Në thelb, të gjitha emocionet janë impulse për të vepruar. Ato janë një sërë planesh të gatshme me të cilat evolucioni na ka pajisur për ta përbaluar më mirë jetën. Vetë rrënja e fjalës emocion fjala latine motere, do të thotë “lëviz”. Që emocionet na shtyjnë drejt veprimeve, shihet shumë qartë te kafshët dhe fëmijët. Vetëm të rriturit e “qytetëruar”, ndryshe nga kafshët, nuk lejojnë që veprimet e tyre të diktohen nga emocionet e çastit.
Çdo emocion në repertorin tonë ka një rol të caktuar, siç vërehet edhe nga veçoritë e tyre biologjike. Me anë të metodave të reja për të studiuar trupin dhe trurin, shkencëtarët po zbulojnë gjithnjë e më shumë veçori fiziologjike se si çdo emocion e përgatit trupin për një reagim të ndryshëm:
  • Kur ndjejmë zemërim, gjaku vërshon në duar duke na e bërë më të lehtë të rrokim një armë apo ta godasim kundërshtarin. Të rrahurat e zemrës shtohen bashkë me prodhimin e hormoneve si adrenalina e cila na jep energji të mjaftueshme për veprime të vrullshme.
  • Kur kemi frikë, gjaku shkon te muskujt e mëdhenj skeletorë, si këmbët, duke na e bërë më të lehtë të largohemi me shpejtësi. Fytyra zbardhet sepse i gjithë gjaku shkon përnjëherësh te këmbët (ndjesia e “ngrirjes së gjakut”). Për një çast, trupi ngrin i gjithi, me siguri për të na lënë kohë të vendosim nëse është më mirë të fshihemi. Qarqet e qendrave emocionale në tru vënë në lëvizje një vërshim hormonesh që na e vënë trupin në një gjendje të tundosur alarmi gati për të vepruar me vërtik. E gjithë vëmendja përqendrohet te kërcënimi që kemi përpara për të vlerësuar drejt reagimin që duhet të ndërmarrim.
  • Ndër ndryshimet biologjike kryesore të gjendjes së lumturisë, është rritja e aktivitetit të një qendre të trurit e cila parandalon ndjesitë negative,na bën më energjik dhe na largon mendimet që janë burim shqetësimi. Nuk ka ndonjë ndryshim të madh në fiziologji përveç një qetësie të përgjithshme. Trupi përfshihet nga një ndjesi pushimi e cila pasohet nga entuziazmi dhe gatishmëria për t’u marrë me detyrat e radhës në kuadër të përmbushjes së një sërë qëllimesh.
  • Dashuria, butësia dhe përmbushja seksuale kanë të bëjnë me stimulimin e sistemit parasimpatik. Ato shkaktojnë të kundërtën e reagimit “lufto ose largohu” që aktivizohet rëndom nga zemërimi dhe frika. Stimulimi parasimpatik, i mbiquajtur “reagimi qetësues”, na shkakton një gjendje të përgjithshme qetësie, butësie, çlodhjeje dhe kënaqësie. Në këtë gjendje, bashkëpunimi bëhet më i lehtë.
  • Kur ne ngremë vetullat përnjëherësh si shprehje e habisë, sytë hapen më shumë se zakonisht duke rritur sasinë e dritës që godet retinën. Në këtë mënyrë, mund të marrim më shumë informacion se çfarë po ndodh përreth që të jemi në gjendje të ndërtojmë në plan veprimi.
  • Edhe shprehja e neverisë është e njëllojtë në të gjithë botën sepse përcjell të njëjtin mesazh, do të thotë se një send ka shije apo aromë të padurueshme. Kur ndjejmë neveri, buza e sipërme shtrembërohet pak në njërën anë dhe hunda rrudhet lehtë. Sipas Darwin-it, në mënyrë të pavetëdijshme ne duam t’i mbyllim vrimat e hundës për të mos nuhatur një erë të keqe ose duam të pështyjmë një ushqim të helmët.
  • Funksioni kryesor i trishtimit është të na ndihmojë të përballemi me një humbje të rëndësishme, siç mund të jetë vdekja e një njeriu të afërt apo një zhgënjim i madh. Trishtimi ul nivelin e energjisë dhe të entuziazmit, sidomos për gjëra që kanë të bëjnë me argëtimin. Në të njëjtën kohë, ai nxit depresionin dhe ngadalëson metabolizmin e trupit. Kjo mbyllje në vetvete na jep mundësinë të mbajmë zi për humbjen e një njeriu apo një shprese, t’i kuptojmë pasojat që kjo humbje do të sjellë në jetën tonë dhe kur energjia të fillojë të na rikthehet, të mendojmë për fillime të reja. Në kohët e lashta, kjo rënie e nivelit të energjisë mund t’i ketë mbajtur paraardhësit tanë të trishtuar pranë shtëpive aty ku ishin më të sigurt.
Këto prirje biologjike për të vepruar, kushtëzohen më tej dhe nga përvoja jetësore apo kultura. Për shembull, humbja e një njeriu të dashur përgjithësisht shoqërohen me trishtim dhe dhimbje. Por mënyra se si i shfaqim këto emocione (tek të tjerët apo në vetmi) kushtëzohet nga kultura, ashtu si edhe kategoria e atyre personave që hyjnë në rangun e “njerëzve të dashur”.
Autore: Kestrina Ahmeti
Referenca: Goleman, D. (1995). Emotional intelligence. New York: Bantam Books, p. 22-24.