Profesor Nushi ka qenë njëri prej personaliteteve më të shquara të psikologjisë ndër shqipëtarë duke dhënë kontribut në mënyra të ndryshme në këtë fushë. Përveç pesëdhjetë e dy viteve ligjërimi të kësaj dege, prof . dr. Pajazit Nushi ka botuar rreth njëmbëdhjetë libra për psikologji, ka qenë i angazhuar në ngritjen e vetëdijes kombëtare, që pashmangshëm e lidh me psikologji. Kontributi i tij mbetet fundamental edhe sot e kësaj dite. Më poshtë është paraqitur intervista e bërë me të ndjerin, në kohën sa ishte ende gjallë.

Profesor a mund të na flisni për kontributin tuaj të çmuar në psikologji?
“Sikurse është e njohur, unë kam studiuar psikologji me dëshirën time. Më qe ndarë bursa për të studiuar pedagogji, por unë doja të studioja psikologji. Motivet e përcaktimit tim jetësor për psikologji kanë qenë më tepër të lidhura me anën praktike dhe me mungesën e shpjegimeve të duhura për fenomenet dhe dukuritë e proceseve psikologjike, që në atë kohë, para gjashtëdhjetë vitesh te ne shqiptarët kanë munguar. Kanë qenë disa shpjegime më tepër popullore, folklorike, më tepër të mbështetura në përvoja të njerëzve. Psikologjia në atë kohë, menjëherë pas luftës së dytë botërore, ka qenë pak e njohur. I përkas gjeneratës së parë të studentëvë të Universitetit të Beogradit, të cilët pas luftës së dytë botërore kanë studiuar psikologji.”

A keni qenë i vetmi shqipëtar?
“Po, kam qenë i vetmi shqipëtar. Mund të themi se ai mjedis studentësh ka qenë i nivelit relativisht të lartë, disa prej tyre kanë qenë nga familje intelektuale, fëmijë të doktorëve të shkencave, ndërsa unë kam qenë pa ndonjë traditë intelektuale në familjen tonë. Familja ime ka qenë relativisht e stabilizuar ekonomikisht, por jo familje që është marrë me zhvillimet intelektuale. Nënën e kam pasur fetare të nivelit të lartë, e cila në atë kohë ndiqte mejtepe të ndryshme, ka ditur të lexoj Kur`anin..”

“Programi në fakultet ka qenë një kombinim i lëndëve filozofike-sociologjike të shkencave natyrore dhe psikolgjike, por në praktikën time është treguar program shumë i frytshëm sepse më ka hapur horizont mjaftë të gjerë, në të cilin në situata të ndryshme gjithmonë e kam gjetur veten, megjithëse kam punuar edhe në fusha të cilat nuk kanë të bëjnë me psikologji. Përpos mësimdhënies në psikologji, të cilën e kam filluar në gjimnazin e Gjakovës, në shkollën Normale të Prizrenit, në Normalen e Prishtinës, në shkollën e Lartë Pedagogjikë të Prishtinës, kam bërë edhe punë të tjera. Në Fakultetin Filozofik të Prishtinës e kam kryer detyrën e ligjëruesit, më vonë kam doktoruar në këtë universitet, jam zgjedhur docent, profesor inordinar, ordinar, profesor. Nga Fakulteti Filizifik, në vitin 2000 jam propozuar në Akademi të Shkencave, ku jam anëtar i rregullt dhe ku realizoj projekte që kanë të bjënë me psikologjinë. Nga projektet e fundit që kam dorëzuar, është projekti i fjalorit shpjegues të psikanalizës, në të cilin kam punuar që nga viti 1977…”
“Një kohë kam qenë edhe drejtor i entit për përparimin e shkollave të Kosovës, prej këtij funksioni kam shkuar ndihmës i ministrit të arsimit dhe kulturës të ish- federatës Jugosllave… më pas më patën zgjedhur nënkryetar të qeverisë së Kosovës, ku kam qëndruar 10 vite, por gjatë tërë kësaj kohe kam dhënë mësim. Asnjëhere nuk është larguar prej interesimeve të mija fusha e piskologjisë, edhe atëhere kur është dashur të merrem me politikë. Edhe atëhere kur është dashur të merrem me histori, jam marrë me çështjen e zhvillimit të vetëdijes kombëtare të shqipëtarëve, që ka të bëjë me psikologji. Falë këtij angazhimi kam mbërritur që ta përpiloj edhe tekstin e parë të psikologjisë në gjuhën shqipe, për shkollat e mesme. Në mbështetje të atij teksti kam pasur një sihariq të posaçëm në Gjirokastër. M`u afrua një njeri krejtësisht i panjohur. Më tha se vajza e tij ka përgatitur provimin pranues për psikologji në universitetin e Firencës në Itali dhe falë librit tim, paska arritur të jetë e para nga ata kandidatë që kanë konkuruar.”

