Psika: Cili është miti më i madh për terapinë?

Sadiku: Miti më i madh për terapinë dhe që shpesh haset në komunitetin tonë, si pasojë e paragjykimeve, është se njerëzit që e vizitojnë psikologun janë të dobët, dhe që ata e kanë të nevojshme për të pasur ndihmën e dikujt tjetër, për t’i kaluar vështirësitë me të cilat ballafaqohen. Njëherit ndodh një ngatërrim në dy koncepte, psikoterapia është një “udhëtim” i cili ka të bëjë me vetëaktualizimin dhe gjetjen e alternativave të reja, të cilat ndihmojnë në ndërtimin e mekanizmave të përshtatshëm mbrojtës, të cilët janë konform me vlerat që klienti i sjell, jetën e tij emocionale dhe normave sociale, duke e mundësuar integrimin e klientit dhe jo duke e bërë atë më “ndryshe”. Andaj, këto komponente i mungojnë diskutimit të cilin një person do të mund ta bënte me miqtë, e që janë komponente tejet të rëndësishme në aspektin terapeutik, por janë prezente në një proces i cili është i strukturuar, i orientuar drejt qëllimit dhe mirëqenjes së individit e që ndodh në psikoterapi.

Psika: Çfarë duket të jetë pengesa më e madhe për klientët në terapi?

Sadiku: Është jashtëzakonisht e vështirë të punohet me klientë të cilët preferojnë të diskutojnë për simptomet të cilat ata i kanë, manifestimin e tyre dhe kur provojnë të gjejnë alternativa të mundshme për t’i trajtuar vetëm ato. Realisht këto shqetësime të cilat raportohen tek klientët, janë komunikime të brendshme, me karakter të pavetëdijshëm dhe bëhen më të intensive, gjatë kohës kur klienti ekspozohet ndaj stimujve të cilat e asocojnë/ndërlidhin klientin me situatat të cilat i riaktivizojnë reagimet. Dy situatat të vështira ndaj të cilave edhe ne si terapeutë ekspozohemi, është kur klientët janë rezistentë për të diskutuar lidhur me përjetimet e fuqishme emocionale me karakter traumatik, për arsyet se nuk duan ta rikujtojnë atë, apo për shkak se rikujtimi i saj ngjall “dhimbje” emocionale. Ndërkohë që e vetmja mënyrë e përpunimit të traumave, është terapia e ekspozimit të përshkallëzuar. Një sfidë tjetër në aspektin e trajtimit është edhe puna me varësitë, kur klientët refuzojnë t’i atribuojnë simptomet, përdorimit të narkotikëve, por insistojnë që ato burojnë nga stresorët social. Në të dyja rastet, psikoedukimi është çelësi i zgjidhjes së këtij problem,i si dhe mirëmbajtja e vazhdueshme e aleancës terapeutike, përmes së cilës klienti e kupton bazën e manifestimit të simptomeve (shqetësimeve) dhe fokusohet në trajtimin e bazës, ndërkohë që intensiteti i simptomeve gradualisht zbehet, duke ndodhur riksonstruktimi kognitiv.

Psika: Cila është pjesa më sfiduese e të qenurit terapist?

Sadiku: Puna e vazhdueshme me klientët, mund të jetë një barrë emocionale për terapistin dhe ndërkohë që ne ekspozohemi ndaj situatave të cilat kanë efekt detrimental në mirëqenjen e individit, edhe ne si terapistë emocionalisht mund të afektohemi. Një pjesë jashtëzakonisht sfiduese e të qenit therapist, është mungesa e një mbështetje adekuate për ofrues të shërbimeve (për vetë terapeutët) – intervizioni klinik. Natyrisht ekzistojnë mekanizma të cilët përdoren me qëllim që të mos afektohemi nga aspekti emocional i klientëve, por ofrimi i vazhdueshëm i shërbimeve, mund të krijojë një themel të sigurtë, ku terapeuti mund të kalojë në sindromin e djegies, si pasojë e ekspozimeve të vazhdueshme ndaj përvojave të cilat ngjallin reagime emocionale afektive, dhe si mungesë e një resursi për zbrazje apo dekompenzimi emocional.

