Aftësitë që u nevojiten të rinjve shpesh tejkalojnë kurrikulat arsimore – njëlloj, në dekadat e fundit, krurikulat kanë filluar të tejkalohen edhe nga inovacioni dhe teknologjia. Gjersa të rinjtë rriten, përballen me vendime të rëndësishme që duhet të marrin – dhe sigurimi i të rinjve me aftësitë që u nevojiten është çelës për vendimmarrje të shëndetshme. Nuk është sekret që në kalimin e fazave të pjekurisë, të rinjtë të përballën me vendime të rëndësishme që lidhen me marrëdhëniet me të tjerët, me seksualitetin dhe me sjelljet seksuale. Vendimet që ata marrin, mund të ndikojnë jo vetëm në shëndetin e tyre por në mirëqenien e tyre të tërësishme për pjesën tjetër të jetës.

Rritja dhe zhvillimi janë procese të vazhdueshme të cilat sjellin ndryshime tek individët në çdo moment. Zhvillimi i seksualitetit fillon herët në jetën intrauterine pas konceptimit dhe vazhdon gjatë foshnjërisë, fëmijërisë, adoleshencës, moshës së pjekur e deri në vdekje (DeLamater & Friedrich, 2002). Gjatë foshnjërisë, nuk ka vetëdije rreth gjinisë – fëmija fillon ta konceptojë gjininë e tij apo të saj në fëmijërinë e hershme rreth moshës 3-vjeçare. Ndërsa, vetëdijësimi për seksualitetin (rolet gjinore, identitetet gjinore) evoluon gjatë fëmijërisë (Brown, 2000). E adoleshenca në anën tjetër, është fazë tranzicioni gjatë së cilës zhvillohen ndryshime drastike në seksualitet.

Puberteti arrihet gjatë adoleshencës, që është një pikë referimi kryesore në zhvillimin e seksualitetit. Për këtë arsye, aplikacioni ‘Shnet’ synon të shërbejë si mjet informativ për të rinjtë e kësaj moshe (dhe më tutje), që të kontribuojë në plotësimin e boshllëkut informativ që fatkeqësisht ekziston në kurrikulat e shkollave tona.

E çka është ‘Shnet’?

Së pari, të kuptojmë se ç’është edukata seksuale dhe ç’është shëndeti seksual. Edukata seksuale ka të bëjë me edukimin mbi çështjet që lidhen me seksualitetin njerëzor. Kjo përfshin marrëdhëniet dhe përgjegjësitë emocionale, anatominë seksuale njerëzore, aktivitetin seksual, riprodhimin seksual, pëlqimin (apo konsentin), moshën e pëlqimit (apo konsentit), shëndetin riprodhues, të drejtat ligjore dhe njerëzore mbi autonominë e trupit si dhe abstinencën seksuale (ndër tjerash).

Ndërsa, brenda kuadrit të përcaktimit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, shëndeti i tërësishëm përcaktohet si gjendje e mirëqenies së plotë fizike, mendore dhe sociale – jo thjesht mungesë e sëmundjeve. Agjencionet e OKB-së konfirmojnë se shëndeti seksual dhe riprodhues përfshinë mirëqenien fizike por edhe atë psikologjike vis-a-vis seksualitetit.

Shëndeti seksual kërkon një qasje pozitive dhe të respektueshme ndaj seksualitetit dhe marrëdhënieve seksuale, si dhe mundësinë për të pasur eksperienca seksuale të pëlqyeshme dhe të sigurta, pa forcë apo dhunë. Për të arritur dhe ruajtur shëndetin seksual optimal, të drejtat seksuale të të gjithë personave duhet të respektohen dhe të mbrohen (WHO, 2006).

Në vitin 2016, unë dhe dy kolege të mia, asokohe duke ndjekur studimet në Universitetin e Prishtinës në degën e Psikologjisë, vendosëm të bëjmë diçka, jo vetëm për komunitetin tonë lokal, por për të gjithë shqipfolësit për të adresuar problemet që vijnë si pasojë e edukimit të dobët seksual.

