Që nga mosha e vegjëlisë ne projektojmë të ardhmen tonë dhe fillojmë të ndërtojmë një skemë imagjinare rreth imazhit tonë ideal. Një shtëpi e bukur me një pishinë pranë, një punë me të ardhura të mira mujore dhe të qeshura të pafundme të fëmijëve, është një pasqyrë e asaj perfektes, çka shumë nga ne synojmë të arrijmë. Jo pa arsye, të qenurit prind është qershia mbi tortë. Është pikërisht ky fakt, ai që e kulmon jetën tonë. Forma sesi prindërit i rrisin fëmijët e tyre ka bërë që të dallohen disa stile të prindërimit.

 

Studiues të ndryshëm të psikologjisë kanë renditur 4 nga këto stile dhe kanë shpjeguar në hollësi, benefitet dhe mangësitë që sjellë secili stil i prindërimit:

Stili autoritar: Ky lloj stili i jep fëmijës shumë dashuri dhe njëkohësisht shumë kontroll. Këta prindër vendosin rregulla strikte për fëmijët e tyre por në anën tjetër edhe japin dashuri të pafund. Ata mundohen që të bëjnë një balancë ndërmjet kritikës dhe dashurisë. Fëmijët që rriten me këtë stil të prindërimit janë më të lumtur dhe shënojnë nivel më të lartë të vetëbesimit.

Stili autoritarian: Prindërit që praktikojnë këtë stil japin pak dashuri e shumë kontroll. Me siguri ju ka rastisur që të keni punë me “prindër të vështirë”. Pikërisht, prindërit e tillë priren të jenë autoritarian. Detyrat e shumta, rregullat e përpikta dhe orari i rregullt janë disa nga gjërat që prindërit me këtë stil të prindërimit i praktikojnë me fëmijët e tyre. Fëmijët që rriten me këtë stil priren që të jenë shumë striktë dhe të kenë mungesë të interaksioneve sociale.

Stili tolerues: Ky stil u jep fëmijëve shumë dashuri dhe pak kontroll. Prindërit me këtë stil të prindërimit janë të ngrohtë, të kujdesshëm dhe vendosin shumë pak rregulla për fëmijët e tyre. Ata pritet të jenë shokë me fëmijët e tyre dhe të krijojnë një marëdhënie shoqërore me ta.

Stili neglizhent/ i papërfshirë: Stili i fundit i prindërimit është ai neglizhent apo thënë ndryshe i papërfshirë. Në këtë lloj të prindërimit ofrohet pak dashuri dhe pak kontroll. Siç nënkuptohet nga vetë emërtimi, prindërit e këtillë interesohen shumë pak për fëmijët dhe pothuajse nuk angazhohen fare në edukimin e të vegjëlve të tyre. Kjo ndikon që fëmijët të shfaqin sjellje delikuente në të ardhmen dhe të hasin në vështirësi emocionale dhe komunikative.

 

Autore:

Tringa Visoka

 

Referenca:

Milevsky, A. (2006). Maternal and Paternal Parenting Styles in Adolescents. Journal of Child and Family Studies.