Një person shumë i ndjeshëm e përjeton botën ndryshe nga të tjerët. Njerëzit që janë shumë të ndjeshëm lindin në këtë mënyrë, nuk është diçka që ata kanë mësuar. Ata janë më të vetëdijshëm për hollësitë dhe përpunojnë informacionin më thellësisht. Kjo do të thotë se ata kanë tendencë të jenë krijues, të ndjeshëm dhe empatikë, por gjithashtu se ata janë më të prirur se të tjerët të stresohen dhe të tronditen (Granneman, 2018).

Ndjeshmëria e lartë mund të përkufizohet si përgjigjje e theksuar fizike, mendore dhe emocionale ndaj stimujve të jashtëm (socialë, mjedisorë) ose të brendshëm (intra-personalë). Një person shumë i ndjeshëm mund të jetë një introvert, një ekstrovert, ose diku në mes (Ni, 2017).

Këto janë disa nga shenjat që e karakterizojnë një person shumë të ndjeshëm:  

1. Jeni shumë emocional

Ju përjetoni emocione më intensive, si pozitive ashtu edhe negative. Ju qani shumë lehtë, gjithashtu reagoni shpejtë dhe fortë. Shpesh përjetoni tension ose ankth. Gjithashtu ju ndikoheni  emocionalisht edhe nga përjetimi i ndjenjave të njerëzve të tjerë (Martin, 2018).

2. Jeni të ndjeshëm ndaj kritikave

Ju shpesh mendoni dhe brengoseni mbi atë që të tjerët po mendojnë për ju dhe keni tendencë që t’i merrni gjërat personalisht, duke u ndjerë të lënduar. Vështirë pranoni kritika, madje edhe kur ju është dhënë në mënyrë të arsyeshme. Kështu ju përpiqeni t’i shmangni situatat ku mund të dështosh ose të kritikohesh. Si rezultat, mund të qëndroni në zonën tuaj të rehatisë dhe nuk dëshironi të provoni gjëra të reja ose të rrezikshme. (Ni, 2017 & Martin, 2018).

3. Ndjeni dhembshuri dhe kujdeseni për të tjerët

Ndjeni dhimbjen e të tjerëve dhe jeni shumë empatikë. Jeni i pari që përgjigjeni kur dikush ka nevojë për ndihmë. Gjithmonë mundoheni të mos i ofendoni apo lëndoni ndjenjat e të tjerëve (Martin, 2018).

4. Presioni në punë nuk të pëlqen

Kur keni shumë gjëra në listën tuaj për të bërë dhe nuk keni kohë të mjaftueshme për t’i përfunduar ato, ju ndiheni shumë të stresuar. Gjithashtu nëse gjatë punës jeni të vëzhguar nga dikush, nuk mund të përformoni mirë (Granneman, 2018).

5. Jeni të ndjeshëm ndaj nxitësve të jashtëm

Nuk ndiheni rehat  kur ekspozoheni ndaj dritave të ndritshme, tingujve të lartë ose aromave të forta. Gjithashtu befasoheni lehtë nga zhurmat e papritura ose surprizat e pakëndshme (Ni, 2017).  

6. Ju pëlqen qetësia   

Nuk ndiheni rehat në turma të mëdha publike, në një dhomë me plot njerëz që flasin, ose kur shumë gjëra po ndodhin njëkohësisht (Ni, 2017).

7. Nuk duroni dhimbje fizike

Ndjeni shpesh simptoma fizike (stres ose dhimbje koke) kur ndodh diçka e pakëndshme gjatë ditës suaj (Ni, 2017). Gjithashtu jeni më të ndjeshëm ndaj dhimbjes së të gjitha llojeve: dhimbje koke, dhimbje trupore, lëndime, etj (Granneman, 2018).

8. Nuk pëlqeni ndryshimet

Ndiheni rehat në rutinën tuaj, sepse e njohura është më pak stimuluese sesa diçka e re. Për këtë arsye ndryshimi si negativ ashtu edhe pozitiv nuk ju pëlqen. Për shembull kur takoni dikë të ri ose kur ju filloni një punë të re, ndiheni sa i gëzuar aq edhe i stresuar (Granneman, 2018).

9. Jeni perfeksionistë

Ju i kushtoni vëmendje detajeve që të mos u leni vend kritikave. Mbani standarde të larta dhe qëndroni të fokusuar në përmbushjen e qëllimeve.  

Autore:

Arbenita Berisha

Referencat:

Granneman, J. (2018). 21 Signs That You’re a Highly Sensitive Person.

Martin, Sh. (2018). What Is a Highly Sensitive Person — and Are You One?

Ni, P. (2017). 24 Signs of a Highly Sensitive Person. Psychology Today.