Një studim i ri i kryer nga Universiteti i Exeter dhe Universiteti i Arteve të Tokios, ka gjetur se këngët nga e gjithë bota kanë tendencë të ndajnë karakteristika, duke përfshirë një ritëm të fortë, që mundësojnë koordinimin në situata sociale dhe nxisin lidhjen me grupin. Pavarësisht dekadave të skepticizmit rreth pranisë së aspekteve universale ndër-kulturore të muzikës, studimi siguron dëshmi të forta për ekzistencën e karakteristikave të përbashkëta në muzikën globale. Rezultatet mbështesin idenë, se muzika është një aspekt i fuqishëm shoqëror, që i ndihmon shoqëritë. Dr Thomas Currie nga Universiteti i Exeter tha: “Gjetjet tona ndihmojnë në shpjegimin e arsyeve se pse njerëzit bëjnë muzikë”. Rezultatet tregojnë se tiparet më të zakonshme të shikuara në muzikë në mbarë botën, lidhen me gjërat që i lejojnë njerëzit të koordinojnë veprimet e tyre dhe sugjerojnë që funksioni i muzikës është të bashkojë njerëzit dhe të lidhë grupe shoqërore. Në Perëndim, ndonjëherë mund të mendojmë për muzikën si për individët që shprehin veten ose shfaqin talentin e tyre, por në përgjithësi muzika tenton të jetë më shumë një fenomen shoqëror. Edhe këtu e shohim këtë, në gjëra të tilla si këndimi i himneve kombëtare.

 

Në vende si Koreja e Veriut, mund të shohim gjithashtu shembuj ekstremë se si mund të përdoren muzika dhe vallet masive për të bashkuar dhe koordinuar grupet. Studiuesit analizuan 304 regjistrime të muzikës së larmishme stilistike nga e gjithë bota, për të zbuluar karakteristikat e përbashkëta. Edhe pse nuk gjetën universale absolute, ata gjetën dhjetra universale statistikore (domethënë, karakteristika që ishin vazhdimisht të pranishme në shumicën e këngëve nëpër rajone të ndryshme botërore). Këto përfshinin karakteristikat që lidhen me kontekstin shoqëror dhe ndërlidhjet mes veçorive muzikore. Rezultatet treguan se ritmet e bazuara në dy ose tri rrahje, ishin të pranishme në muzikë nga të gjitha rajonet e përzgjedhura: Amerika Veriore, Amerika Qendrore / Jugore, Evropa, Afrika, Lindja e Mesme, Azia Jugore, Azia Lindore, Azia Juglindore dhe Oqeani. Autori kryesor Pat Savage, një student PhD nga Universiteti i Arteve në Tokio, tha: “Tani kemi treguar se përkundër diversitetit të madh, pjesa më e madhe e muzikës në të gjithë botën është ndërtuar në të vërtetë nga blloqe bazike shumë të ngjashme dhe kryen funksione shumë të ngjashme, të cilat kryesisht rrotullohen rreth afrimit të njerëzve. Vajza ime dhe unë ishim duke kënduar, duke u dridhur dhe duke vallëzuar së bashku për muaj, përpara se ajo madje të thoshte fjalët e saj të para.

 

Muzika nuk është një gjuhë universale … muzika na lejon të lidhemi pa gjuhë”.

 

Autore:

Ariana Krasniqi

 

Referenca:

Savage, P., Brown, S., Sakai, E& Currie, Th. (2015). Statistical universals reveal the structures and functions of human music. PNAS.