Studimet sugjerojnë se deri në kohën kur fëmijët shkojnë në shkollë fillore, ata mendojnë në mënyrë kritike për reputacionin e tyre. Në një përmbledhje të botuar më 20 Mars në revistën Trends në Shkencat Kognitive, psikologët Ike Silver dhe Alex Shaw mendojnë se mendimet tona për statusin shoqëror fillojn rreth moshës 5 vjeçare, kur fëmijët fillojnë të marrin në konsideratë se si ata shihen nga të tjerët dhe sillen në mënyrë të tillë që kultivojnë reputacion pozitiv.

“Psikologët kanë qenë shumë të interesuar për mënyrën se si ndërtojmë identitetet tona dhe llojet e strategjive që përdorim për t’u paraqitur në shoqëri”, thotë Alex Shaw. “Ne po gjejmë se llojet e sjelljes komplekse dhe strategjike të vetë-prezantimit që shohim tek të rriturit shfaqen në një moshë shumë më të re se sa njiheshin më parë”.

Hulumtimet tregojnë se ndërgjegjësimi i një fëmije për gjendjen sociale ndikohet nga të rriturit dhe shtrihet në të gjitha kulturat, pavarësisht nga normat dhe pritjet e ndryshme shoqërore. Ashtu si të rriturit, fëmijët duan të pranohen nga ata që admirojnë. Përvojat interaktive si ndarja e lodrave apo puna në ekip mund të ofrojnë mundësi për fëmijët të mësojnë se çfarë e përbën një reputacion të dëshirueshëm dhe llojet e strategjive që janë efektive për të ndërtuar një reputacion të mire në mjedisin e tyre shoqëror.

“Si një shoqëri, ne jemi shumë të fokusuar në ndërtimin e imazhit dhe vetë-prezantimit, e kështu fëmijët tanë marrin ekspozimin e hershëm, të kondensuar ndaj idesë së imazhit dhe statusit social”, thotë Ike Silver, student doktorature në Shkollën e Biznesit Wharton në Universitetin e Pensilvanisë. “Fëmijët janë të ndjeshëm se si sillen të tjerët rreth tyre, duke përfshirë edhe të rriturit të cilët vlerësojnë reputacionin e tyre”.

5 vjeçarët nuk janë të vetëdijshëm vetëm për reputacionin e tyre, por gjithashtu sillen strategjikisht për të ndryshuar imazhin e tyre të jashtëm. Studiuesit besojnë se fëmijët do të ndryshojnë sjelljen e tyre në mënyrë që të duken moralisht ose shoqërisht të mirë në sytë e vëzhguesve. Ndërsa dimë që të rriturit përdorin një larmi tiparesh për të menaxhuar dhe krijuar përshtypje, ende nuk e dime nëse fëmijët kuptojnë dhe përdorin faktin se tipare të ndryshme (trimëri, pasuri) janë të vlefshme në kohë të ndryshme për audiencë të ndryshme. Është e rëndësishme për ne që të shqyrtojmë më tej se ku në këtë proces fëmijët arrijnë të kontrollojnë reputacionin e tyre. Shkencëtarët shpresojnë të hetojnë më tej dhe të kuptojnë se si mjediset sociale dhe kulturore ndikojnë në shfaqjen e ndërgjegjësimit të reputacionit në rininë tonë.

 

Autore:

Ariana Krasniqi

 

Referenca:

Silver and Shaw. (2018). Pint-sized public relations: The development of reputation management. Trends in Cognitive Sciences.