A ju djersitën pëllëmbët e duarve kur ecni natën nëpër një rrugë të ndriçuar pak? Kjo ndjenjë mund të studiohet në ndezjen e qelizave të “ankthit” të sapo identifikuara thellë brenda trurit tuaj, sipas hulumtimeve të reja nga neuroshkencëtarët në Columbia University Irving Medical Center (CUIMC) dhe University of California, San Francisco (UCSF). Studiuesit gjetën këto qeliza në trurin e minjve, brenda një strukture të quajtur hipokampus. Por këto lloj qelizash ndoshta ekzistojnë edhe tek njerëzit, thotë Rene Hen, PhD, Profesor i Psikiatrisë në CUIMC dhe një nga hulumtuesit kryesor të studimit.

Ndezja e qelizave të ankthit dërgon mesazhe në pjesë të tjera të trurit që nxisin sjellje shqetësuese telk minjtë, ato përfshijnë shmangien e zonës së rrezikshme ose largimin në një zonë të sigurtë. Edhe pse shumë qeliza të tjera në tru janë identifikuar që luajnë një rol në ankth, qelizat e gjetura në këtë studim janë të parat të njohura për të prezentuar gjendjen e ankthit, pavarësisht nga lloji i mjedisit që provokon emocion (Neurosciencenews, 2018).

Si definohet Ankthi?

Ankthi është i shëndetshëm, deri në një shkallë. Ankthi përkufizohet si një ndjesi emocionale e pakëndshme që karakterizohet nga një sens i përgjithshëm i rrezikut, frikës dhe reagimeve fiziologjike të larta (Diagnostic and Statistical Manual of Mental Disorders, 2013). Ankthi patologjik karakterizohet nga vuajtje (distres), qoftë edhe nga një ngacmim i jashtëm minimal e i parëndësishëm, si dhe nga një nivel i lartë simptomash dhe shqetësimesh, të cilat vazhdojnë të jenë të qëndrueshme në kohë dhe që shoqërohen me strategji specifike të sjelljes si p.sh., shmangia. Ankthi manifestohet me shfaqje të merakut të tepruar, mendime shqetësuese gjatë ditës dhe gjatë gjumit, sjellje ritualistike, ndjenja frike dhe panikut.

Çka është Hipokampusi?

Hipokampusi është një komponent i rëndësishëm i trurit të njerëzve dhe i gjallesave të tjera. Hipokampusi i përket një regjioni në tru që quhet “sistemi limbik” dhe luan rol të rëndësishëm në konsolidimin e informacionit nga kujtesa afatshkurtër në kujtesën afatgjatë dhe në kujtesën hapësinore që mundëson orientimin në mjedis. Duke i “fikur” qelizat e ankthit dhe duke përdorur një teknikë të quajtur optogjenetikë, lejon shkencëtarët të kontrollojnë aktivitetin e neuroneve duke përdorur rreze drite dhe në këë mënyrë studiuesit zbuluan se qelizat e ankthit, kontrollojnë sjelljet e ankthit. Kur qelizat fiken, minjtë ndalojnë prodhimin e sjelljeve të lidhura me frikën, duke u endur në platforma të ngritura dhe larg mureve mbrojtëse. Kur stimuloheshin qelizat e ankthit, minjtë shfaqnin më shumë sjellje të frikësuara edhe kur ishin në një mjedis “të sigurtë”. Hipokampusi luan një rol të rëndësishëm në aftësinë e trurit për të formuar kujtime të reja dhe për të ndihmuar kafshët – nga minjtë në njerëz – të orientohen nëpër mjedise komplekse. Por sipas hulumtimeve të fundit nga Columbia University Medical Center (2018), është treguar se hipokampusi ka rol edhe në rregullimin e humorit, respektivisht studimet kanë treguar ndryshimin e aktivitetit të trurit në pjesën ventrale të hipokampusit që mund të zvogëlojë ankthin. Gjithashtu, dihet se hipokampusi dërgon sinjale në fusha të tjera të trurit, si në amigdalë dhe hipotalamus, të cilat gjithashtu kanë treguar të kontrollojnë sjelljen e lidhur me ankthin (Neurosciencenews, 2018).

Përgatiti:

Fatime Rrahmani

Referencat:

Neurosciencenews. (2018). ‘Anxiety Cells’ Identified in the Hippocampus.

Diagnostic and Statistical Manual of Mental Disorders. (2013). American Psychiatric Association (5th ed.). American Psychiatric Publishing. pp. 189 –195. ISBN 978-0890425558. Arlington.