Deri në moshën tre-katër vjeçare, të gjithë fillojmë të gënjejmë. Në këtë pikë të zhvillimit tonë, mësojmë se ne kemi një mjet jashtëzakonisht të gjithanshëm dhe të fuqishëm në dispozicion – gjuhën tonë – dhe ne mund ta përdorim atë për të luajtur me realitetin dhe të ndikojmë në rezultatin e asaj që po ndodh. Herët ose vonë mësojmë se gënjeshtra është “e keqe” dhe nuk duhet të gënjejmë. Por nëse “Liar Liar” i Jim Carey na mësoi diçka, është që kjo thjesht nuk është e realizueshme. Ne të gjithë duhet të gënjejmë ndonjëherë.

Por disa njerëz janë gënjeshtarë patologjikë, që do të thotë se nuk mund të ndalojnë përhapjen e keqinformimit rreth vetes dhe të tjerëve. Arsyet psikologjike përse disa njerëz gënjejnë në këtë mënyrë janë pak mister, por në edicionin e tretë të Manualit Diagnostik dhe Statistikor të Çrregullimeve Mendore, të gënjyerit patologjike është një çrregullim në vete, si dhe një simptomë e çrregullimeve të personalitetit si psikopatia dhe narcizmi.

E vërteta nuk ka rëndësi për narcisistët

Kur nuk interesoheni për njerëzit e tjerë, gënjeshtrat nuk duket se kanë rëndësi. Mungesa e ndjeshmërisë në thelb nënkupton mungesën e ndërgjegjes, e cila është një koncept i vështirë për t’u kuptuar për shumë njerëz.

“Kur ata gënjejnë, kjo nuk i dëmton ata në të njëjtën mënyrë që do të na dëmtojë neve“, thotë Orloff, psikiatre dhe autore e librit The Empath’s Survival Guide.

“Shumë njerëz hyjnë në marrëdhënie me gënjeshtarë patologjikë, ose thjesht nuk mund ta kuptojnë se pse po gënjejnë, sepse ata po përpiqen t’i përshtaten këta njerëz në standardet e zakonshme të asaj që do të thotë të jesh empatik”. Por ata nuk përshtaten dhe në të njëjtën kohë nuk mund ta kuptojnë se po gënjejnë gjysmën e kohës. Kjo është jashtëzakonisht e rrezikshme për njerëz shumë të ndjeshëm, sepse ata tërheqin narcisistë. Pastaj, kur shohin se dikush po gënjen, ata përpiqen ta kuptojnë ose të fajësojnë vetveten.

“Fuqia e madhe e marrëdhënieve është kur ju mund t’i thoni të vërtetën njëri-tjetrit dhe t’i besoni njëri-tjetrit – dhe me gënjeshtarë patologjikë nuk mund ta ndërtoni këtë marrëdhënie”, thotë Orloff. “Ju nuk mund ta bazoni jetën tuaj rreth tyre, është si një deficit moral dhe nuk ka llogaridhënie, dikush që është një gënjeshtar patologjik nuk do të thotë se më vjen keq që e bëra këtë.

Mënyra e vetme për të shpëtuar nga kthetrat e një gënjeshtari patologjik, është të jesh mjaft i fortë për të thënë “jo ky nuk është faji im, kjo nuk është e vërtetë, kështu që nuk mund të të besoj”, tha ajo. “Nëse dikush gënjen, mos u përpiqni të bëni një justifikim për këtë,” shton Orloff.

Gënjeshtarët patologjik  nuk janë domosdoshmërisht njerëz të këqij

Psikologia Linda Blair, autore e shumë librave të psikologjisë, thotë se disa gënjeshtarë patologjikë janë thjesht shumë impulsivë për të treguar të vërtetën. Shkalla impulsive-reflektive është e rrënjosur në gjenet tona dhe është shumë e vështirë për dikë që ka shumë impulse, të marrë kohë për të menduar gjërat, ashtu siç është sfidë për një person reflektues që të veprojnë pa menduar thellë.

Të gënjyerit patologjik dhe narcizmi nuk janë sinonim, ata vetëm ndonjëherë shkojnë krah për krah. Në raste të tjera, gënjeshtarët patologjikë thjesht nuk mund të kenë aftësinë për të ndaluar veten. Gënjeshtrat e tyre nuk vijnë domosdoshmërisht nga një vend i keq. “Unë nuk mendoj se është diçka që ata e dinë se si të merren me të,” thotë ajo.

“Ne mendojmë se ndoshta ka të bëjë me funksionin aktual të trurit dhe mënyrën se si funksionon truri i disa njerëzve, gjë që e bën shumë më të vështirë për ta të kuptojnë efektin që do të ketë tek njerëzit e tjerë … Ne mendojmë, por ne vetëm nuk e dimë ende me siguri. “


Përktheu dhe përshtati:

Diadora Cërmjani

Referenca:

Dodgson, L. (2018). The Psychology Behind Why Some People Can’t Stop Lying. Business Insider.