Do të përpiqem të shpjegoj induktimin e Paranojës që influencon në tjetërsimin funksional të personalitetit të njeriut, si një tundim ankthioz dhe dëmtues në raport me botën shoqërore (sociale) në tërësi.
Sigurisht se kërkohet një analizë e thelluar, e kujdesshme në truallin e psikës gjë që vështirësisht mund të deduktohet mbi origjinën dhe injektimin e saj në jetën individuale dhe psikosociale të njeriut. Kanë evoluar dhe evolojnë vazhdimisht pikëpamjet teorike, gjegjësisht, një paranojë dominuese mund të quhet padyshim “bërthama rezistente” e psikozës dhe iracionalitetit të saj në të gjitha dimensionet. Faktorikisht, margjinalizimi i saj është në rritje specifikisht në nosografinë bashkëkohore sepse inkorporimi i vrullshëm i paranojës në grupin e Skizofrenisë është duke krijuar një infrastrukturë të zgjeruar në mendjen e njeriut nga shumë predispozita, por edhe faktorë të tjerë influencues.
 
Cilat predispozita dhe cilët faktorë influencues ?
 
Në përmasat që merr paranoja e një individi, krijon skenime dhe inskenime të pavëreta dhe ireale në fushëveprimtarinë kognitive të mendjes aktive dhe pasive në konceptin e të menduarit, sjelljes, reagimeve dhe ideve delusive, atëherë kur individi fillon t’i nënvizojë si të vërteta, ekzakte dhe bindshmërisht reale, supozoj se identifikimi i paranojës që qarkon dhe izolon shpirtin dhe mendjen e njeriut duhet të nxirret nga një provë e rendit terapeutik prej vërtetësisë të skenave fëminore, pra një provë vërtet e pacënueshme e vërtetësisë dhe kuptimit thelbësor të saj.
Mund ta shohim veten të shtrënguar të bëjmë një sintezë dhe të shqyrtojmë kushtet e rëndësishme të etiologjisë së paranojës, por në rend të parë zë fill një simptomë deluzive, prandaj dhe duhet të ekzistojë një përpjekje mbrojtjeje kundër një ideje të ankthshme sepse domosdoshmërisht një ide e tillë duhet të ketë një bashkëlidhje logjike, ose përmes shoqërimit deri te burgosja totale e subjektivitetit individual, humbja e realitetit dhe krijimi i konstruksionit “realitet këmbngulës”, një kontradiksion i dukshëm, por zotërues.
Cilat mund të jenë këto hallka të ndërmjetme që e strukturojnë përbërjen interesante të paranojës, kategori tipikisht patologjike me sens tendencioz dhe frikësues, apo mos vallë paraftyrimi i këtyre inskenimeve dhe ideve komplote mund të jenë karakteristika të pandryshueshme, të cilat përfaqësojnë me rregullsi të habitshme derivate konsistente nga psikoedukimi prindëror në retrospektivë?
Pastaj meqenëse është një temë shumëdimensionale, paranoja ndahet në tipet dhe nëntipet e saja dhe mund ta imagjinoni pavarësisht se studimet psikologjike mund të duken ndonjëherë si një fantashkencë në disa raste, një paranojak ose një paranojake mund të posedojë afinitete letrare dhe artistike dhe nga ky konstatim supozoj me përgjegjësi të plotë se në këto raste Psikologët dhe Psikiatria duhet ta orientojnë fokusin dhe përqëndrimin te paranoja në dukje si anakronike, pasi që nga themelet e saja mund të konsiderohet si një anomali zhvillimore, gjatë një periudhe kur një individ e shënon pjekurinë e delimitimit siç zbatohet në nocionin e paranojës.
Paranoja gradualisht te individi në shpjegueshmërinë dhe trajtimin e saj qëndron aktive vazhdimisht dhe e krijon një hinkë ku çdo herë e më shumë individi e zhyt vetën në të, por shkaqet mund të jenë edhe endogjene, pandryshueshmëria iluzore e sistemit të mashtrimeve dhe ruajtja e plotë e qartësisë dhe e porosive sipas mendimeve tunduese, vullnet dhe veprim.
Efektet nënkuptuese të paranojës janë të dukshme, gjithmonë komplotiste dhe të organizuara, me energji të fortë vigjilence dhe mobilizim të shumëfishuar sjellor dhe mendor. Ato ndjenja të frikës, zemërimit dhe të tradhëtisë, janë elementet primare të paranojës si çrregullim dhe padyshim se dehidrimi i plotë i mendimeve të shëndosha pëson rotacion të paimagjinueshëm kur paranoja mund ta pushtojë mendjen. Logjikisht, hipervigjilenca konsumon energji mendore dhe fizike dhe nga ky fakt, nga thumbimet e njëpasnjëshme të paranojës dëmtohet sistemi ynë fiziologjik, neuronal (neurobiologjik), në rrugët anësore të pasojave të saj destabilizohet ritmi biologjik-ushqimor, deri te pasojat tjera ekzistente në kuptimin e përgjithshëm organik. Fakti që na shqetëson dhe na brengosë më së shumti është se shpesh, mendimet dhe ndjenjat paranojake janë të lidhura me ngjarjet dhe marrëdhëniet në jetën e një personi, duke rritur kështu izolimin dhe vështirësinë në marrjen e ndihmës dhe kështu nga të gjitha premisat e analizuara paranoja është djalli brenda bërthamës shpirtërore që ka pësuar nervozizëm të parezistueshëm, ndërsa konceptualisht në botën kognitive të njeriut, paranoja interferon përmes rrymimeve inkoshiente në koshiencën tonë: pretendime, besime, mosbesime, dyshime dhe akuza të pavërteta në shumë spektra faktik. Paranoja krijon koleksione idesh në dy drejtime: Në botën e madhështisë dhe të persekutimit, por pavarësisht se ky studim kërkon hollësisht fakt dhe hulumtim shkencor, do të përpiqem t’i paraqesë dy supozime interesante të cilat pastaj në fazën e dytë të publikimit të shkrimit do të mundohem t’i interpretojë me rezultate dhe të arritura nga rendi terapeutik, bihevioral, empirik etj.

