Dinamika e jetës që ne tani po e jetojmë dhe sfidat e njëpasnjëshme me të cilat qenia njerëzore po përballet dita ditës, po na dobëson herë pas here dhe po na bën viktimë të një depresioni gjithëpërfshirës.

Tashmë, mund të thuhet me plot siguri se ankthi dhe depresioni janë shpallur si betejat shekullore të dekadës. Pak bisedë dhe shumë injorancë, mund të vërehen në mesin e kafeterive, ku smartphonet zënë rendin e parë. Mungesa e empatisë dominon në çdo bisedë të zbrazët. Ndjeshmëria ndaj ngjarjeve të një personi tjetër është zhdukur dhe tashmë është zëvendësuar me një injorim total dhe arrogancë të dukshme. Ky është pikërisht realiteti i hidhur të cilin ne po e gëlltitim çdo ditë.

Shumë nga ne, zgjedhim të “ëndërrojmë” një vend ku çdo gjë është perfekte dhe ku ne mund të ndihemi rehat apo thjesht të krijojmë një lumturi të rrejshme. Një realitet të fantazuar i cili sadopak mund të na përmbush si njerëz dhe të na jap ndjenjën e kënaqësisë së të jetuarit. Një imagjinatë me një familje të përkryer, karrierë për të cilën gjithmonë ke punuar dhe një shtëpi të mbushur me orenditë më të bukura. Të paktën, në këtë formë ke një strehim të ngrohtë. Në këtë mënyrë, ti mund të ikësh nga lajmet e hidhura që raportohen në edicionet televizive apo papunësia e cila po shkon duke u rritur.

Një luftë mes realitetit të hidhur dhe imagjinatës së përkryer, përshtatet shumë edhe me rrethanat ku populli ynë po jeton. Për fat të keq, të gjithë ne jemi dëshmitarë të gjendjes me të cilën rinia e vendit tonë po përballet, duke mos gjetur zgjidhje.

Mirëpo, sado që duket e pamundur dhe e paarritshme, secili realitet i hidhur mund të shndërrohet në atë çka ne kemi ëndërruar për të pasur në jetë. Krejt kjo mund të fillojë duke përmirësuar raportet tona me njëri-tjetrin dhe duke shfaqur ndjeshmëri ndaj të tjerëve. Pasiviteti ynë mund të zëvendësohet me një punë të palodhshme dhe të frytshme. Mangësitë tona mund të kthehen në fortësi vetëm duke pasur besim dhe kurajo për t’i arritur ato. Në këtë mënyrë, mund të arrijmë rezultate të cilat as ne vetë nuk i kemi menduar. Kështu, realiteti që ngjason me një përjetim të hidhur kthehet në një formë jetese ideale të cilën secili njeri meriton ta jetojë.

Autore:

TringaVisoka

Referencat:

Jonathan, S. (2012). The reality that we live. American Journal of Psychology.

Wells,J. (2014). Fantasy and perfection. Journalof Positive Psychology.