Një selfie e “jashtëzakonshme” mund t’ju kushtojë me jetën tuaj!
Nuk janë të rralla rastet kur dëgjojmë për ngjarje fatkeqe se si njerëz të ndryshëm e kanë humbur jetën duke u përpjekur të bëjnë një selfie fantastike dhe unike. Duket kaq e pabesueshme dhe çmenduri e vërtetë!
Por çfarë po ndodh vërtet këtu? Çfarë është kjo lidhje me vetëportretin që është kaq rezonues si një formë e komunikimit? Dhe pse, psikologjikisht, dikush mund të ndihet kaq i detyruar për ta kapur vetveten e përsosur duke e rrezikuar jetën e tyre ose jetën e të tjerëve?
Derisa nuk ka përgjigje përfundimtare, ky fenomen unik i shekullit 21, është një fenomen që ia vlen ta eksplorosh më tej.
Përforcues i vetëbesimit apo instrument i narcizmit?
Njerëzit të cilët vazhdimisht dërgojnë selfie janë shpesh objektiva për akuzat e narcizmit dhe mungesës së shijes. Kurse, disa e shohin selfie-n si një zhvillim pozitiv.
“Psikologu i UCLA-s, Andrea Letamendi, beson se selfies lejojnë të rriturit e rinj ta shprehin gjendjen e tyre të disponimit dhe të ndajnë përvoja të rëndësishme” (Sifferlin, 2013).
Disa kanë argumentuar se selfies mund ta rrisin vetëbesimin duke u treguar të tjerëve se sa “të paparë” jeni dhe po ashtu në këtë mënyrë mund t’i ruani kujtimet e rëndësishme.
Prapëseprapë, ka shumë asociime negative me bërjen e selfie-ve. Përveç lëndimeve, vdekjeve dhe mungesës së shijeve, një çështje e madhe me selfie-t duket se është funksioni i tyre si një shkak ose pasojë e narcizmit. Peter Grey, në një artikull për Psychology Today, e përshkruan narcisizmin si “një pikëpamje të fryrë të vetes, e shoqëruar me një indiferencë relative ndaj të tjerëve”.
Narcisistët kanë tendencë t’i tejkalojnë talentet e tyre dhe t’u përgjigjen me zemërim kritikave. Ata gjithashtu kanë më shumë gjasa të detyrojnë dhe më pak të ngjarë të ndihmojnë të tjerët. Sipas Gray (2014), sondazhet e studentëve të kolegjit tregojnë se ky fenomen është shumë më i përhapur sot sesa 30 vjet më parë.
A ndërlidhen selfie-t dhe narcisizmi? Psikologia Gwendolyn Seidman sugjeron se ka një ndërlidhje. Ajo citon dy studime që shqyrtojnë prevalencën e selfies në Facebook në një mostër prej mbi 1,000 vetësh. Burrat në mostrën që kanë postuar një numër më të madh të selfies kanë më shumë gjasa të tregojnë prova të narcizmit. Në mesin e të anketuarve femra, numri i postimeve u shoqërua vetëm me një nëndimension të narcizmit të quajtur “kërkesa e admirimit”, e definuar si “ndjenja e së drejtës për status ose privilegje të veçanta dhe ndjenjë superiore ndaj të tjerëve”, (Seidman, 2015).
Si përfundim: selfies dhe narcizmi duket të jenë të ndërlidhura.
Si qëndrojmë ne në krahasim më të tjerët?
Selfies duket të jetë mënyra e preferuar e vetëshprehjes së këtij brezi.
Psikologët që studiojnë vetëkonceptin kanë sugjeruar se vetë imazhi ynë dhe mënyra se si e projektojmë atë, është filtruar përmes dy kritereve: besueshmëria (sa të besueshme janë pretendimet që bëj për veten time) dhe dobishmëria (sa tërheqëse, e talentuar dhe të dëshirueshme janë pretendimet që i bëj për veten time). Në këtë kuptim, selfie është medium i përsosur: është një mënyrë e thjeshtë për të ofruar prova për një jetë emocionuese, talent dhe aftësi të jashtëzakonshme, përvoja unike, bukuri personale dhe atraktivitet. Psikologët, e gjejnë të rëndësishme jo vetëm të pyesin përse njerëzit dërgojnë selfie, por edhe të pyesin pse të tjerët shqetësohen duke i parë ato. Dëshmitë sugjerojnë se njerëzit thjesht pëlqejnë shikimin e fytyrave. Selfies tërheqin vëmendje dhe komente më shumë se çdo foto tjetër dhe miqtë e kolegët tanë përforcojnë shkrepjen e selfie-ve duke na dhënë “pëlqime” dhe format e tjera të miratimit në mediet sociale.
Një shpjegim përse njerëzit janë aq të tërhequr për ta shikuar veten mund të jetë një konstrukt psikologjik i quajtur teoria e krahasimit social. Iniciatori i teorisë, Leon Festinger, propozoi që njerëzit duhet të kenë një përpjekje të lindur për ta vlerësuar veten në krahasim me të tjerët. Kjo është bërë për ta përmirësuar mënyrën se si ndihemi për veten (vetëzgjerimin), vlerësojmë vetveten (vetëvlerësimin), vërtetojmë se me të vërtetë jemi ashtu se si mendojmë (verifikim) dhe përpiqemi të bëhemi më të mirë sesa jemi (përmirësim vetjak). Është një listë që sugjeron një varg motivesh që duken mjaft pozitive. Por realiteti, për fat të keq, nuk është aq optimist. Ata që kanë më shumë gjasa të postojnë selfie, duket se kanë vetëbesim më të ulët se ata që nuk e bëjnë këtë gjë (Weigold, 2018).
Në të shumtën e rasteve, selfies e tërheqin vëmendjen, e cila duket si një gjë e mirë. Por kështu bëjnë edhe aksidentet e shumta. Miratimi që vjen nga “pëlqen foton tënde” dhe komentet pozitive në mediet sociale është e dobishme, veçanërisht për njerëzit e vetmuar, të izoluar ose të pasigurtë. Megjithatë, provat, në ekuilibër (të kombinuara me njerëz dhe kafshë që vdesin!), sugjeron se ka pak arsye për të festuar për këtë mani të dekadës së fundit.
Autore:
Diadora Cërmjani
Referencat:
Gray, P. (2014). Why Is Narcissism Increasing Among Young Americans? Psychology Today.
Seidman, G. (2015). What is the Real Link between Selfies and Narcissism? Psychology Today.
Sifferlin, A. (2013). Why selfies matter. Time.
Weigold, M. (2018). Why do people risk their lives for the perfect selfie? The Conversation.