mund të ndihmojë në zbulimin e rrezikut të disleksisë në një fazë shumë të hershme, si dhe zhvillimin e programeve të trajnimit për t’i zbutur kufizimet e leximit në një bazë parandaluese.

“Aftësia e fëmijëve për të dëgjuar dhe për të përpunuar gjuhën është një faktor vendimtar në të mësuarit për të lexuar”, shpjegon Paula Ríos-López, hulumtuese e këtij studimi. Aktualisht, ne duhet të presim që fëmijët ta arrijnë moshën 9 vjeçare në mënyrë që ta diagnostikojmë disleksinë. Megjithatë, rezultatet e qendrës së San Sebastianit nënkuptojnë se matja e kapacitetit të dëgjimit te fëmijët në një moshë shumë të hershme, mund të na lejojë t’i identifikojmë ata individë, që mund të kenë probleme në lexim dhe prandaj të jenë më të ndjeshëm ndaj disleksisë.
Por, aktivitete të ndryshme të trajnimit mund të zbatohen edhe para moshës 9 vjeç, siç janë: Prozodia (theksi, toni dhe intonimin) dhe ritmet e gjuhës së bashku me programet e dizajnuara për t’i lehtësuar vështirësitë në lexim. Me qëllim që t’i përmirësojmë aftësitë e fëmijëve në lexim dhe t’i shmangim çrregullimet e ardhshme.
Rëndësia e ritmit

Studimi është kryer në 40 fëmijë të klasës së dytë dhe të pestë të shkollës fillore. Për ta demonstruar marrëdhënien midis aftësisë për të mësuar se si të lexojnë dhe aftësive të dëgjimit, fëmijët u ekspozuan ndaj një pseudo-fjale (një fjalë e shpikur pa kuptim), të cilën fëmijëve iu kërkua ta përsërisnin me gojë kur u pyetën për këtë.
Eksperimenti tregoi se kjo fjalë u kuptua më mirë kur u parapri nga frazat e prodhuara vetëm me informacione prozodike, që do të thotë se atëherë kur informacioni përbëhej vetëm nga ritmet dhe intonacionet, pa foneme të çfarëdo lloji. Fëmijët që dhanë rezultate më të dobëta në testin e aftësisë së leximit ishin ata fëmijë që morën më shumë ndihmë nga fraza me informata prozodike për të kuptuar dhe përsëritur me sukses pseudo-fjalën e kërkuar.

Pra, fëmijët që nuk përpunojnë në mënyrë optimale tingujt e frekuencave të ulëta (tonet, thekset dhe intonimet e të folurit) kanë vështirësi më të mëdha në dekodimin e saktë të fonemave dhe të fjalëve – dhe kjo nga ana tjetër lidhet drejtpërdrejt me kapacitetin e leximit dhe çrregullimet e mundshme.
“Ritmi i ofron trurit çelësin për ta përqendruar vëmendjen e auditorit në momentet kur informacioni i rëndësishëm për perceptimin e fjalës shfaqet”, shpjegon Ríos-López. “Kur truri parashikon paraqitjen e një informacioni të tillë, prodhohet një gjendje ngacmuese, me rekrutimin e neuroneve të destinuara për t’u përshtatur me të”, përfundon ajo.

Autor:
Granit Haliti.

Referenca:
Ríos-López, P., Molnar, M., Lizarazu, M & Lallier, M. (2017). The Role of Slow Speech Amplitude Envelope for Speech Processing and Reading Development. Frontiers in Psychology.