Psika: Cila është këshilla më e mirë që mund t’u ofroni lexuesve, për kalimin e pengesave gjatë jetës?

Sadiku: Në dinamikat aktuale të jetës, është e natyrshme të reagojmë më stres dhe veçanërisht ndaj sfidave për të cilat nuk kemi mekanizma adekuat përballjeje. Në këto raste, bie afiniteti ynë për të menduar për zgjidhjet e mundshme, të cilat janë të panumërta, nëse jo për të zgjidhur problemin, për të minimizuar me efekt ndikimin e tij tek jeta jonë emocionale. Në këto raste, ne reagojmë duke qenë të hallakatur me mendime të cilat lidhen me të kaluarën, pyetje që ngjallin ndjenja të fajit se pse një çështje ndodh dhe më pak se si mund ta zgjidhim atë. Një këshillë e dobishme do të ishte aplikimi i strategjisë “here and now” – këtu dhe tani, cilat janë mendimet, cilat nga ato janë në repertoarin që e pengojnë apo prolongojnë funksionimin tim dhe cilat janë ato të cilat janë të orientuara drejt zgjidhjes së problemit. T’i avancojmë më tutje ato drejt zgjidhjes, duke i eliminuar ato të cilat e pengojnë procesin e arritjes në një orientim të caktuar, drejt gjetjes së një zgjidhjeje më të favorshme me bazë duke e ruajtur shëndetin mendor, dhe drejt një përballje më të favorshme me stresorët psiko-social.

Psika: Nëse ka një gjë që ju dëshironi që klientët ose pacientëtu tuaj, të dinë për trajtimin ose çrregullimet mendore, çfarë do të ishte?

Sadiku: Në raste të çrregullimeve mendore, ne i vërejmë ndryshimet të cilat e afektojnë jetën emocionale të klientëve, por në esencë, këto ndryshime e afektojnë edhe neurobiologjinë e personit. Si të tilla, janë gjendje të cilat (në të shumtën e rasteve) vijnë si pasojë e akumulimeve të vazhdueshme të përvojave, të cilat i kanë stimuluar ndryshimet e caktuara. Duke e parë nga ky këndvështrim, përmes procesit të psikoterapisë, ne u mundësojmë klientëve tanë të modifikojnë mekanizmat e tyre mbrojtës, të cilat mund të kenë karakter të keqpërshtatur (izolimi me qëllim të mbrojtjes, qëndrimi brenda “zonës së rehatisë”), duke e prolonguar më tepër krijimin apo stimulimin e reziliencës – si afinitet mbrojtës ndaj problemeve lidhur me shëndetin mendor. Në këto momente, aktivizohen mendimet me karakter vetë-drejtues, duke i’a atribuar vetes shkakun për paraqitjen e problemit dhe vazhdimisht duke dështuar t’i targetojë ato të cilat në të vërtetë e stimuluan një gjendje të tillë. Përmes procesit të psikoterapisë, klientët pas sfidimit terapeutik dhe ristrukturimit kognitiv që asistohet nga pyetjet sokratike, ndërtimin e përvojave sipas një plani të caktuar dhe me nxitjen e afinitetit për t’i interpretuar përvojat në një aspekt më pozitiv, klientët arrijnë të përfitojnë dukshëm, duke rënë intensiteti i simptomeve të raportuara (varësisht nga lloji i problemit). Do të doja t’u kujtoja klientëve, se ndryshimi i tyre vjen si rezultat i përshkrimeve të lartëshkruara, por edhe si rezultat i punës së përbashkët. Klientët pas marrjes së shërbimeve psikologjike për trajtim nga një çrregullim i caktuar, rekomandohen të vazhdojnë aplikimin e strategjive të dobishme, të cilat derivojnë nga vetë klienti, si dhe të aplikojnë format e “psiko-higjienës”, një strategji vetë-mbrojtjeje me qëllim që të parandalohet ri-shfaqja eventuale e çrregullimit, e që do të thotë se (në të shumtën e rasteve dhe varësisht nga diagnoza), janë gjendje të kalueshme.