Ngjashëm me moshatarët tonë, ishim ballafaquar me mungesë informatash për trupat tonë. Këtë boshllëk e sfiduam me verzionin e parë të ‘Shnet’ që doli si produkt i punëtorisë UPSHIFT në kuadër të UNICEF Innovations Lab Kosovo, në partneritet me UN Women. Të nxitura nga leximet feministe dhe psikologjike, vendosëm që temës së shëndetit seksual t’i prijmë me inovacion dhe edukim gjithpërfshirës.

Hulumtimet e bazuara në evidence, tregojnë se edukimi seksual që është gjithpërfshirës, u jep të rinjve shkathtësitë e nevojshme për t’i ndihmuar ata të marrin përgjegjësi personale mbi shëndetin e tyre si dhe për mirëqenien e tyre të përgjithshme. Diskutimet moralizuese dhe që potencojnë vetëm abstinencën nuk janë të mjaftueshme për t’i ndihmuar të rinjtë të shmangin situata shtatzëni të padëshirura dhe infeskione seksualisht të transmetueshme.

Ne synojmë që ’Shnet’ të shërbejë si mjet mësimor për të informuar rininë e Kosovës mbi edukimin seksual, shëndetin riprodhues dhe informacione të tjera relevante me tema të ngjashme. Asnjëherë pa lënë anash edhe pikëpamjet psikologjike të shëndetit seksual, aplikacioni është përplot informata rreth miteve që lidhen me shëndetin seksual, marrëdhënieve të shëndosha, abstinencës dhe konsentit.   

Me anë të aplikacionit tonë, synojmë promovimin e edukimit cilësor dhe përfshirjes së të nxënit dhe zhvillimit të mendimit kritik përmes diskutimeve me të rinjtë, promovimin e edukimit gjithpërfshirës si dhe rritjen e informacionit dhe vetëdijes për edukimin seksual dhe kundërshtimin e miteve dhe informatave të pasakta për edukatën seksuale.

Ne e dimë se shumë çështje të dhunës me bazë gjinore ndodhin për shkak të mungesës së vetëdijes për autonomi trupore, si dhe mungesës së edukatës seksuale. Kosova ende përballet me dominimin e vazhdueshëm të qëndrimeve konservatore ndaj edukimit seksual. Ndonëse është e vështirë të ndërmerren hapa për të sfiduar pikëpamjet patriarkale në lidhje me edukimin seksual në Kosovë, ne besojmë se duke promovuar aplikacionin dhe duke nxitur debate për temat që lidhen me suksualitetin, po i hapim dyert për një lloj diskutimi shumë më ndryshe për trupat tonë. Në të njëjtën kohë ne jemi gjithashtu të përkushtuara për të ndihmuar gratë e reja jo vetëm që flasin për problemet, por gjithashtu të fuqizohen.

Diskutimet që bëjmë me të rinjtë na lëjnë të kuptojmë se diçka e tillë u ka munguar. Përveç pyetjeve të shumta që na bëjnë gjatë ligjërimit, kemi nderin të hasim edhe në mbështetje të jashtzakonshme nga vetë ata për të cilin është krijuar ‘Shnet’-i.

Puna jonë në terren dhe bashkëpunimi jonë me institucione të ndryshme duket se po ketë sukses. Këtë 8 mars, projekti ‘Shnet’ është lavdëruar si një nga projektet më inovative dhe inspiruese nga drejtoresha gjenerale e UNICEF-it, Henrietta Fore në mesazhin e saj për gratë e fuqishme të botës. Sukseset e tilla na bindin çdo ditë e më shumë që të punojmë më tepër dhe t’i kontribuojmë fushës së edukatës seksuale në Kosovë.


Opinion i dhënë nga:

Tuena Govori


Referencat:

Brown, R. T. (2000). Adolescent sexuality at the dawn of the 21st century. Adolescent medicine (Philadelphia, Pa.)11(1), 19-34.

DeLamater, J., & Friedrich, W. N. (2002). Human sexual development. Journal of sex research39(1), 10-14.

WHO | The world health report 2000 – Health systems: improving performance. (2019). Marrë nga https://www.who.int/whr/2000/en/