Sikurse shenjat e gishtërinjëve, nuk gjinden dy njerëz me anatomi të njëjtë të trurit. Kjo si pasojë e kombinimit të faktorëve gjenetikë dhe përvojave individuale jetësore. Në hulumtimet e mëparëshme, profesori i neuropsikologjisë Jäncke(2018) ka vërtetuar se përvojat e mëparëshme dhe rrethanat jetësore e influencojnë anatominë e trurit.

Përvojat lënë gjurmë në trurin tonë!

Muzikantët profesonal, lojtarët e golfit ose të shahut, kanë karakteristika të veçanta në regjionet e trurit, të cilat i përdorin për aktivitetet e tyre që kërkojnë shkathtësi. Sidoqoftë, ngjarjet me kohëzgjatje të shkurtër munden poashtu të lënë gjurmë në tru. Nëse, për shembull, dora e djathtë mbahet e palëvizur, trashësia e korteksit të trurit në zonat që janë përgjegjëse për dorën e palëvizshme, reduktohet.

Imazheria e rezonancës magnetike ofron bazën për kalkulim

Për të hulumtuar këtë hipotezë, Jäncke dhe kolegët e tij kanë ekzaminuar trurin e rreth 200 personave të rritur duke përdorur imazherinë e rezonancës magnetike, tri herë brenda një periudhe prej 2 viteve. Mbi 450 tipare anatomike të trurit janë vlerësuar, përfshirë këtu edhe ato më të përgjithshmet si p.sh., vëllimi i përgjithshëm i trurit, trashësia e korteksit dhe vëllimi i materiesë së bardhë dhe të hirtë. Për 191 individë, hulumtuesit kanë qenë në gjendje të identifikojnë kombinimin individual të karakteristikave specifike anatomike të trurit, ku identifikimi i përpikët, edhe për karakteristikat e përgjithshme të trurit, ka qenë mbi 90%.

Kombinimi i rrethanave dhe gjenetikës

“Me studimin tonë ne kemi qenë në gjendje të konfirmojmë që struktura e trurit është individuale ndër njerëz. Kombinimi i pjesës gjenetike dhe jo gjenetike influecon dukshëm jo vetëm funksionimin e trurit, por edhe anatominë e tij”, ka thënë Jäncke.  

Sidoqoftë, zëvendësimi i sensorëve të gishtërinjëve me skanime MRI është i pamundshëm. Skanimet e trurit janë shumë të shtrenjta dhe marrin shumë kohë, krahasuar me marrjen e shenjave të gishtërinjëve.

Progresi në neuroshkencë

Në ndërkohë, imazheria e rezonancës magnetike është përmirësuar aq shumë, sa që falë saj po ndodh edhe ky progress. “Vetëm 30 vite më parë ne kemi menduar që truri njerëzor ka vetëm disa ose aspak veçori individuale. Identifikimi personal nëpërmjet karakteristikave anatomike të trurit ka qenë e paimagjinueshme”. ndër të tjerash ka shtuar Jäncke.

Autore: Arta Hiseni

Referencat:

University of Zurich. (2018). Every person has a unique brain anatomy. Science Daily.

Valizadeh, S.A., Liem F., Mérillat, S., Hänggi, J., & Jäncke, L. (2018). Identification of individual subjects on the basis of their brain anatomical features. Scientific Reports; 8 (1).