Familja është vendi ku secilit nga ne i ofrohet ngrohtësi, përkrahje dhe mbi të gjitha një strehë për të mbuluar veten tonë. Shumë nga ne, jemi me fat që gëzojmë përqafimet e familjarëve tanë dhe kurajën e tyre në çdo sfidë me të cilën ballafaqohemi. Për fat të keq, sot në botë ka me mijëra fëmijë të cilët nuk gëzojnë një vend për t’u strehuar apo një gji familjar për të gjetur mbështetje. Mirëpo, ekziston një formë tjetër e cila ofron mbështetje për të gjithë fëmijët të cilët janë në mungesë të një familjeje për të ofruar kujdes ndaj tyre, e cila emërtohet si strehim familjar.


Çfarë është strehimi familjar?

Strehimi familjar është metodë e cila praktikohet në shumë vende të botës dhe e cila u mundëson fëmijëve të kenë një familje përkrah tyre. Ky lloj i strehimit është formë alternative e mbrojtjes sociale për fëmijët pa përkujdesje prindërore, të keqtrajtuar dhe të lënë pas dore. Një formë e tillë e mbrojtjes nënkupton vendosjen e përkohshme të fëmijës në një familje tjetër, në raste kur qëndrimi i fëmijës në familjen biologjike është i pamundur.

Për të përmbushur procesin e strehimit familjar, nevojiten të plotësohen disa kushte të cilat plotësojnë nevojat e fëmijës si dhe familjes e cila paraqitet për strehim. Strehimi familjar fillimisht arrihet kur familja strehuese ofron kushte të duhura për marrjen e fëmijës dhe fëmija në anën tjetër, krijon një atashim të sigurtë me familjen në fjalë.

Çfarë roli luan familja strehuese?

Familja strehuese siç u përmend më lart, është familja e cila e merr fëmiun nën strehim derisa ai të ketë nevojë për një gjë të tillë. Për të strehuar një fëmijë, familjet duhet të shprehin interesim për strehimin e fëmijëve si dhe të plotësojnë disa kushte të caktuara. Zakonisht, këto familje duhet të jenë të besueshme, të ju ofrojnë fëmijëve dashuri, ngrohtësi prindërore si dhe të jenë vigjilentë ndaj çdo nevoje të tyre.

Pozita e fëmijës në familjen strehuese

Familja strehuese luan një rol shumë të rëndësishëm tek fëmija të cilin ajo e strehon. Duke marrë parasysh se fëmiu rritet në një familje të re, pozita e tij ndryshon dhe një fenomen i tillë mund të ndikojë te ai në shumë aspekte të zhvillimit jetësor. Fëmijët të cilët vendosen në këto familje në të shumtën e rasteve braktisen pas lindjes, ndihen të keqtrajtuar nga prindërit apo kanë ndonjë specifikë të caktuar e cila nuk ju mundëson atyre rritje të shëndoshë në familjen biologjike. Qëndrimi i fëmijës në familjen strehuese, varion nga disa muaj deri në 2 vite. Në raste kur fëmiu është me aftësi të kufizuara, mund të qëndrojë për një periudhë më afatgjatë.

Nga informatat e lartpërmendura, vlen të kuptohet se strehimi familjar është një dhuratë për të gjithë fëmijët në nevojë, e cila duhet çmuar dhe përkrahur nga të gjithë ne. Një formë e tillë e strehimit ofron një derë për çdo fëmijë, të mbushur me shumë dashuri, përkushtim dhe humanitet njerëzor.

Autore:

Tringa Visoka

Referencat:

Babbel, S. (2012). The Foster Care System and Its Victims Part 3. Psychologytoday.com

Healey, C & Fisher, Ph. (2012). Children in Foster Care and the Development of Favorable Outcomes. Child Youth Serv Rev.