Është OK nëse e themi ne, ju nuk bën ta thuani!

 

Futbolli vazhdon të mbetet sporti më interesant dhe më i shikuari në botë. Shikoni futboll gjatë Kampionatit botëror? Ju ka ndodhur që fuqimisht t’i mbështetni kombëtaret e preferuara? Jeni përballur me kritika dhe keni kritikuar kombëtare të ndryshme? Në vazhdim do të japim një shpjegim rreth kësaj çështje. Bazuar në një varg teorish që i përdorim, sjellja e njerëzve gjatë kampionatit botëror është interesante për t’u analizuar nga psikologët. Një arsye pse ne shikojmë futboll gjatë kampionatit botëror, kur në fakt zakonisht nuk e përcjellim atë, sipas Stiff (2018) është sepse ka të bëjë me ndryshimin e idenitetit social, të cilat janë aspekte të personalitetit tonë që lidhen me mënyrën e rrethit tonë social, si për shembull, me nacionalitetin, organizatat për të cilat punojmë, ose klubet në të cilat jemi të anëtarësuar. Identiteti social jo gjithmonë lidhet me një sjellje të caktuar negative, zakonisht sjelljet në grup mund të bazohen në norma sociale (Reicher, Spears, Postmes, & Kende, 2016).

 

“Është OK nëse e themi ne, ju nuk bën ta thuani!” Ju ka ndodhur që gjatë kohës sa keni përcjellur një ndeshje të shihni gabime në pasimet dhe taktikat e lojtarëve që luajnë për kombëtaren që ju e mbështesni? Besoj, që secili nga ne kemi hasur në situata të tilla, mirëpo pavarësisht kësaj, ne i shprehim mendimet tona për të treguar se ku ka gabuar ekipi, por nëse disa, që nuk e mbështesin të njëjtën kombëtare që e mbështesim ne, e kritikojnë atë, ne kemi tendenca të kalojmë në mbrojtje. Sipas Stiff (2018) nuk ka rëndësi se çfarë thuhet, por kush e thotë dhe këtë Hornsey, Oppes, & Svensson (2002) e quajnë efekti sensitiv brenda grupit. Sipas këtyre të fundit ne mund t’i pranojmë kritikat kur ato vijnë nga personat të cilët i përkasin të njëjtit grup si ne. Madje, shpesh këto kritika mund të shihen nga një këndvështrim pozitiv, duke i konsideruar ato konstruktive, ndërsa kritikat nga personat jashtë grupit (që mbështesin kombëtare të tjera) merren si tendenca për ta nënçmuar kombëtaren të cilën e mbështesim ne (Stiff, 2018).

Literatura nuk arriti t’iu bind që një gjë e tillë ndodh vërtetë? Atëherë kyçuni në linkun e FIFA-s dhe analizoni, ku komentet më të shpeshta që do të hasni janë:“Referi mbështeti X kombëtaren”, “Loja është shitur” ose “X kombëtarja është më e mira”, “X lojtarë do ta mposhtin X kombëtaren”. Të gjitha këto përfshihen tek reagimet “është OK nëse e themi ne, ju nuk bën ta thuani”, ku fansa të ndryshëm komentojnë rreth kombëtarëve të cilat ata i mbështesin ose kundërshtojnë.

 

Autore:

Artë Dulaj

 

Referencat:

Reicher, S., Spears, R., Postmes, T., & Kende, A. (2016). Disputing deindividuation: Why negative group behaviours derive from group norms, not group immersion. Behavioral and Brain Sciences, 39.

Stiff, Ch. (2018). Why do people suddenly ‘get into’ football during the Worl Cup? The Week.

Hornsey, M. J., Oppes, T., & Svensson, A. (2002). “It’s OK if we say it, but you can’t”: Responses to intergroup and intragroup criticism. European Journal of Social Psychology, 32(3), 293–307.