Psika: Si do t’i këshillonit studentët të cilët studiojnë për Bachelor në Psikologji, por nuk janë të sigurtë për të shkuar menjëherë në programin e një masteri?

Sadiku: Komponenta “kohë” është tejet e rëndësishme për t’i kontribuar profesionit dhe se çdo vit akademik sjell prurje të reja, të cilat gjithnjë e më tepër po e pasurojnë profesionin e psikologut në Kosovë. Janë studimet bazike ato të cilat e japin titullin e psikologut, ndërkaq programet e mëtutjeshme akademike janë ato të cilat e plotësojnë bagazhin profesional. Studimet e nivelit master, janë studime të profilizuara dhe në rast se psikologu i ri i ka të vendosura preferencat e tij për fusha përkatëse, është momenti i duhur për të bërë investimin më të çmueshëm në kohë, vijimin e studimeve. Parashikimi i përvojave është subjektive, dhe hezitimi për t’i provuar ato mund të jetë tërësisht ndryshe nga realiteti objektiv i përvojave të cilat ofrohen nga studimet, e që do të thotë se nuk është e vështirë të ndryshohet subjekti i studimit por është e vështirë pranimi në një institucion që e stimulon zhvillimin e mëtutjeshëm profesional, andaj nga ky parim i bie që koha është e çmueshme dhe përvojat ndërtohen me kohën, dhe thënë shkurt, koha duhet përdorur me kujdes, sepse është investimi më i shtrenjtë që mund t’i bëhet jo vetëm profesionit por zhvillimit të njeriut në tërësi.

Psika: Çfarë këshille do t’i jepnit dikujt që dëshiron të bëhet psikolog?

Sadiku: Psikologjia nuk do të të bëjë të kuptosh të tjerët se çfarë mendojnë ata duke i shikuar, por do të ta ofrojë një mundësi të njohësh realitetin përmes përvojave të panumërta, të cilat do të mund t’i kuptosh përmes empatisë – si shkathtësi e të kuptuarit të personit duke “qëndruar në këpucët e tij, por jo duke ecur me to”. Në rast se e ndjen se sa fascinuese është të investosh kohën për të kuptuar për mendjen dhe funksionet e saja, sjelljet dhe nëntipet dhe ndërveprimin e që të dy këtyre komponenteve jashtëzakonisht të rëndësishme për vetë ekzistencën, atëherë mirësevini në komunitetin tonë.

Psika: Nëse do të ishit i pasigurtë në një situatë, nëse duhet të thyesh konfidencialitetin ose jo, çfarë do të bënit dhe pse?

Sadiku: Është detyrë e psikoterapeutit ta informojë klientin e tij për konfidencialitetin dhe parimet e konfidencialitetit. Në situatat ku psikoterapeuti e ndjen se siguria e klientit (nga vetë ai) mund të jetë e cënueshme, atëherë është tejet e rëndësishme që klientit t’i rikujtohen parimet të cilat janë diskutuar paraprakisht. Në raste të caktuara, kur klienti mund të raportojë “nevojë” për sjellje vetëlënduese, si pasojë e arritjes së një katarsisi-zbazje emocionale (kur impulsi i dhimbjes identifikohet si impuls vetëpërmbushës), sjellje të tilla tentohet të modifikohen, duke i ndryshuar impulset (mbështetur në terapinë dialektike bihejviorale). Kur terapeuti mund të ndjehet i pasigurtë, nëse klienti akoma vazhdon me aplikimin e sjelljeve vetëlënduese (psh, prerjet sipërfaqësore përmes bisturisë), personi i “sigurisë” (bashkëshorti/ja, vëllau/motra, miku/mikesha, të cilët janë njoftuar nga vetë personi, se ai vijon seanca psikoteraputike) është personi i cili e mbështet klientin në aspektin terapeutik jashtë seancave psikoterapeutike, duke u siguruar në mbarëvajtjen e trajnimit, ai person këshillohet të realizojë mbikqyrje të afërt për personin por duke mos e theksuar drejtpërsëdrejti komponentën e rrezikut.

