Epilepsia është një çrregullim i rëndë që i prek rreth 0.5% deri 1.0% të popullsisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës (Hauser & Hesdorffer, 1990). Ashtu si çdo çrregullim tjetër edhe epilepsia i ka simptomat e veta. Simptomat janë konvulsionet që lindin për shkak të aktivitetit jo të rregullt neurokimik në tru. Personat me epilepsi kanë konvulsione të përsëritura, ato kanë forma të ndryshme dhe dallojnë për sa i përket kohëzgjatjes, shpeshtësisë dhe lëvizjeve. Konvulsionet e pjesshme përfshijnë vetëm një pjesë të vogël të trurit, kurse ato të përgjithshme përfshijnë një pjesë të madhe të trurit. Pjesa më e madhe e konvulsioneve të gjeneralizuara shoqërohen me lëvizje të pakontrolluara që zgjasin zakonisht nga dy deri në pesë minuta me humbjen e kontrollit mbi urinimin apo jashtëqitjen, si dhe frymëmarrje të çrregullt, të cilat pasohen nga gjumi i thellë apo koma (Woolfolk, 2011). Megjithatë një pjesë e madhe e 50 milionë të njerëzve të prekur me epilepsi janë të patrajtuar. Është vlerësuar për shembull se 5 milionë nga 10 milionë njerëz në Indi që kanë epilepsi janë të patrajtuar, varfëria mund të jetë shkak për mostrajtimin e tyre (Scott, Lhatoo & Sander, 2001).

 

Por, si duhet vepruar kur dikush afër teje, apo një nxënës përjeton një krizë epileptike? Sipas Anita Woolfolk (2011) ligjëruese në Universitetin e Ohajos, nëse një nxënës pëson kriza të tilla, ruajeni qetësinë dhe përpiquni t’i qetësoni edhe nxënësit e tjerë. Mos u përpiqni t’ia kufizoni lëvizjet e fëmijës. Kur fillojnë konvulsionet ato nuk mund t’i ndalosh. Uleni nxënësin me kujdes në dysheme, larg orendive dhe mureve, largoni objektet e forta, lirojeni nxënësin nga veshjet që mund t’ia vështirësojnë frymëmarrjen, kthejani kokën me kujdes në njërën anë, vendoseni një xhaketë apo ndonjë send të butë poshtë kokës, mos vendosni asgjë në gojën e nxënësit; nuk është e vërtetë që në kriza të tilla, njerëzve u ikën gjuha poshtë. Mos u përpiqni të bëni frymëmarrje artificiale, përveçse kur ndodh që nxënësi të mos fillojë frymëmarrjen normale pas krizës. Këshillohuni me prindërit e nxënësit për mënyren e trajtimit të këtyre krizave.

 

Autor:

Asdren Hoxha

 

Referencat:

Hauser WA, Hesdorffer DC (1990). Epilepsy: frequency, causes and consequences. New York: Demos; 1-51.

Scott A. R., Lhatoo D. S. & Sander J. (2001) “The treatment of epilepsy in developing countries: where do we go from here?”. Scielosp.org.