Ne shpesh i’a atribuojmë problemet financiare vendimeve të këqija të jetës: Pse nuk vazhdoi ky person kolegjin? Pse nuk zgjodhën një karrierë më fitimprurëse? Pse kishin kaq shumë fëmijë? Por disa studime të kohëve të fundit, supozojnë se të pasurit pak para mund të ndikojë keq në të menduarit dhe kujtesën. Në dokumentet me të reja, shkencëtarët gjetën një lidhje ndërmjet të qënit i ulët në shkallën socio-ekonomike dhe ndryshimeve në tru.

Për këtë studim, të publikuar në Proceedings of the National Academy of Sciences, hulumtuesit e Center for Vital Longevity në Universitetin e Teksasit në Dallas, skanuan trurin e 304 njerëzve të moshës 20 deri në 89 vjeç. Studiuesit po kërkonin dy gjëra: së pari, sa përmbajtje të zonës gri kishin subjektet në trurin e tyre; së dyti, si organizoheshin rrjetet e tyre të trurit. Në tru, zonat që kanë funksione të ngjashme shpesh tregojnë veprimtari të ngjashme: Zonat që kontrollojë të folurit, tentojnë të ndërveprojnë më shumë me njëri-tjetrin dhe përfshihen më pak në funksione të ndryshme trupore. Në përgjithësi konsiderohet të jetë një gjë e mirë që rrjetet e trurit të “ndahen” në këtë mënyrë.

Studiuesit i lidhën ato imazhe të trurit me edukimin e personave të hulumtuar dhe historitë e tyre të punësimit, së bashku me statusin e tyre të përgjithshëm socio-ekonomik. Doli se mes njerëzve të moshës mesatare (të moshës 35 deri në 64 vjeç), pjesëmarrësit që ishin të statusit të lartë e kishin më shumë të theksuar zonën gri dhe “segregacionin” i cili është i dobishëm në rrjetet e tyre të trurit. Që të dyjat kontribuojnë në një kujtesë më të mirë dhe konsiderohen si mbrojtëse kundër demencës dhe shenjave tjera të plakjes së trurit.

Kjo ndërlidhje e këtyre faktorëve u mbajt edhe pasi që autorët synonin gjetjen e faktorëve të tjerë si shëndeti mendor e fizik, aftësia njohëse dhe madje statusi i tyre socio-ekonomik qoftë në fëmijëri, apo në moshën e rritur. Kjo ngase, të rritur si persona të pasur apo të varfër nuk kishte domosdoshmërisht ndikim në shëndetin e trurit të njerëzve që ishin në moshën e mesme. Por duket se mund të ndikojë gjatë jetë së tyre në moshë madhore.

Çfarë mund të ishin këto gjëra? Njerëzit që kishin punë me paga më të ulëta mund të kenë pasur qasje jo të duhur në kujdes shëndetësor dhe ushqim të shëndetshëm. Ata mund të jetojnë në lagje më të ndotura ose të kenë jetë që është më pak intelektualisht stimuluese. Stresi i të qenurit i ulët në shtyllën socio ekonomike ngre nivelet e ngarkesës allostatic – një masë e hormoneve të stresit që shkaktojnë lodhje në trup dhe në tru.

“Ne po fillojmë të mësojmë më shumë për ndikimin e stresit dhe të të mësuarit e vazhdueshëm në tru,” thotë Gagan Wig, neuroshkencëtar në UTD dhe hetuesi kryesor i këtij hulumtimi. “Është në përputhje me idenë se përvojat gjatë jetës mund të ndikojnë në shëndetin e trurit”.Studimet e kaluara gjithashtu kanë sugjeruar se gjendja e ulët socio-ekonomike mund të ndikojë në mënyrën se si mendojmë. Një artikull në “Science” të vitit 2013 zbulon se “funksioni njohës i një personi zvogëlohet nga përpjekjet e vazhdueshme dhe konsumuese  për mbulimin e shpenzimeve, siç është pagimi i faturave dhe ulja e kostove”. Kostoja njohëse e varfërisë e gjetur nga ky studim, ishte praktikisht sikur të humbisje një natë të tërë gjumi. Një studim tjetër nga viti i kaluar, zbuloi se njerëzit që kishin jetuar në varfëri performuan më keq në testet e memories verbale, shpejtësisë së përpunimit dhe funksionimit ekzekutiv, në krahasim me ata që nuk kishin qenë kurrë të varfër.

“Unë mendoj se ky (hulumtimi i PNAS) bazohet në punën e kaluar në funksionin njohës dhe varfërinë”, thotë Jiaying Zhao, një psikolog në Universitetin British Columbia dhe një bashkëautor i studimit 2013. “Kjo tregon se si varfëria kronike mund të ndikojë në anatominë e trurit. Ky material siguron dëshmi rreth sistemit nervor. “

Në studimin e PNAS, korelacioni midis statusit socio-ekonomik dhe masave të trurit nuk u mbajt për të rriturit e moshës 20 deri në 34 vjeç ose për ata mbi 64 vjeç. Mund të ketë ndodhur që vetëm njerëzit më të shëndetshëm në mesin e grupeve të statusit të ulët socio-ekonomik mbijetuan në pleqëri ose në kohën kur njerëzit kanë arritur në vitet 70 dhe 80, përcaktuesit social dhe ekonomik kanë qenë më pak ndikues në shëndetin e tyre të trurit sesa procesi i plakjes biologjike. Gjithashtu, ky studim përfshinte shumë pak njerëz nën kufirin e varfërisë, gjë të cilën hulumtimet e mëhershme e synonin.

Megjithatë, kjo linjë e hulumtimit sugjeron se të qenurit i varfër (ose të paktën jo i pasur) mund të jetë pjesërisht një cikël vetë-përjetësues. Njerëzit që janë më pak të pasur luftojnë për të mbuluar shpenzimet e tyre. Ata stresohen, kanë kujtime të këqija dhe kështu perfomojnë keq në të njëjtat detyra konjitive që kanë tendencë të rrisin pasurinë e tyre, në ekonominë e sotme të informacionit.
Ose, siç e shprehu Zhao në vitin 2013, “pikëpamjet e mëparshme të varfërisë kanë fajësuar varfërinë në dështimet personale ose mjedisin që nuk është i favorshëm për suksesin … Ne jemi duke argumentuar se mungesa e burimeve financiare mund të çojë në funksione njohëse të dëmtuara. Vetë gjendja e të mos pasurit mjaftueshëm mund të jetë në fakt një shkak i varfërisë “.


Përktheu dhe përshtati:

Korab Mala

Referenca:

Khazan, O. (2018). How Income Affects the Brain. The Atlantic.