Gjithsej tanimë gjashtë vite të plota jam rrëmbyer duke analizuar me shumë asocime dimensionin “solipsist “ të individit, meqenëse solipsismi si trajtesë vetëm filozofike, në shumë këndvështrime psikologjike (klinike) dhe psikiatrike mund të konsiderohet si çrregullim i personalitetit, apo çrregullim disociativ tanimë në DSM-V, por në rrënjët dhe në frytin e saj korelon në përpjestim të drejtë me paranojën si kategori patologjike e rënduar me të gjitha elementet e përmbledhura të cilat i trajtuam më lartë.
Konkluzivisht theksoj se solipsismi meqenëse nënkupton se vetëm mendja e njeriut është e sigurt se ekziston dhe çdo gjë jashtë mendjes është e pasigurt, ose inekzistente atëherë ky korelacion analogjik me paranojën prodhon nxitje të eksituara shkencore dhe gjurmuese e gërmuese, që me përkushtim të thellë të analizohen detajet e këtij shqyrtimi të hollësishëm supozues.
Pra, dyshoj qëndrueshëm se solipsismi kritik, si trajtesë filozofike është fenomen evolutiv i mendjes së njeriut tanimë në një transformim aktual si paranojë e sistemuar, rregullative, strikte, e brumosur nga autoriteti diktatorial i stilit prindëror. Dhe këtu në fazën e dytë të studimit dhe hulumtimit do të tentoj t’i inkuadroj në lojë variablat identifikuese, direkte dhe indirekte të këtij transformimi sipas parimit evolutiv nga solispsisëm në paranojë, dallimet, ngjashmëritë dhe ndryshimi kohor dhe a mund të jetë teknologjia mjeti që ka ndikuar në këtë evolucion tërësor, pastaj ndjekja me vëmendje e qëndrimeve solipsiste drejt asaj paranojake, dikur një botë e vetme si solipsistike, tash duke lulëzuar në kuptimin simptomatologjik si paranojë simptomike dhe qëndrore e psikozës.
Së fundmi supozoj se fenomeni “deja vu” te individët me paranojë, shpeshtazi përsëritet, duke krijuar përshtypje iracionale dhe probleme në sistemin e kujtesës. Reagimi ekstrem i kujtesës a mund të ndikohet nga hipervigjilenca e paranojës dhe si e tillë a mund të dëmtohet nga presioni i vazhdueshëm i përceptimeve maksimale dhe të vëmendshme indvidi me paranojë ?
Opinioni im publik nga ky shkrim analizues, shqyrtues dhe supozues konkludon se në vazhdim, në fazën e radhës do të vijmë me dedektime dhe analiza të reja, empirike, testuese, terapeutike, me qëllim qartësimin dhe shqyrtimin konkret të problemeve nga paranoja si thumbuese e shpirtit dhe e mendjes, e kurse për zbatueshmërinë terapeutike për trajtimin e paranojës nuk preferohet modalitete tjera si familja ose terapi grupore, meqenëse ky shqetësim është i vijueshëm, kërkohet në të gjitha përmasat reduktimi i simptomave ekstreme të saj, me qëllim nivelizimin, ekulibrimin e gjendjes problematike nga paranoja si çrregullim i personalitetit paranojak.

Rron Kastrati– Psikolog, moderator i emisionit me karakter sensibilizues “ Psikologjia Press” dhe i specifikuar në përfundim në nivelin Master në Programin “Psikologji organizative dhe sociale”.

Autor:
Rron Kastrati