Hartografi i trurit me famë botërore, George Paxinos, profesor në UNSW, ka zbuluar një regjion të fshehur të trurit njerëzor. Ky regjion është gjetur pranë kryqëzimit të trurit dhe palcës kurrizore të cilin profesor Paxinos e ka quajtur Endorestiform Nucleus(Bërthama Endorestile).

Profesor Paxinos, dyshonte ekzistencën e  Endorestiform  Nucleus qysh 30 vjet më parë, por vetëm tani ka qenë në gjendje ta shoh atë për shkak të teknikave më të mira të ngjyrosjes dhe imazheve. Duke komentuar mbi këtë zbulim, profesor Paxinos thotë se mund të krahasohet me gjetjen e një ylli të ri.

“Regjioni është intrigues sepse duket se mungon në llojin e majmunit ‘Rhesus’ dhe kafshëve të tjera që kemi studiuar”, thotë profesor Paxinos, duke shtuar, “duhet të ketë disa gjëra që janë unike për trurin e njeriut përveç madhësisë së tij dhe Endorestiform Nucleus mund të jetë një prej tyre”. Endorestiform Nucleus ndodhet përbrenda kërcellit inferior cerebral, një zonë kjo që integron informacionin ndijor dhe motorik për të përsosur qëndrimin tonë, balancin dhe lëvizjet motorike. “Mund të mendoj vetëm për funksionin e tij, por duke marrë parasysh pjesën e trurit aty ku është gjetur, mund edhe të përfshihet  në kontroll  motorik”, thotë profesor Paxinos.

Zbulimi i këtij regjioni mund të ndihmojë studiuesit të hulumtojnë shërime për sëmundje të tjera, duke përfshirë sëmundjen e Parkinsonit dhe sëmundjen e neuronit motorik. Neuroshkencëtarët që hulumtojnë sëmundje neurologjike ose psikiatrike, përdorin hartat e profesor Paxinos për të udhëhequr punën e tyre. Atlaset e trurit të profesor Paxinos, shpallen si më të saktat për identifikimin e strukturave të trurit dhe përdoren gjithashtu në neurokirurgji.

Një kuptim gjithnjë edhe më i hollësishëm i arkitekturës dhe lidhjes së sistemit nervor, ka qenë thelbësor për shumicën e zbulimeve të mëdha në neuroshkencë gjatë 100 viteve të fundit. “Atlaset e profesor Paxinos tregojnë morfologji të hollësishme dhe lidhjet e trurit të njeriut dhe palcës kurrizore, sigurojnë një kornizë kritike për kërkuesit për të testuar hipoteza nga funksioni sinaptik deri te trajtimet për sëmundjet e trurit”, tha profesor Peter Schofield, CEO në NeuRA.

Profesor Paxinos është autori i botimit më të cituar në neuroshkencë dhe i 52 librave të tjerë të hartave shumë të detajuara të trurit. Harta përshkruan kursin për kërkimin e neurokirurgjisë dhe neuroshkencës, duke mundësuar eksplorimin, zbulimin dhe zhvillimin e trajtimeve për sëmundjet dhe çrregullimet e trurit.

Shihni një video më poshtë për më shumë detaje!


Përktheu dhe përshtati: Lejla Leci

Referencat:
Paxinos, G. & Schofield, P. (2018) Human Brainstem: Cytoarchitecture, Chemoarchitecture, Myeloarchitecture, 312-357.