Një studim i ri i publikuar në American Journal of Preventive Medicine, ka vërtetuar që kognicioni i dobët në fëmijëri ndodh sidomos në kujtesë dhe në të mësuarit, kur nënat shtatëzëna ose foshnjet e sapolindura konsumojnë sasi të mëdha të sheqerit. Duke i zëvendësuar sodat (lëngjet e gazuara) dietike me lloje që kanë sasi më të mëdha të sheqerit gjatë shtatëzënisë, ka provuar po ashtu të ketë efekte negative. Në anën tjetër, konsumimi i frutave nga ana e fëmijëve ka pasur benefite të larta, përfshirë këtu edhe aftësi kognitive më të larta. “Qëllimi i këtij studimi ka qenë që të ekzaminohet lidhja në mes konsumimit të sheqerit në shtatëzëni edhe tek foshnjet e sapolindura dhe aftësive të tyre kognitive”, ka thënë udhëheqësja e këtij studimi, Juliana F.W. Cohen. “Po ashtu kemi vlerësuar lidhjen në mes konsumimit të sheqernave të përpunuara, sodave dietike dhe lëngjeve, si dhe frutave me aftësitë kognitive të fëmijëve”.

 

Hulumtuesit kanë mbledhur të dhënat dietike për më shumë se 1.000 gra shtatëzëna që kanë marrë pjesë në Projektin Viva, që nga vitit 1999 e deri më 2002. Regjimi ushqimor i foshnjeve të sapolindura është vlerësuar qysh herët. Aftësitë kognitive të fëmijëve janë vlerësuar në fëmijërinë e hershme dhe të mesme (përafërsisht në moshat 3 dhe 7 vjeç).

Rezultatet e këtij studimi kanë treguar që konsumimi më i lartë i frutave e më pak i sheqernave, e po ashtu edhe shmangia e pijeve të gazuara në shtatëzëni, mund të ketë impakt me rëndësi të madhe në funksionimin kognitiv të fëmijëve. Gjetjet kryesore përfshijnë:

  • Konsumimi i sheqernave në shtatëzëni, ka qenë e asocuar me pengesa të fëmijëve në zgjidhjen e detyrave jo verbale, si dhe me kujtesë verbale më të dobët.
  • Konsumimi i pijeve të gazuara nga shtatëzënat, ka qenë e asocuar me aftësi më të dobëta të motorikës fine, aftësive hapësinore-vizuale, aftësive motore-vizuale në fëmijërinë e hershme, ndërsa në fëmijërinë e mesme me aftësi më të dobëta verbale.
  • Konsumimi i sheqernave të përpunuara në fëmijërinë e hershme, ka qenë e shoqëruar me inteligjencë më të dobët verbale në fëmijërinë e mesme.
  • Konsumimi i fruktozës dhe frutave në fëmijëri, ka qenë e shoqëruar me aftësi më të larta kognitive në shumë fusha, si dhe perceptim më të lartë vokabular.
  • Konsumimi i frutave në fëmijëri, ka qenë po ashtu i lidhur me aftësi më të mëdha vizuale-motore në fëmijërinë e hershme, ndërsa në fëmijërinë e mesme me inteligjencë më të lartë verbale.
  • Konsumimi i lëngjeve të frutave nuk ka qenë e lidhur me përmirësimin e aftësive kognitive, që do të thotë se benefitet janë nga aspektet e tjera të frutave, siç janë fitokemikalet dhe jo fruktoza si e vetme.

“Ky studim ka ofruar evidenca të mjaftueshme, që nuk duhet të ketë më vonesa në implementimin e programit të paraparë të nutricionit. Program ky që ju ofron informacione të nevojshme prindërve dhe grave shtatëzëna për produktet që përmbajnë sheqerna të përpunuara, si dhe t’ju ndihmojë në zgjedhjen e produkteve më të shëndetshme dhe në limitin e përdorimit të sheqernave”, ka komentuar Dr. Cohen.

 

Autore:

Arta Hiseni

 

Referencat:

Cohen, J. F. W., Oken, E., Rifas-Shiman, Sh. L. & Young, J., (2018). Associations of Prenatal and Child Sugar Intake With Child Cognition. American Journal of Preventive Medicine.