“Kam hartuar tekste të psikologjisë edhe për universitet. Për studentë të psikologjisë kam pasur tre tekste të psikologjisë së përgjithëshme, tekst për psikologjinë e personalitetit, fjalor të psikologjisë, i par i botuar në gjuhën shqipe. Jam marrë me hulumtime empirike në fushën e përceptimit të shkronjave të alfabetit të gjuhës Shqipe. Kam libër të botuar edhe për psikologjinë e zgjedhjes së profesionit…
E rëndësishme është që kemi mbërritur që në kushte relativisht të vështira si politike, socio-ekonomike, t’a shtyejmë zhvillimin e psikologjisë krahas zhvillimit të shkencave tjera në Kosovë. Falë një angazhimi të gjithë prej nesh kemi mbërritur të krijojmë një bërthamë të mirë të profesionalistëve në fushën e psikologjisë, që të stabilizohet edhe departamenti i psikologjisë në UP.”

Pajazit Nushi (1933 – 2015)

Profesor, po dukeni optimist sa i përket perspektivës së psikologjisë në Kosovë!
“Po, jam optimist. Psikologjia në kuptimin e gjerë, gjen aplikim në zhvillimet industriale ekonomike të Kosovës, në ato mjekësore psikiatrike, në zhvillimet e forcave të armatosura të Kosovës, në zhvillimin e gjyqësisë së Kosovës, dhe sidomos në zhvillimin e arsimit. Mirëpo, ende vetëdija jonë për zbatimin e psikologjisë në këto fusha është e ulët.”

Për profesionin e psikologut në Kosovë ka shumë paragjykime. Si mendoni se mund të ndryshohet ky opinion i gabuar?
“Është e vërtetë se kemi qasje me shumë paragjykime për fushën e psikologjisë, por kemi qasje të tilla nga ana e atyre që janë edhe vetë të ngarkuar me dijeni të një të kaluare, e cila sot nuk zbatohet. Prandaj, gjenerata e vjetër ka paragjykime, por jo edhe kjo e reja. Jeta praktike po e vërteton se nuk ka mundësi që një psikiatër ta kryej profesionin e tij të plotë pa ndihmën e psikologut. Një industrialist nuk mund të jetë i suksesshëm pa psikologun, i cili bënë zgjedhjen e kuadrove që janë në gjendje t’a shtojnë produktivitetin e punës, nuk ka mundësi ekipi i gjyqtarëve ta kryejnë funksionin e tyre pa pasur raporte për motivet e vrasjeve, nuk ka mundësi sporti të avancoj në Kosovë nëse një ekip që synon të inkuadrohet në gara ndërkombëtare, nuk e ka edhe psikologun i cili do t`audhëzoj se si të luftohet me motive të larta në një fushë në të cilën shqipëtari del për herë të parë , e ku lojën e tij e përcjëllin njëqind mijë spektatorë. Ndaj, mendoj se së shpejti këto paragjykime do të bien dhe nevoja për inkuadrim të psikologëve do të jetë në nivel shumë të lartë. Por, edhe psikologët nëse nuk kryjnë detyrën e tyre si duhet, jo vetëm që largohen nga puna, por mund të inkriminojnë edhe fushën e piskologjisë dhe mund t’a shpërdorin edhe sistemin e njohurive psikologjike e t`i japin status të ulët psikologut, në një mjedis që ka shumë nevojë për të…”

Profesor, viti që shkoi ishte i fundit që ju ligjëruat në UP, a mund të na tregoni si e përjetuat këtë largim?
“Qe besa e kam përjetuar vështirë, sepse prej mësimdhënies jam ndarë para pesëdhjetë e dy viteve. Kam ndier kënaqësi kur kam shkuar të jap mësim nga fusha e psikologjisë, pata fituar një përvojë të vlefshme… Jam ndarë prej mësimdhënies, por Fakulteti Filozofik ma ka dhënë çelësin e zyrës ku unë edhe sot shkoj punoj, përndryshe prej të tjerëve që nuk e kanë gëzuar këtë dhuratë, pasi për mua ka qenë dhuratë shumë e madhe. Në kuadër të asaj zyre, pranoj student për konsultime, këshillime, për provime diplomash, magjstrature, jam mentor i disave, etj.”
“Megjithatë, ishte vështirë pasi prej mësimdhënies nuk jam ndarë për arsye tjera., por jam ndarë për arsye të pengesave që kam pasur në artikulim, në zë.”

Në anën tjetër profesor, ju njiheni nga studentët si një prej profesorëve që vështirë venë notën 10 në indeks!
“Valla kështu është një e vërtetë e këtillë që e kam trashëguar prej profesorëve të mi. Notën 10 kemi marrë atëherë kur e kemi ditur lëndën më shumë se që na ka thënë profesori në universitet. Bie fjala, unë në studimet e mia në Beograd, vetëm njëherë kam marrë 10… Përveç riprodhimit të lëndës gjithmonë kam kërkuar që të shpjegojnë raportin në mes të koncepteve, ato janë thellësi mendore dhe gjurmimi i tyre është detyrë e njerëzve që punojnë në universitet. Mua si punëtor i universitetit më ka takuar që të gjurmoj në thellësi mendore dhe t`u jap mundësi që edhe studentët t`i zhvillojnë aftësitë që të arrijnë të bëhen më të mirë se unë, që jam në këtë fushë. Ajo është kënaqësia më e madhe e një profesori.”