  1. Sjelljet të cilat nuk përsëriten, kanë potencial të zhduken nga repertoari i klientit.
  2. Mos aplikimi i sjelljes vetëlënduese, e stimulon klientin të realizojë një strategji vetëpërmbushëse, e cila nuk ka karakter vetëlëndues apo impakti i saj është më i ulur se sjellja fillestare, dhe sjellja bazike nuk mund të realizohet në praninë e personit të sigurisë.

Në rast se këto sjellje vazhdojnë, atëherë duhet të merren masa të tjera, të cilat kanë të bëjnë me mbrojtjen e klientit ndaj veprimeve të cilat mund të afektojnë apo rrezikojnë më tutje jetën e klientit.
Në rast se klienti është i mitur, ne e stimulojmë klientin që ne të bëhemi urë lidhës mes tij dhe prindit, duke i dhënë mundësinë prindit të kuptojë atë se çka është duke ndodhur me të miturin dhe të formojmë një triadë, i riu – psikoterapeuti – prindi, dhe duke siguruar një ambient të sigurtë për ta mbështetur të riun në mënyrë më aktive në modifikimin e sjelljes.

Psika: Cilat këshilla do të na jepnit në lidhje me konfidenacialitetin, sa është i rëndësishëm ai?

Sadiku: Konfidencialiteti është mbështetja më e rëndësishme, përveq aspektit terapeutik të cilin ne i ofrojmë klientit. Në nuk presim që në ditën e parë klienti të jetë i hapur për t’u rrëfyer për të gjitha vështirësitë, por ne presim që takimi i parë të jetë një takim me rëndësi në vendosjen e aleancës terapeutike, ku klienti e fiton sigurinë se të gjitha të dhënat të cilat ndahen gjatë seancës psikologjike, janë të dhëna të cilat mbohen me ligj, dhe të tjerët (njerëzit nga ambienti i tyre) nuk kanë qasje në këto të dhëna. Konfidencialiteti duhet të mbrohet me çdo kusht, fillimisht për të mbështetur dhe fuqizuar mirëqenjen e individit, për ta mbrojtur atë, për të ndërtuar një aleancë të fuqishme terapeutike, dhe duhet të respektohet sepse është i kërkuar dhe i garantuar me ligj nga ana e psikologut.

Psika: Çka ju bën juve të veçantë si psikolog?

Sadiku: Profilizimi është jashtëzakonisht i rëndësishëm në punën e psikologut, sepse një psikolog nuk mund të jetë i dobishëm për të gjitha llojet e problemeve, për të gjitha grupmoshat. Ajo që mua më bën të veçantë, është pikërisht profilizimi, unë jam i destinuar (për shkak të përvojës) të punoj me fëmijë, adoleshentë dhe të rinjë vetëm deri në moshën 25 vjeçare. Në momentin kur paraqiten klientë të cilët janë më të vjetër në moshë, atëherë bëhet referimi i tyre tek kolegët e tjerë, me të cilat janë ndërtuar ura bashkëpunimi, të cilat janë mbështetur në profesionalizmin dhe përvojën e tyre. Për herë të parë në Kosovë, unë kam filluar të punoj përmes terapsië me Neurofeedback, gjë që më bën të veçantë në gamën e shërbimeve të cilat ofrohen për klientët. Është jo e pritshme që psikologu të jetë i përshtatshëm për të gjithë klientët, për të gjitha problemet, dhe mendoj se një aspekt tjetër që më veçon është edhe tendenca për të vendosur dhe mirëmbajtur ura bashkëpunimi me profesionistët e tjerë relevant (psikiatrin, neurologun, endokrinologun) me qëllim që të arrihet rezultati optimal terapeutik.

