1. Kung Fu Panda: Kushtëzimi Operant
Njëra nga sfidat më  të mëdha të pandës Po (personazhi kryesor), ishte fiksimi i tij i madh pas ushqimit. Por, kjo nuk mbetet më tutje një sfidë kur trajneri i tij, mjeshtër Shi Fu, e përdorë ushqimin si shpërblim pas çdo lëvizjeje që Po bënte gjatë ushtrimeve. Ushqimi shërbeu si motiv për ta arritur qëllimin që Po të ishte i gatshëm për dyluftim me armikun e tij (Grosaru, 2019). Sipas (Keener, 2018) këtu kemi të bëjmë me të mësuarit operant që është njëra ndër metodat më të njohura të të mësuarit në psikologji.

2. Frozen: Izolimi i fëmijëve

Qysh si një fëmijë i vogël, Elsa ka lindur me fuqi kriokinetike. Pas një aksidenti me motrën e saj, Anën, prindërit e Elsës e izolojnë atë, sepse e konsideronin atë si të rrezikshme për të tjerët, kështu që edhe si një e rritur, ajo jetonte në frikë të vazhdueshme nga paaftësia për të kontrolluar fuqitë e saj . Këto mësime janë aq të rrënjosura saqë ajo vazhdon të fshihet edhe pas vdekjes së prindërve të saj (Luttrell, 2014).
Kjo na sjell ndërmend të gjithëve, faktin se si shumica e prindërve izolojnë nga shoqëria fëmijët e tyre me çrregullime mendore, aftësi të kufizuara apo thjesht ata fëmijë që i konsiderojnë se janë më “ndryshe” nga pjesa tjetër e shoqëirsë (Seepersad, 2014). 

3. Në Kërkim të Nemos: Terapia e Ekspozimit
Marlin, babai i Nemos kishte frikë nga hapësirat e mbyllura. Një ditë, Nemo bie në rrjetën e një peshkatari dhe babai nga dashuria  e madhe për të birin, shkon në një kërkim të gjatë me Dorin, për ta shpëtuar atë. Kjo e detyron Marlinin të dalë jashtë zonës së tij të komfortit, pasi ai duhet të përballet me oqeanin e hapur në kërkim të djalit të tij. Marlini e ekspozon veten në hapësirat e hapura, që ai i’u frikësohet kaq shumë; duke luftuar kundër agorafobisë së tij. Prandaj, Marlin kapërcen agorafobinë e tij duke përdorur metoda të terapisë së ekspozimit (Winland, 2012).
Udhëtimi i Marlin reflekton se si funksionon terapia e ekspozimit, një trajtim i bazuar në dëshmi për ankthin. Gjatë terapisë së ekspozimit, një terapist ndihmon klientët të përballen me frikën e tyre në një mjedis mbështetës (Fraynt, 2018).

4. Brenda jashtë (Inside Out): Gjumi dhe Kujtesa 

“Inside Out” është njëri ndër filmat e animuar me më së shumti referenca psikologjike. Kjo nuk është për t’u habitur, ngase krijuesit e filmit së pari u konsultuan me psikologun e njohur Paul Ekman për ndërtimin e këtij tregimi (Judd, 2017). Ndër këto referenca është edhe kujtesa.
Çdo natë, kur Riley shkon për të fjetur, “vendi” ku qëndrojnë emocionet e saj mbyllet. Kujtimet që vijnë duke u rrokullisur gjatë ditës, në formën e topave të ngjyrosura, të gjitha thithen përmes një tubi për t’u dërguar në sferën e madhe të kujtimeve afatgjata (Weller, 2015). Kujtimet tona nuk janë topa të ngjyrosur, sigurisht, por parimi është i dukshëm, gjatë ditës ne përdorim kujtesën tonë punuese për të ruajtur detyra dhe fakte të vogla. Vetëm sapo të hyjmë në gjumë të thellë, truri ynë ruan disa nga kujtimet më të rëndësishme për një kohë shumë më të gjatë (Weller, 2015).

5. Dora Eksploruasja: Gjendja Fugue 

Dora shtatëvjeçare është një vajzë aventuriere dhe e këndshme, me një dëshirë të madhe për të udhëtuar dhe eksploruar. Ajo shkon në udhëtime që janë shumë të rrezikshme për dikë në moshën e saj, dhe humbet rrugën. Gatishmëria e saj për të eksploruar, si dhe pamundësia e saj për të kujtuar udhëtimet e mëparshme, janë dy simptomat e një gjendje të quajtur Fugue State (Harris, 2012). Personat me këtë gjendje përkohësisht harrojnë karakteristikat e tyre identifikuese ose kush janë ata për një periudhë të caktuar kohore (Harris, 2012).

Autore: Veronë Perçuku

Referencat:

Fraynt, B. (2018). 4 Pixar Movies That Can Start a Conversation About Mental Health . Retrieved from www.fandom.com/articles/4-pixar-movies-that-can-start-a-conversation-about-mental-health

Grosaru, L. (2019). “Agreeing To Disagree” is Passive-Aggressive. Go for Authenticity Instead. Psychology Corner.

Harris, Sh. (2012, June 28). Top 10 Mental Disorders Of Cartoon Characters [Blog post]. Retrieved from www.toptenz.net/top-10-mental-disorders-of-cartoon-characters.php

Judd, W. (2017). A conversation with psychologist behind inside out . Psmag. Retrieved from https://psmag.com/social-justice/a-conversation-with-psychologist-behind-inside-out

Keener, A. (2018). Teaching Psychology With Animated Movies . Everyday Learning.

Luttrell, G. (2014). 7 Moments that made frozen the most progressive disney movie ever . Mic. www.mic.com/articles/79455/7-moments-that-made-frozen-the-most-progressive-disney-movie-ever#.uGqofmdKl

Seepersad, S. (2014). 10 Ways Frozen is The Story Of Loneliness: There is loneliness behind that love story. Psychology Today.

Weller, Ch. (2015). Pixar’s ‘Inside Out’ is a surprisingly accurate look at human psychology — here’s what it gets right and wrong. Business Insider.

Winland, D. (2012). Movie Case Analysis- Finding Nemo. Retrieved from https://www.coursehero.com/file/p4uduk/For-example-Marlin-states-Nemo-get-back-here-You-are-going-to-get-hurt-Nemo/