Mirënjohja mund të përkufizohet si vlerësimi i asaj që është e vlefshme dhe kuptimplotë për veten. Ajo përfaqëson një gjendje të përgjithshme falënderimi dhe vlerësimi (Sansone, 2010). Rëndësia e mirënjohjes theksohet në shumicën e traditave fetare, filozofike dhe kulturore. Gjatë dy dekadave të fundit, teoritë psikologjike dhe provat empirike, kanë mbështetur pohimin që mirënjohja është një virtyt i vlefshëm që të kultivohet (Layous et al., 2017).  

Si funksionon mirënjohja?

Kur ndihemi mirënjohës, stimulohen dy regjione të rëndësishme të trurit tonë: Hipotalamusi, i cili rregullon stresin; dhe zona tegmentale e trurit, e cila luan një rol të rëndësishëm në prodhimin e ndjenjave të kënaqësisë (Brandt, 2018). Praktikimi i mirënjohjes është i ndërlidhur me rezultatet e dëshiruara në marrëdhënie më të mira, lumturi dhe prosocialitet, pak simptoma të sëmundjes fizike, më pak zili dhe materializëm (Layous et al., 2017). Mbajtja e një ditari që mban shënime gjërat e bukura në jetën tënde, do të shtojë disponimin tuaj dhe do të rrisë produktivitetin. Thjeshtë duke filluar ditën, dikush apo diçka për të cilën jeni mirënjohës, do të ju ndihmojë të largoni mendjen nga negativiteti. Ditari i mirënjohjes ka nevojë për përqëndrim. Ditari duhet të përdoret shpesh, në mënyrë që nënvetëdija jonë të ketë kohë të absorbojë dhe të inkorporojë me të vërtetë këto mesazhe pozitive (Kelly, 2016).

Një studim i vitit 2003 krahasoi mirëqenien e pjesëmarrësve që mbanin një listë javore të gjërave për të cilat ishin mirënjohës dhe të pjesëmarrësve që mbanin një listë të gjërave që i irritonin ata ose gjëra neutrale. Studiuesit treguan se pjesëmarrësit e fokusuar në mirënjohje, shfaqën një rritje të mirëqenies dhe përfunduan se “përqendrimi mbi bekimet mund të ketë përfitime emocionale dhe ndërpersonale” (Brandt, 2018).

Këtu janë 7 përfitime të mirënjohjes të provuara shkencërisht:

  • Mirënjohja hap derën për më shumë marrëdhënie. Duke treguar vlerësimin mbi të tjerët mund t’ju ndihmojë të fitoni miq të rinj, sipas një studimi të vitit 2014. Studimi zbuloi se falënderimi ndaj të tjerëve i bën ata më shumë gjasa të kërkojnë një marrëdhënie të vazhdueshme.
  • Mirënjohja përmirëson shëndetin fizik. Njerëzit mirënjohës përjetojnë më pak dhimbje dhe raportojnë se ndihen më të shëndetshëm se njerëzit e tjerë, sipas një studimi të vitit 2012 të publikuar në Dallimet e Personalitetit dhe Individëve.
  • Mirënjohja përmirëson shëndetin psikologjik. Sipas një hulumtimi nga Robert Emmons, mirënjohja redukton një mori emocionesh toksike, nga zilia dhe pakënaqësia deri te frustrimi dhe keqardhja.
  • Mirënjohja rrit ndjeshmërinë dhe zvogëlon agresionin. Njerëzit mirënjohës kanë më shumë gjasa të sillen në mënyrë prosociale, edhe kur të tjerët sillen më pak mirësi, sipas një studimi të vitit 2012 nga Universiteti i Kentakit.
  • Njerëzit mirënjohës flenë më mirë. Praktikimi i një ditari mirënjohjeje përmirëson gjumin, sipas një studimi të vitit 2011 të botuar në Psikologjinë e Aplikuar: Shëndeti dhe Mirëqenia.
  • Mirënjohja përmirëson vetëbesimin. Studimet kanë treguar se mirënjohja rrit vetëvlerësimin dhe redukton krahasimet shoqërore.
  • Mirënjohja rrit fuqinë mendore. Për vite të tëra, hulumtimet kanë treguar se mirënjohja jo vetëm që zvogëlon stresin, por gjithashtu mund të luajë një rol të madh në tejkalimin e traumave (Morin, 2015).

Autore:

Arbenita Berisha

Referencat:

Brandt, A. (2018). Science Proves That Gratitude Is Key to Well-Being. Psychology Today.

Kelly, J. D. (2016). Your Best Life: Breaking the Cycle: The Power of Gratitude. Clinical orthopaedics and related research474(12), 2594–2597.

Layous, K., Sweeny, K., Armenta, C., Na, S., Choi, I., & Lyubomirsky, S. (2017). The proximal experience of gratitude. PloS one12(7).

Morin, A. (2015). 7 Scientifically Proven Benefits of Gratitude. Psychology Today.

Sansone, R. A., & Sansone, L. A. (2010). Gratitude and well being: the benefits of appreciation. Psychiatry (Edgmont (Pa. : Township)7(11), 18–22.