A ke vendosur ndonjë 10-she, profesor?
“Po, po fort rrallë, por nuk kanë munguar. Nëse nuk gaboj tre herë.”

Si e vlerësoni inicialtivën për të pasur një revistë psikologjike në Kosovë?
“Qe besa jo vetëm që e vlerësoj pozitivisht, por është dashur që t’a kemi shumë kohë më parë. Vërtetë e përshëndes iniciativën tuaj dhe uroj të avanconi në përsosjen e përmbajtjes së revistës…”

A mund të na thoni, si janë ditët e tua tash…?
“Kryesisht nga 8 orë ia kushtoj fushës së psikologjisë, ndoshta nuk bëjë asgjë për ato tetë orë, po pa vendos diçka në letër nuk e lë, lexoj e prej atij leximi nxjerr shkurtesa, rezyme, ide të reja…”
“Edhe sot në këtë moshë, prej orës tre pas mesnate deri në orën shtatë apo tetë të mëngjesit punoj, pastaj pushoj pak dhe vazhdoj punë të tjera, qoftë në Akademi, në KMDLNJ. Jam redaktor i Kolegjit “Iliria, thënë të drejtën, me sinqeritetin më të madh, unë jam redaktor i këtij kolegji sepse nuk mund t`ia dal në krye jetës së shtrenjtë me një pension prej 85 eurosh dhe me një honorar të vogël që marr në akademi. Në KMDLNJ nuk kam lejuar që të paguhem. Udhëheq delegacionin e Kosovës në biseda me delegacionin e Serbisë për çështjen e të zhdukurve, e aty ngjet që edhe biletën e autobusit t’a paguaj vetë, por mua më shpëton në këtë fushë profesionale puna natën… në këtë moshë, 78 vjeç nuk di të bëjë dallimin , a kam punuar më shumë kur kam qenë i ri apo tash.

Për një njeri të përkushtuar ndaj shkencës, shpesh ekziston përshtypja se ai e anashkalon familjen dhe nuk ’’a kushton kohën e duhur. Si ka ndodhur me ju?
“Qe besa, unë familjen e konsideroj mjedisin më të lartë që kam, dhe falë këtij qëndrimi që kam pasur ndaj familjes, kam gjetur edhe mirëkuptim për punën time. Nëse mund të matet në njëfarë mënyre, mund të them se meritë të posaçme ka nana ime, sepse babai më ka vdekur më herët. Meritë të veçantë ka gruaja ime, por meritë të veçantë kanë edhe femijët e mi që nuk më kanë lënë të merrem me probleme të llojllojshme, por kohën ’’a kam kushtuar fushës sime, megjithatë e di se edhe familja ime kohë pas kohe kanë pasur vështirësi me mua. Nervoziteti për mos-zgjidhjen e disa problemeve profesionale më së lehti shprehet në familje…
Kam pasur lloj-lloj sfidash, kam qenë i përndjekur, kam qenë në burg, një kohë kam ngelur pa punë, jam detyruar që të gjej punë të atilla sa për të siguruar kafshatën e gojës për vete e familjen.

Edhe një pyetje të fundit. Nuk di nëse besoni në hierarkinë e nevojave të Masllowit, por do të donim t’a dinim se a ndjeheni i vetërealizuar?
Vështirë të jepet ndonjë përgjigjie e këtillë. Unë për vete nuk e ndjej në atë nivel, siç po e parashtroni pyetjen, marrë prej Masllowit, natyrisht. Nuk e ndjej vetërealizimin ende. Ndjej, sikur të kem edhe pak jetë të prodhoj edhe diçka të vyeshme për pasardhësit që vijnë më vonë. Mund të përsosem edhe vetë, megjithëse nuk kam besuar që vitet e pleqërisë mund t’a defromojnë pak personalitetin e njeriut. Bie fjala, unë jam i atillë që kam dëshirë të komunikoj me njerëz, por ky komunikim përpara ka qenë më i këndshëm sesa që është sot. I bëjë pyetje vetes pse dhe shpesh nuk jam në gjendje për t’a shpjeguar, ndoshta ka faj tjetri. Unë i shikoj fajet e mia, e fajet e mia kohët e fundit nuk po janë aq të vogla. Janë të lidhura më tepër me nervozizëm, me sjellje agresive të cilat tek unë kanë munguar, me disa shprehje që përpara nuk i kisha përdorur, sot po dalin prej gojës e nuk po kam çfarë të bëjë. /Revista Psika

Intervistoi: Antigona Uka
Përgatitur nga: Loreta Tahiri