Aktiviteti fizik dhe stërvitja në mënyrë adekuate janë të rëndësishme për shëndetin fizik dhe mendor. Morgan (2018) shqyrtoi rezultatet e studimeve të mëparshme duke analizuar efektet e mundshme nga ndërprerja e stërvitjes aktive tek të rriturit.

Udhëzimet e tanishme për shëndetin publik vazhdimisht rekomandojnë që të mundohemi të jemi aktiv në shumicën e rasteve. Sipas këtyre udhëzimeve duhet bërë të paktën 150 minuta stërvitje me intensitet të moderuar në javë, për të ruajtur shëndetin dhe për të parandaluar depresionin ose 75 minuta stërvitje me intensitet më të fuqishëm për përfitime shëndetësore shtesë. Kjo sepse ndalimi i stërvitjes mund të rezultojë në rritjen e simptomave depresive sipas një hulumtimi të shëndetit mendor nga Universiteti i Adelaide (2018).

Studimet e realizuara kanë vlerësuar gjendjen pas ndërprerjes së ushtrimeve në 152 individë të rritur. Ata kishin ndërmarrë 30 minuta stërvitje, nga tri herë në javë, për minimum tre muaj. Sipas Baune (2018) “Në disa raste, ndërprerja e kësaj stërvitjeje nxit rritje të ndjeshme të simptomave depresive pas vetëm tri ditëve”. Studime të tjera treguan se simptomat depresive të njerëzve u rritën pas një ose dy javëve të para, kohë kjo e cila mund të konsiderohet mjaft e shkurtër pas ndalimit të ushtrimeve nga ana e tyre. Një pjesë e gjerë e provave klinike kanë treguar se stërvitja e rregullt mund të zvogëlojë dhe të trajtojë depresionin. Megjithatë, ekziston një kufizim në hulumtimet që tregojnë për atë që ndodh me simptoma depresive kur ushtrimi ndalet, por pavarësisht kësaj Baune (2018) deklaron që “Tani për tani, është e rëndësishme që njerëzit të kuptojnë ndikimin e mundshëm në mirëqenien e tyre mendore kur ata ndërpresin stërvitjen e rregullt”.

 

Autore:

Dafina Prenaj

 

Referencat:

Morgan, A. J., Olagunju, T. A., Corrigan, F., & Baune, T. B. (2018). Does ceasing exercise induce depressive symptoms? A systematic review of experimental trials including immunological and neurogenic markers. Journal of Affective Disorders.

University of Adelaide. (2018). Stopping exercise can increase symptoms of depression. ScienceDaily.