Psika: Përceptimi lidhur me rolin e psikologut në shoqëri, sa ka ndryshuar?

Sadiku: Viteve të fundit, vërehet një ndryshim i theksuar përsa i përket mënyrë së si qytetarët e vendit e përceptojnë psikologun. Dikur, psikologët por edhe vetë ata të cilët pranojnë shërbime psikologjike, ishin tejet të stigmatizuar nga komuniteti, kurse tani stigma është prezente, por jo në nivelin në të cilin ishte, dhe e tërë kjo falë punës së mirëfilltë profesionale të psikologëve të cilët kanë ndikuar pozitivisht në jetën e klientëve, e të cilët vullnetarisht kanë folur për përvojat e tyre pozitive, gjë që ka ndikuar në zbutjen e stigmës ndaj vetë përfituesve por edhe ndaj shërbimeve të psikologut në tërësi.

Psika: Sipas jush, cila mendoni se është arma më e fuqishme në psikoterapi?

Sadiku: Përderisa klientët tanë kanë vështirësi, manifestime të simptomeve të cilat e cenojnë mirëqenjen dhe funksionimin e tyre, terapeuti është në gjendje të trajtojë simptomet e lartëshkruara, njëkohësisht duke e stimuluar Autonominë, përmes procesit të vetë-aktualizimit. Arma më e rëndësishme në psikoterapi, është ri-orientimi i mekanizmave psikik të funksionimit të individit, jo në shpresë që vije nga jashtë, por në njohjen e resurseve të cilat burojnë nga brenda. Çdo klient karakterizohet me shkathtësi të cilat mund të përdoren me sukses për të arritur mirëqenjen në aspektin e funksionimit mendor, andaj duhet të targetohen ato, për të mirëmbajtur motivet e modifikimit, ngritjen e mirëqenjes së tij dhe njëkohësisht duke e stimuluar një autonomi e cila është efektive në mbrojtjen dhe stimulimin e mirëqenjes së tyre. Një armë e rëndësishme, në psikoterapi është vetëdijësimi i personit për pushtetin mbi mënyrën e funksionimit të tij, pra duke e stimuluar autonominë.

Biografi e shkurtër

Visar Sadiku studimet bazike për psikologji i përfundoi në Universitetin e Prishtinës, ku fitoi titullin “Bachelor i Arteve në Psikologji”. Fitoi titullin “Magjistër Shkence” në Universitetin e Sheffield-it në drejtimin “Psikologji Këshillimi”, në Selanik të Greqisë dhe më pas specializoi në Psikologji Klinike dhe Psikoterapi në programin ndërinstitucional mes universitetit të Baselit dhe Ministrisë së shëndetësisë. Ai aktualisht ofron shërbime në zyrën e tij në sektorin privat “Visar Sadiku .B.I”. Gjatë zhvillimit të tij akademik, ai ka shërbyer në institutin për shëndet mendor për fëmijë dhe adoleshentë nga viti 2011-2012, ku më pas me programin e specializimit, ai ka ofruar shërbime në klinikën e psikiatrisë, të neurologjisë dhe në institutin e shëndetit mendor, ku njëkohësisht ishte i punësuar në pozitën e psikologut brenda Qendrës Këshilluese të SOS Fshatrave të Fëmijëve – Kosovë. Ai ka qenë bashkëthemelues i “Shoqata Kosovare e Psikologëve të Rinj”, në të cilën ai ka ofruar shërbime për disa vite, ndërkaq është kyqur edhe në projekte të ndryshme hulumtuese. Perspektivat më me interes për të janë psikoterapia ekzistencialiste dhe psikometria. Ai poashtu, është i interesuar në psikologjinë e fëmijëve dhe të adoleshentëve.

Intervistoi: Arbnora Sahiti