Të kuptuarit e funksionimit të neurotransmetuesve, mund të na ndihmojë të kuptojmë se si ndikojnë mbi trurin tonë disa prej substancave kimike, përfshirë edhe ato më të zakonshmet që përdorim. Në këtë artikull do shohim se si funksionojnë disa opiate, si morfina dhe heroina, duke u futur në folezat e receptorëve të njëjtë, ku futen edhe endorfinat natyrore që prodhon trupi ynë. Edhe medikamente të tjera psikoaktive, por edhe shumë toksina (apo helme), po ashtu funksionojnë duke bllokuar apo rritur transmetimin e kimikateve përmes sinapseve. Të shohim shembujt e mëposhtëm:

Botulismi – (prodhuar nga bakteret në ushqimet e pafrigoriferuara apo të pakonservuara siç duhet) ndalon lirimin e acetilkolinës (Ach), e cila çon sinjalet në muskuj. Pasoja është paralizë dhe nganjëherë edhe vdekje e menjëhershme.

Kurare – helm që popullatat vendase të Amerikës së Jugut tradicionalisht e kanë përdorur për të lyer majën e shigjetave të tyre. Kurare ngrin menjëherë, ose nganjëherë dhe e vret prenë dhe armikun e tyre. Kurare, bllokon receptorët Ach dhe jep të njëjtin efekt si botulismi, por vepron në anën tjetër të sinapseve.

Helmi i merimangës, apo vejusha e zezë, jep efektin e kundërt. Ky lloj helmi bën që Ach të lëshohet në sinapset e sistemit nervor. Si rezultat, neuronet shkrepin në mënyrë të vazhdueshme duke shkaktuar spazma dhe dridhje.

Medikamentet antipsikotike – Klorpromazina (emri tregtar Thorazine) dhe Klozapina nuk e lejojnë dopaminën t’u ngjitet receptorëve. Ky frenim i stimulimit duket se është mekanizmi që pakëson halucinacionet e skizofrenisë.

Kafeina – ka një mekanizëm pak më kompleks. Ajo bllokon veprimin e adenozinës, transmetues që nuk lejon lirimin e neurotransmetuesve të tjerë si epinefrina (Cauli & Morelli, 2005). Në kushtet kur mungon efekti frenues i adenozinës, lirohen shumë neurotransmetues të tjerë me natyrë eksituese. Dy apo tre filxhanë kafeje, përmbajnë aq kafeinë sa bllokon gjysmën e receptorëve të adenozinës për disa orë, duke na çuar në një gjendje të eksituar dhe në disa raste edhe në pagjumësi dhe ankth.

Kokaina – ka një mekanizëm akoma më të ndryshëm. Ajo nuk lejon që dopamina të ripërthithet nga sinapset, pasi ka bërë punën e vet duke stimuluar neuronin ngjitur. Si rrjedhojë, në sinapse grumbullohet dopaminë me tepri duke çuar në një gjendje të eksituar të të gjithë sistemit nervor (Freeman et al., 2002; Szucs, Frankel, Mcmahon & Cuninghma, 2005).

Disa medikamente antidepresive po ashtu funksionojnë duke parandaluar apo duke ngadalësuar eliminimin e neurotransmetuesve nga sinapset.


Përgatiti:

Fjolla Binaku

Referenca:

Morris, C. G., & Maisto, A. A. (2019). Understanding psychology. Hoboken: Pearson.